Misioni i kritikës së vërtetë sipas Krist Malokit

Botimet dhe festat kujtimore pak a shumë nuk perkojn me kritika shkencëtare. Aqë ma fort në një popull-si t’onin-i cili edhe kritikat ma të mehlueme e ballsamore i merr si “shamje” apor “fryemje” etj.

Nga ky shkak kuptohet ndoshta edhe fakti që deri më sot nuk ka xanë rranjë në Shqipnië kritika serjoze e objektive, makare rreth vlerave letrare e historike të Kombit Shqiptar…sepse çdo kritikan i druhet llafeve e kercënimeve, në mos edhe salvimeve gjithëfarëshe nga e mirënjohuna “kulshedra shoqnore”, e quejtunë “opinjoni publik”.
Lene mandej që në vendin t’onë çdo çfaqëje ideore dhe shkencëtare-kulturale e reë merret a priori si me qellime personale-egoistike e regjonal-patriotike, kundra së cilave çohen me një herë pesh savantat dhe engjikllopedistat e kafehaneve-mbrenda e jasht Shqipniës!-e dijtun nga frika se mos po i rrëxohen neper frymen e reë kolibat e veta mendore të vjetrueme.

Dhe ngjanë edhe shumë herë që disa njerz mesjetarë i japin kritikës shkencëtare një ngjyrë politikore-revulocjenare, per me e çue mandej zanin kah prokurori i Shtetit dhe me i ba shenj kritikanit guximtar me hijen e trekambëshit.
Por methoda ma djallore-per me ja mbyllë zanin kritikanit-perdoret nga njata hyperintelektuala indepedenta e influenta që heshtin si vorret perpara trokëllimeve kritikore në derë të ndergjegjëjes kombëtare…

Të gjitha këto i ka pësue autori i këtyne radhëve neper kritkat e tija rreth Naim Frashërit, Lasgush Poradecit etj etj.,  dhe mëndyra e reakcjonit të botës shqiptare kundrejt njatyne kritikave ka qenë me të vertetë një pasqyre e gjallë e shvillimit kulturë-historik të vendit t’onë mbrenda 30 vjetëve të fundit.

Mirë po s’duhet harrue që kritika e vertetë asht po aqë e nevojëshme per një popull sa veprat dhe personat historike e letrare vet. Kush-pos kritikanit-mundet me ja diftue popullit rrugen e ndrejtë kah e mbara, kah nderi e kah e verteta?

Kush-pos kritikanit-e mëson dhe e arsyeton kombin me e nda të miren nga e liga, bukurinë e vertetë nga xhixhellimet syperfaqësore, forcën e gjallë rrëmbyese-elementare nga tamtamet pehlivanore, zhenjalitetin nga virtuoziteti dhe virgjiniën e zemrës nga hybriditeti i intelektualit?

Mungesa e një kritike të këtillë në çfarëdo lame kulturore të një kombi-të çdo kombi-i sjell këtij vetëm dam e vobeksi.

E asht gabim –bilem gabim i trashë-kur kujtojn disa të verbuemë-pleq apor të rij-se kritika paraqet vetëm një funkcion negativiteti, vetëm një synim”detraktori” (M.Kuteli) apor një veprim “krymbash” (H.Mosi), në mos një tentativë “subersive” (Zoi Xoxa) etj. etj…

Po, ka kritikë e kritikë! Porse kritika e vertetë asht gjithëmonë shpirtdhanëse, shqarimplote dhe krijestare. Sepse kritika e vertetë-kritika krijuese dhe prodhuese-vepron si njajo duhi e fortë jugore, e cila i shkrinë borënat e dimnit, i thanë moçalet e prandverës dhe i shkëputë gjethët dhe gembat e thatë të vjeshtës…njëherit tuj e mbushë botën plot mall e afshi.

Kritika e vertetë e krijuese hjedh para së gjithash një dritë davaritëse mbi objektet e saja, e terhjek trupin historik nga mjegullinat e një kohëshkroje së dyshimët dhe e perplotëson me trajta, kontura dhe tonalitete realistike.

Sa keq gjindet sot Kombi Shqiptar per kah paraqitja historike dhe letrare-kritike të njerzve të tij ma në za? Mjafton fakti që idoli i Kombit t’onë, Skanderbeu, ka mbetë deri më sot per ne një edeë pa trup të caktuem, një shpirt fantazmagorike, një hije tradicjonale-folkloristike dhe një konstrukcjon ma fort i dishruem se sa –historikisht dhe historje-kritikisht-i vertetuem.

