Nga Ben Andoni
Pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria dhe të gjithë vendet e Evropës Lindore dhe një pjesë e madhe e atyre Qendrore, u fut në një sistem i cili deri më atëherë ishte i provuar vetëm në ish-BRSS. Zgjidhja ishte pak e imponuar prej konjukturave ndërkombëtare por edhe nga mungesa reale e interesave të Fuqive të Mëdha të Perëndimit për Shqipërinë. Me një të hequr lapsi, Shqipëria përfundoi në Lindje. Pasojat do të ishin fatale në dekadat në vazhdim. Pasi një ngritje graduale ekonomike e vendit, e ndihur shumë nga anëtarësimi në KNER dhe përkatësia në Traktatin e Varshavës, iu shtua më vonë në fund të viteve ’70 dhe ndihma e pakursyer e Kinës për interesat e saj të mëdha diplomatike. Për sytë e njerëzve të thjeshtë gjërat zhvilloheshin normalisht dhe në përputhje me makinën propagandistike të kohës. Mirëqenia po rritej, paçka se disproporcioni i nivelit të fshatit me qytetin ishte i dukshëm. Por kjo “justifikohej”, pasi klasa punëtore ishte klasa që ishte në drejtim, kurse fshatarësia ishte aleatja e saj besnike, sipas propagandës. Në morinë e këtyre zhvillimeve, nën shembullin e BRSS-së, u fut në shërbim edhe arti. Qysh pas Çlirimit të vendit, më së pari shkrimtarët dhe pastaj me radhë artet e tjera do të futeshin nën strehën e Realizmit Socialist. Që do të thoshte: çdo krijim duhej t’i përmbahej në formë dhe përmbajtje këtij sistemi. Ata që u munduan t’i shmangen me dashje ose pa dashje e dinin rrugën: Burg, internim dhe privim të drejtash për të krijuar. Në jo pak raste, vetë Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, e priste vetë dënimin “ e duhur” për anëtarët e saj.
Duke qenë se një pjesë e vogël e artistëve kishin studiuar jashtë para Lufte dhe një pjesë kishin studiuar po jashtë pas Lufte, kjo detyrë po bëhej shumë e vështirë. Pikë së pari për natyrën që duhej të kishte arti dhe si do të bëhej ndërthurja e produktit artistik me kanonet e kohës. Do të shmangeshin kanonet klasike? Do punohej më shumë në formë apo në përmbajtje? A mund të eksperimentoje në formë? Dilema shtohej dhe më shumë, pasi një pjesë e madhe e artistëve tanë kishin modele të qarta të aplikuara të Lindjes, nga ku kishin studiuar, ku kjo martesë e stileve dhe e kanoneve klasike e kishte një logjikë. Jo më kot, pas Luftës së Dytë Botërore, Gjermania Lindore, Vendet Baltike, Evropa e Lindjes etj., nën frymën e artit sovjetik ndryshuan arsimin e lartë, modifikuan artin, përshtatën një narracion krejt të ri dhe ngritën një shikim ndryshe për të shkuarën. Në rastin e Shqipërisë gjërat shkuan në ekstrem të qëndrimeve. Filloi të stigmatizohej çdo gjë që kishte lidhje me regjimin e Zogut dhe u shpall anti-kombëtare e gjithë ajo që u bë në kohën e fashizmit. Karakteristikat antifashiste, paqësore dhe demokratike të cilat lidheshin apo regjimet po i vishnin socializmit, shërbenin si antidot për të gjitha ato që gjoja sistemi perëndimor inkurajoi dhe mishëroi.
Midis viteve 1965 dhe 1968, fazat e hershme të rënies së një lloj detante Lindje-Perëndim në Evropë u shoqëruan me një destabilizimin të plotë të Aleancës të Atlantikut dhe komunizmit në aspektin politik dhe ushtarak, dhe veçanërisht dobësimin e hegjemonisë së superfuqive. Ndryshoi narracioni, disidenca në vendet Lindore bëri që të binte ajo frymë e ngushtë kundrejt Luftës së Ftohtë, kurse disa qeveri në Evropën Lindore dhe Perëndimore filluan të sillen ndryshe përballë superfuqive, ndërkohë që u lanë të lira disa segmente të opinionit publik përballë qeverive të tyre dhe më gjerë akoma. Arti, sidomos ai që lidhej me artet pamore, e tejkaloi gjithçka. Në galeritë e vendeve të Lindjes do shikosh shumë punë, të cilat nuk kanë lidhje me Realizmin Socialist. Ndërkohë që shumë artistë të Lindjes u lanë të kalojnë në Perëndim. Roman Polanski, Milan Kundera, Milosh Forman…pak më ndryshe Ismail Kadare, jo vetëm u integruan në botën e Perëndimit, por krijimet e tyre në fusha të ndryshme në art do ishin realisht mbresëlënëse.
