
Recension i librit “Zanafilla e mendimit kombëtar: Diskursi i humanistëve arbënorë gjatë renesancës” nga Albert Bikaj (Botimet Koliqi, 2025), fillimisht tema e tij e masterit e mbrojtur në universitetin e Zagrebit – titulli origjinal “Nacionalni diskurs albanskih humanista krajem 15. i početkom 16. Stoljeća (2021).”
Nga Albnor Sejdiu
Çdo libër për gjëra madhështore, parakupton një shtegtim që ndan po këtë madhështi me to, – apo, thënë më ndryshe, duhet të ndajë. Kur historiani Jordanes, për shembull, mori hovin për të dëshmuar historinë famëmadhe të Gotëve në shekullin e VI-të pas Krishtit, ai shkruan se ishte dëshira e tij të lundronte me varkë vetëm rreth bregdetit të qetë dhe t’i mblidhte aty nëpër pellgje “peshqit e të lashtëve.” Por ja që [“vëllai”] Castalius-i e dërgoi të lundrojë në “thellësi.”1 Mandej Thucydides, – historiani i luftës midis Athinës fisnike dhe Spartës luftarake, – nuk turpërohet të na tregojë, që në fjalinë e parë, se e ka nisur historinë e tij atëherë kur lufta filloi, me besimin se do të ishte një luftë e madhe dhe më me vlerë që të shkruhej se sa ndonjë nga “ato që kanë ndodhur në të kaluarën.”2 Dhe s’besoj se duhet kujtuar historianin Tacitus, dhe zgjedhjen e tij për t’iu kthyer kujtesës që të sjellë në vëmendje oratorinë sërish në Romë – për të thënë të njëjtën gjë në tre mënyra të ndryshme.3
Edhe pse kam pasur fatin të redaktoj librin, unë asnjëherë s’e kam pyetur Albertin kush e çfarë ishte vëllai-Castalius-i, fillimi-i-luftës, dhe kujtesa-për-oratorinë e tij që ai të shkruante për “humanistët arbën.” As hyrja e librit nuk na ndihmon. Njëmend, as edhe një gjë tjetër që është në të, të paktën në mënyrë të hapur. Në shikim të parën, nga njohja e Albertit për gjuhët klasike; nga njohja e tij për burimet origjinale; nga aftësia për të mbledhur në mënyrë marramendëse fakte (dhe interpretime të tyre) prej kohës kur kanë ndodhur deri më sot – të japin përshtypjen sikur je duke lexuar një historian që i mirëmbahet metodës shkencore, sepse njëmend ti je duke e lexuar një historian të tillë. Por kjo na ndihmon krejt pak për të gjetur përgjigjen tonë.
Hegeli, filozofi gjerman që nuk e ka lënë historinë asnjëherë rehat, duke u munduar me shumë “sukses” të tregojë pse veprave filozofike nuk i duhet një hyrje, (dhe duke zgjedhur ta bëjë këtë në mënyrë ngatërruese po në një hyrje të një vepre filozofike), na shkruan se: “sythi zhduket kur lulja lulëzon, dhe mund të thuhet se e para mohohet nga e dyta.”4 Sido që të jetë me synimin e Hegelit dhe suksesin e tij, unë mendoj se kjo fjali mund të na ndihmojë të gjejmë atë se çfarë jemi duke kërkuar. Për të kthyer atë që nënkuptoj në kuptim: ne duhet ta lexojmë me vëmendje librin e Albertit për gjëra madhështore, për të kuptuar shtegtimin “madhështor” që i sjell ato përmes tij. Dhe ne duhet ta bëjmë këtë me guximin e plotë për të pranuar se një historian që nuk di të dallojë cila fjali duhet të përshkruajë daullen e luftës nga ajo e martesës; që di të adhurojë më shumë se sa të përshkruajë; që nuk i dhemb mendja nëse nuk është një me njëmendësinë e burimeve para vetes – nuk duhet të shkruaj për gjëra madhështore fare. Me fjalë të tjera, ne duhet ta mohojmë madhështinë e temës së librit, për të kuptuar nëse ka ndonjë madhështi brenda librit fare.