Nuk dijm se kur ka lindun dhe se kur ka vdekun; leni mandej pikat tjera ma karakteristiket nga jeta e tijë. Kan shkrue mbi te priften e diakona, prelata e freten, e kan kumtue shkrimtarë e vejrshtarë, por të gjithë janë majtë dorë-me-dorë si qerrat ner vende të hueja dhe kan derdhë mbi krye te tij temjane e dafina të pafara e të pakontrollueme.

Së fundit na erdh një peshkop shkencëtarë e poet-Fan Noli-dhe i dha heroit të Mesjetës një trup epik e dramatik, njashtu si ja donte autorit panzofik zemra shqiptare e permallueme dhe fantazija e zjarmueme…nersa dy historjakë shqiptarëtë diplomuemë-Dr. Xhevat Korça dhe Dr. Athans Gegaj-në mungesen e një spirite kritike e krijuese po çalojshin e po shkepojshin nepër pikat ma karakteristike nga jeta e ma të madhit hero të Kombit Shqiptar!-

Por asht edhe e dijtunë: kritikani i vertetë lindet dhe nuk mund të mësohet. Spirita kritikuese asht një dhantië e natyrës, një talent, një vetië, në mos një art dhe një zhenjalitet. Veç se –si çdo talent-edhe ajo mund të zhvillohet, mund të fellësohet dhe mund të perfekcjonohet.
Sidomos historjografija ka zbulue mjete e methoda, neper të cilat puna e historjakut bahet pothue se zanat, me gjithë që një artizanat. Këtu vepron systematikisht kritika e burimeve historike dhe nderpeshimi i kronikave koherente, percjellë neper sa e sa hulumtime gërmuese dhe shumë herë-cikrime të pafara analizuese…per me e permbëledhë së fundi materjalin e shoshitun dhe me perftue nga aj njato synthesa të gjalla deskriptive si na paraqiten ner vepra të mëdhaja historjografike.

Dhe ngjanë edhe këtu që kritikani i vërtetë i jep trup dhe jetë veprës së vetë, dhe vepra e tijë i fiton mandej zemra t’ona ma fort si jetë-shkrim se sa si kohë-shkroje…
Shikjue nga këjo pikëpamje, puna e kritikanit letrar ja kalon qind për-qind asajë së historjakut hulumtues. Sepse nersa ky mundohet me e zbulue të vertetën historike “ashtu si asht” apor “si ka qenë” , kerkon aj tjetri me i definue botës se si duhej t’ishte…vepra e kritikueme letrare! E këtu nuk mjafton sigurimi i materjalit rreth e perqark veprës.

Neper data historike dhe analyza biografike, këtu lypset ma fort pergjasimi i veprës së kritikueme me vepra tjera, me vepra kvalitative ma të nalta, ma të spikatuna…e këtu lypset para së gjithash një ideë apor edeologië, a ma mirë një botëkuptim (Weltanschauung) i kjartë e i permëledhun, neper të cilin kritikani gjen një qëndrim shikimi (point de vue) të caktuem e të funtamentuem.

Porse këjo do të thotë edhe njëheri që kritikani i vertetë mund t’a ushtroj zanatin e vet vetëm tuj qëndrue ma nalt se vjershtori, poeti, dramaturgu, romancjeri etj. i kritikuem. Dhe me të vërtetë psykologija dhe esthetika moderne-Freund, Spranger, Dilthey, Jung, Dessoir etj. –kan konstatue qysh me kohë që kritikani i veprave artistike duhet të jetë i zoti të balancoj pa-pranë ndermjet dy ekstremesh a polaritetesh, të cilët paraqiten nga vepra e kritikueme dhe nga pikëpamja qendruese e kritikanit vet.

Dhe zotsija apor mjeshtrija e vertetë e kritikanit krijues çfaqet aty se se si mundet aj me u fellue e me u zhytë ner paraqitje e ndejnja të veprës së kritikueme pa me u përmbytë ner to dhe pa humbë fare ner valët e saja vershuese dhe rëmbyese.

Dy akte të perkundertë shpirtnorë veprojn pra këtu, dy akte fare kontrerë, fare dialektikë.

Sepse kritikani hiedhet me gjithë shpirt e zemër, me gjtihë aftsiën e tijë reproduktive mu në mbrendiën e veprës, sodit aty dhe veshgon me vemendje kontemplative, permallohet dhe pervëlohet …per me u shperngulë po m’at moment nga njato tundje dhe tundime emocjonale-perkëdhelëse dhe per me i konstatue mungesat , të metat dhe mëkatet e veprës së kritikueme. Dhe këtu qëndron fatlumsija e kritikanit…por njëherë edhe dënimi dhe mallkimi i tij.