Pushtimi i Çekosllavakisë në vitin 1968 solli ndryshime reale, që specialistë dhe sociologë që merren me disidencën i shpjegojnë si një proces paralel me detantën e superfuqive, që u zhvillua në një plan më të gjatë me të ashtëquajturën detantën nga poshtë, një akt i cili ndryshoi në kontributin e deriatëhershëm por edhe në sjelljen e ndryshimit në regjimet socialiste të Evropës Lindore dhe Bashkimit Sovjetik. Të asaj kohe janë gjithnjë e më shumë lidhjet që u krijuan midis shoqërive civile në Evropën Lindore dhe Perëndimore. Por, po në vitin 1968 ndodhën dhe demonstratat e mëdha në Perëndim që sollën realitete krejt të reja. Gjithsesi, amerikanët e kthyen në forcën e vet Aleancën e Atlantikut, kuptohet nën hegjemoninë e tyre, por ndërkohë kjo i dha frymë dhe shumë disidencës në vendet e Lindjes. Ekonomia ndërkohë ishte “ndihmësja” më e madhe e shbërjes së servilizmit të Vendeve të Lindjes, e cila po jepte provat e dështimit të plotë. Po Shqipëria? Një zgjim i vogël në këto kohë i inteligjencës dhe një liberalizimin i jetës artistike, lënë me vetëdije nga pushteti, do merrte fund në fillim të viteve ’70 me Pleniumin IV. Shpata e komunistëve do të ishte e frikshme e mbajtur nga Enver Hoxha që do të mbante një fjalim “shkundës” (Lexo: Kërcënues). Të gjithë do të bindeshin, kurse arti do ta fuste sërish kokën nën zhguall, siç kishte bërë deri më atëherë. Artistët do të shërbenin shëmtuar, kurse disidenca ishte pothuaj hipotetike. Rastet që dëgjohen sot dhe mënyra sesi personazhe të ndryshme mobilizojnë aksione të ndryshme, ku jo pak herë mundohen të fryjnë njëri-tjetrin është e turpshme.
…
Nuk po e zgjasim shumë. Nëse nuk do kishte pak njerëz me kurajo, ne do të binim nën batakun që kanë rënë të gjitha periudhat historike, personazhet dhe gjërat e tjera. Maks Velo, një nga pak prej tyre, dhe një nga artistët e mbetur të dënuar të Komunizmit do të ishte i pamëshirë me hipokrizinë e përgjithshme e cila e rrethon kohën tonë dhe sidomos me kinset e pafund. Ata, që manipulojnë sidomos me shkruesit e huaj për kinse disidencën e tyre. Argumenti është i trajtuar thjesht dhe këtë herë ka emër e mbiemër. Në këtë rast ai kritikon piktorin e njohur Edi Hila, që ishte pjesë e këtij manipulimi që sot bëhet, por edhe përpjekjen e shumë syreshëve që mundohen të modifikojnë të gjithën këtë kohë.
Është për të ardhur keq që sot këta njerëz janë bajagi të shumtë, por më shumë të vjen keq që luhet me disidencën në këtë lloj forme. Vetë shkrimtari i njohur Kadare e ka shpallur se nuk ka qenë disident paçka se brenda kanoneve të Realizmit Socialist, ai falë talentit të tij, bëri një letërsi e cila e tejkaloi atë duke na dhënë jo thjesht një bashkëkohësi të artit tonë, por nga ana tjetër duke e bërë me tema bashkëkohore në Shqipëri. Gjithsesi, në disa prej temave u strehua në kohët e tjera duke iu larguar sloganeve të Partisë së Punës, kurse në disa të tjerave brenda këtyre sloganeve u mundua të pasqyronte Shqipërinë ndryshe. A ia doli? Fakti që kjo letërsi i mbijetoi kohës tregon se Kadare ia doli…Shumë syresh mundohen ta paraqesin sot desident, një fat që ai se ka pranuar, pasi Kadare bëri një gjë edhe më të madhe, këtë letërsi në këto kushte e përcolli më tej në letërsinë më të mirë ndërkombëtare. Në artet pamore lufta ka qenë edhe më e ashpër sepse forma zë gjithnjë shumë, kurse disa artistë si Shijaku dhe Gjergo kanë manovruar brenda temave. Kurse Maks Velo iu ankorua artit primitiv duke gjetur mbështetje në kinse naivitetin e formës…për të na dhënë traditën por me ngjyresë mirëfilli moderniste. Abdurrahim Buza na përcolli tema mirëfilli historike por me një formë, që po të referonte tema bashkëkohore, do të përfundonte sakaq në burg. Lista ka vend edhe për dramaturgët, poetët e ndjerë që u vranë me akuza jashtë letërsie por edhe me to e shumë të tjera.
…
Për të gjitha këto, por edhe jo vetëm, Shqipëria duhet të realizojë një Histori Arti për shekullin XX dhe mundësisht një shikim real të kësaj kohe. Por, mbi të gjitha, Shqipëria dhe njerëzit e artit të saj duhet të jenë të ndershëm për ta rrëfyer atë kohë. Po lind një brez i ri dhe nuk duhet të tradhtohet besimi që ata kanë për paraardhësit e tyre. Mbi të gjitha, neve na duhet një Histori Arti për të treguar se edhe kemi një vend qoftë modest në art. E sa për disidencën duhet pak kurajë dhe më shumë nder për ata që dhanë jetën dhe u burgosën e iu prishën veprat, të jemi pak të ndershëm…se ne kemi pasur pak ose asfare pak disidentë.