Me përfundimin e librit të Albertit, ne dallojmë se pikëpamja që ka përdorur është ajo e Caspar Hirschi-t, që ndan qasjen mbi “kombin” në mospërfillje si ndaj modernizmit (të pranuar përgjithësisht) ashtu edhe ndaj primordializmit (të papranuar përgjithësisht në motete tona). I dallojmë disa trupime gegë që nuk lëvizin nga përfundimet e tyre – “arbën” si shembulli kryesor i kësaj, e pasuar nga mohimi për të përdorur “Venecia” në vend të “Venedik.” Mos përdorimin anakronik të fjalës “shqiptar” atëherë kur kjo fjalë nuk përdorej për të shënuar ata që i takonin “Arbënisë.” Dhe më tej, duke mohuar që ta sheh krishterimin si të shkëputur nga roli që atëherë kishte Skënderbeu; duke mohuar që t’i sheh humanistët sikur s’kishin asgjë për të thënë mbi kombin; dhe duke mohuar që t’i gjunjëzohet, si një medievist i denjë, teorive bashkëkohore, që mohojnë “universalizmin” vetëm për t’u kthyer dhe duke gjykuar historinë me standarde universale që ne i kemi gjetur vetëm tani së voni. Nuk është vetëm e rastit që profesor Drançolli shkruan një parathënie për këtë libër, këta hapa teorikë në rrafshin e historisë hedhin shikimin poshtë nga supet e gjigantëve. Albert Bikaj nuk tregohet ngatërrues, ai e mban përgjegjësinë që vetëm një historian i cili mundohet të tregojë njëmendësinë e gjërave mund të mbajë.
Nietzsche i hershëm diku shkruan se “ne kemi nevojë për historinë, patjetër, por kemi nevojë për të për arsye të ndryshme nga ato për të cilat i nevojitet dembelit në kopshtin e dijes, edhe pse ai mund t’i shohë me përçmim fisnikërisht nevojat dhe kërkesat tona të ashpra dhe të pahijshme. Ne kemi nevojë për të, kjo është për të thënë, për hir të jetës dhe veprimit, jo për t’u larguar rehat nga jeta dhe veprimi, e lëre më për qëllimin e zbutjes së jetës egoiste dhe veprimit të ulët dhe frikacak. Ne duam t’i shërbejmë Historisë vetëm në masën që historia i shërben jetës.”5 Çfarë njëmendësie tjetër të kësaj shërbese të historisë ndaj jetës, se sa kur vetë historia ia ndryshon Albertit gjuhën; ia akordon mendjen me tinguj pak më ndryshe se nga ata që “pranohen” sot; kur me përulësi e rreshton të pafrikë pas përfundimeve të veta sepse ia ka dhënë nderin e duhur burimeve?
Dhe nëse krejt në fund na kujtohet pse duhet të mendojmë kaq thellë edhe pas leximit të librit për të gjetur madhështoren në këtë shtegtimin e historianit, Albertit vetë, për gjëra madhështore si humanistët arbën. Atëherë duhet kujtuar se gjërat madhështore, pikë së pari, ashtu siç na tregojnë grekët vetë me mëkatin e tyre të vetëm nuk duhet të kenë krenari (húbris) që të përgjigjen në një pyetje të tillë. Dhe, pastaj, se pikë së dyti, në tempullin e Deflit njëra prej maksimave ishte “Εὔφημος ἴσθι” (eufemos isthi), e përkthyer kjo i bie afërisht “të jesh fjalëmirë [eufemistik].” Kjo është, ajo që është jo-madhështia (përulja) e libri, mos rënia në tingullin e nostalgjisë, mos rënia në mitofilinë masokiste të atdhetarisë – janë pikërisht gjurmët eufemistike që e bëjnë këtë libër madhështor. Ta shohësh këtë madhështi nuk është të shohësh krenarinë në gjak, religjion apo në ndjenja. Ta shohësh këtë madhështi nuk është të jesh krenar për madhështinë e temës së librit. Puna e një historiani të denjë nuk duhet të gjykohet nga tema e librave (edhe nëse këto tema, për disa nga ne, janë akoma magjepsëse). Ta shohësh këtë madhështi të librit, duhet të jesh thjesht një lexues i mirë.
Referencat
1. – Jordanes. (1915). The Gothic History of Jordanes in English Version (C. C. Mierow, përkth.). Princeton University Press: London. F – 51.
2. – Thucydides. (1919). History of the Peloponnesian War: Books 1–2 (C. F. Smith, përkth.). William Heinemann LTD: London. (Loeb Classical Library No. 108). F – 3.
3. – Tacitus, C. (1914). Dialogus, Agricola, Germania (M. Hutton & W. Peterson, përkth., edituar nga E. H. Warmington, R. M. Ogilvie, & M. Winterbottom). William Heinemann Ltd: London. (Loeb Classical Library volume No. 35.) F – 19.
4. – Hegel, G. W. F. (1977). Phenomenology of Spirit (A. V. Miller, përkth.). Motilal Banarsidass Publishers: Dehli. F – 2.
5. – Nietzsche, F. W. (2017). Untimely Meditations (R. J. Hollingdale, përkth., edituar nga D. Breazeale). Cambridge University Press: New York. F – 59 .
ObserverKult