Sepse neper njat dasië qëndrimesh, njat ballancim apor njatë kolovitje –herë këndej e herë andej –shikimesh dhe ndjenjash,perçahet shpirti i kritikanit në dy natyra të perkunderta, në dy shpirtna diskrepantë dhe anmiqsorë…dhe njajo perçarje ja thanë guren e vetë artistike, ja ndalon rrjedhën e ndjenjave kritikuese dhe e ban-deri diku –të shterp kah prodhimi origjinal dhe i njëllojshëm si aj i veprës së kritikueme (dhe kalamendet e një bote superficjale nuk mungojn me kunderkritikën e zakonshme dhe steretype: ban vet dishka ma të mirë!!!). 

Mirë po ky është fati fatal i kritikanit dhe zotsija e tijë e vërtetë  perqëndrohet aty se si e kritikon aj vet punën e vetë, se si e kontrollon vedin (self-control) dhe se si i urdhënon vehtës. Sepse: per me qenë kritikan i vertetë duhet të jetë njeriu ma së pari despot i vetvehtës, tyran i ndjenjave dhe kastigues i mendimeve të veta!-Shqiptari i vjetër, njaj herou i kallximeve historike dhe traditave patriarkale, ka qenë kritikan i lidhun nga natyra e vetë fisnike –burrnore; po, edhe shqiptarët e sotshëm të kafeneve…edhe ata janë kritikana, porse zotsija e tyne e vjetër asht degjenerue nepër sa e sa injekcjone dhe infeksone orjentale, dhe kritika e tyne s’asht tjeter veç se thirrëje bretkocash nga fundi i kënetave të një shpirti të perdhosun…

Mirë po edhe me kaq nuk merr fund misjoni i kritikanit të vertetë. Sepse kritika krijuese e prodhuese nuk mjaftohet vetëm me shikime dhe kundrime dialektike , me njatë kolovitje ndermjet veprës së kritikueme dhe botëkuptimit të vet, jo, kritika e vertetë e ka per detyrë me ngre mbi njato polaritete shikimesh e kundrimesh uren synthetike dhe ylberin e shumëngjyrëshem të një vepre krejt të reë artistike.

Kritikani i vertetë mundet që nuk asht i zoti me prodhue vepra të njëllojëshme me ato të kritikuemet, mirë po kritika krijuese dhe prodhuese në vetvehte i ka gjithë hiret e një kreatyre origjinale dhe të perjetëshme.

Sepse neper te hapen horizonte të reja shikimi, paraqiteten koncepte të reja kundrimi dhe hapen rrugë të panjoftuna perparimi; shkurt: kritika krijuese dhe prodhuese ndez drita dhe zjarre revolucjoni.

Mundet që dermohet dhe hjedhen perdhé sa e sa tradita lajkatare dhe lezete andrimplote…porse mb’anen tjetër qiten në dritë të gjtihë vlerat e verteta të veprës së kritikueme, pasqyrohen nen kypen e qiellit të hapët artstik sa e sa elemente të saja, të mbulueme shumë herë nën mëlojen e një paraqitëje të gjymët a të pakuptueshme. Kritika e vertetë asht trumbeta , asht flluga revolucjonare, e cila i hap shteg veprës së kritikueme neper barikadat e një kohe së verbët, shurdhe dhe reakcionare.

Sa e sa vepra artistike janë zbulue dhe e kan fitue famen e botës, njata heroat e shoqniës njerzore-po, të gjithë zhenijt e njerzimit-s’kan qenë tjeter veç se kritikana të kohës së vetë, kritikana të rrethit dhe të qarkut shoqnor, mësuesa e profeta, por njëherit edhe ankuesa, paditësa dhe gjygjtarë të rrebtë kundra fuqijve të marra sunduese rreth-eperqark…dhe nuk asht çudië që e shumëta e tyne e kan shkue rrugen e Kryqit!…

Sepse çdo vepër e madhe njerzore asht vepër revolucjonare, asht mohim i së tanishmës dhe bajrak i ardhmeniës…dermon e rëxon…por njëherit edhe udhëzon dhe ngreh-në vend të kolibave të vjetrueme-themelat pallatore të një kohe s’ardhëshme ma fatlueme. Kritika e vertetë asht gjithëmonë brum e gjithëmonë thartinë për vepra t’ardhëshme ma të mëdhaja, ma të ndershme, ma të ndritëshme dhe ma pervëluese: kritika e vertetë krijuese së fundit asht vet Zot e asht vet Shpirt!-
                                                                                    

*Shkëputur nga libri i Krist Malokit: “Refleksione- Kritikë (letrare), analiza dhe mendime”, (përgatitur nga Albert Ramaj)

Përgatiti U.V.: ObserverKult


Kliko edhe:

respekt deputet At Gjergj... Fishtën asdreni

GJERGJ FISHTA: PER SHQYPTARË DO T’JÉT SHQYPNIJA KUSH UA PREKË, AI KJOFTË MALLKUE!

