Sopranoja shqiptare, me famë botërore, Ermonela Jaho së fundmi është shpallur “Artiste e Vitit”, nga International Classical Music Awards, për 2023.
Këtë e ka bërë me dije përmes rrjeteve sociale, ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti.
Ajo ka falënderuar sopranen për pjesëmarrjen e saj në masterclassin e organizuar në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit.
“Nder dhe kënaqësi të të kishim në mesin tonë e të shkëmbenim ide mbi funksionimin më të mirë të teatrit tonë.
Faleminderit që pavarësisht gjithçkaje, nuk e ke harruar vendin nga nise fluturimin tënd drejt skenave të mëdha”, ka shkruar Margariti.
Ndryshe, International Classical Music Awards, konsiderohet njëri prej çmimeve më prestigjioze të muzikës klasike.
Me një juri prej katërmbëdhjetë kritikësh të muzikës klasike nga shtete të ndryshme të botës, çmimet ndahen në gjashtëmbëdhjetë kategori, si dhe tetë çmime speciale.
ObserverKult
Lexo edhe:
ERMONELA JAHO DHE “VIP-AT” SHQIPTARË QË PO HELMOJNË RININË…
Nga Roland Qafoku
E lindur, rritur dhe e arsimuar në Shqipëri, Ermonela Jaho sapo është shpallur “Artistja e vitit” si soprano për “International Classical Music Award”.
Këndon në skenat më prestigjoze të botës dhe është një artiste self made. Së fundi shkëlqeu në Metropolitan Opera në New York. Kjo duke marrë vlerësime si askush tjetër aty.
Jaho është e kundërta e VIP-ave dhe të famshmëve shqiptarë. Atyre që po krijojnë vlerë tallavaje dhe PR të rremë duke helmuar rininë.
Kjo dukuri në Shqipëri po ndodh jo vetëm në art, por edhe në media. Të parët nuk bëjnë art por vulgaritet. E të dytën shtiren se po bëjnë media por janë zhytur në një llum të një stili edhe më të keq.
Madje, ka nga ata që akuzojnë të parët, ndërkohë që mbështesin të dytët. Jemi mes dy botëve. Secili pëlqen të zgjedh atë që dëshiron: Ermonela Jaho që numëron çdo ditë pikat e djersës dhe talentin e perfeksionon me punë dhe ndershmëri, apo të famshmit për asgjë që njihen për antivlerat, vulgaritetin, dhunën dhe mashtrimin por që vlerësohen nga amoralët vetëm pse dalin në televizor. Shoqëria jonë është vërtetë në udhëkryq.
ObserverKult