Gjergj Fishta: Himni i Flamurit Kombtar

Porsi fleta e Ejllit t’ Zotit
Po rrehë Flamuri i Shqypnis,
E thrret t’ bijt e Kastrijotit
Me mbledhë tok nder çetë t’ ushtris.

Bini, Toskë, ju, bini Gegë!
Si dy rrfé, qi shkojn tue djegë!
A ngadhnyesë a t’ gjith deshmorë!
Trima, mbrendë! Me dorë! Me dorë!

Per mbas Flamrit t’ vet Shqyptari,
Kur rrokë armët per t’ drejta t’ veta,
Atje lufta ndezet zhari,
Atje anmiku vehet m’ t’ leta.

Mbi njatë Flamur Perendija
Me dorë t’ vet Ai e ka shkrue:
“Per Shqyptarë do t’ jét Shqypnija;
Kush u a prekë, ai kjoftë mallkue!”

Shka? A thue ‘i mend se atë tokë t’ bekueme,
Qi vetë Zoti na ka dhanun,
Sod me e shkelë kamba e poshtnueme
E nji t’ huej’t na kem m’ i a lanun?

Ah; jo, kurr. Njiqind herë para
Kem’ me u shkri me gra, me fmi!
Kem’ me mbetë kortarë nder ara,
Se me shkelë lamë t’ huej’n n’ Shqypni.

M’ kambë, Sokola të Shqypnis!
Flamri ynë, qé, n’ ajr po shtiellet
Si pol veshet t’ Perendis,
Kah na ban hije prej qiellet.

Ma mirë dekë me u shue nen hije
T’ Flamrit t’onë në fushë t’ mejdanit,
Se me rrnue nji jetë robnije
Per nen sukuj t’ huejë t’ Balkanit.

Armët e Besen na i njeh bota;
Trima n’ zâ kem’ pasun t’ Parët,
Luften né na e msoi Kastrjota:
Kè, thue, frigë do t’ kenë Shqyptarët?!

Urra! Djelm, eh ‘u u dhashtë e mbara!
Sod a kurr, me dekë p’r Atdhé!
Flamri i ynë, qé, u nis perpara:
Ndimo, Zot, per Atmè e Fé

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:


Gioconda Belli

GIOCONDA BELLI: UNË, JAM AJO QË TË DO

Unë, jam ajo që të do – poezi nga Gioconda Belli


Unë jam gazela jote e paepur,
vetëtimë që dritën e thyen në gjoksin tënd.
Jam erë e pafrerë grykash malore
dhe shkëlqimi i ndezur i zjarrit të okotit*.
I ngrohë netët e tua,
duke ndezur vullkane me duart e mia,
syujtë prej tymit të kratereve në mua.
Rend drejt teje
veshur me shi dhe kujtime,
duke qeshur njësoj si vite më parë.
Ende udhë e paeksploruar jam,
qartësi që thyen errësirën.
Ngjëroj yje midis lëkurës tënde dhe times
dhe të përshkoj plotësisht,
çeltirë pas çeltire,
duke minuar dashurinë time,
duke u përleshur me frikën.
Një emër jam që këndoj dhe bie në dashuri
me anën tjetër të hënës,

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:


BABAI DHE NËNA IME NËNSHKRUAN LETRAT E DIVORCIT

Babai dhe nëna ime nënshkruan letrat e divorcit
Nëna më tha: Divorci nuk është aq i keq sa e mendon.
Kurse babai: Shokët e tu kanë vetëm një shtëpi.
Ti je me fat se ke dy.

Në shtëpinë e nënës dhoma ime mbeti e njëjta,
kurse babai në shtëpinë e tij
më përgatiti një dhomë të re.

Me një sharrë të vjetër
e ndava trupin përgjysmë.
Gjysmën e majtë e lashë me nënën time,
ku është syri i majtë,
krahu i majtë
dhe këmba e majtë.
Dhe shkova me syrin e djathtë,
krahun e djathtë
dhe këmbën e djathtë
me babain tim.

Por babai do më jepte një flakareshë,
nëse do flisja me të për mallin që ndiej ndaj gjysmës tjetër sime
dhe nëna gjysmën tjetër time do ta dënonte në një dhome të kyçur
për mos ta takuar gjysmën që ka babai im.

Sa për trajnerin e skuadrës,
ai s’pranoi t’i bashkohem
ekipit të futbollit
me justifikimin se u duhen
lojtarë me 2 këmbë.
Me njërën këmbë driblon
kundërshtarët
dhe me tjetrën topin në pasim.

Poezinë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult