“Distopia e Kadaresë”, libër i ri nga Besnik Jaha

Bard Books sapo e ka botuar librin monografik për romanin “Pallati i Ëndrrave”, “Distopia e Kadaresë”, të studiuesit Besnik Jaha.

“Duke pasur për objekt romanin alegorik “Pallati i Ëndrrave”, studiuesi Besnik Jaha ka lexuar paralelisht tekstin dhe kontekstin, e, gjithashtu, ka komentuar edhe interpretimet letrare dhe ideologjike që kanë bërë të tjerët për këtë roman. Kështu, libri “Distopia e Kadaresë” i Besnik Jahës është monografia më e plotë për kryeromanin distopik të shkrimtarit të mirënjohur”, u tha nga botuesi, Ag Apolloni.

Ndërsa shkrimtari Imer Topanica pohoi se Besnik Jaha me veprën “Distopia e Kadaresë” shfaqet si studiues serioz. “Me këtë vepër ai paralajmëron ardhjen e një brezi autoritetesh të reja në fushën e studimeve të letërsisë, të cilëve nuk do t’iu turbullohet vizioni për faktin se po shkruajnë për shkrimtarin më të madh shqiptar”, tha Topanica.

Besnik Jaha (Prishtinë, 1988) ka kryer studimet bachelor dhe master për Letërsi Shqipe në Fakultetin e Filologjisë, në Universitetin e Prishtinës, ku vazhdon edhe studimet e doktoratës.

Ka botuar studime dhe artikuj të ndryshëm për letërsinë shqipe dhe atë botërore, si dhe hulumtime për fenomene të ndryshme nga fusha e gjuhës dhe e letërsisë.

Nga viti 2020 është editor në revistën kulturore Symbol dhe në Shtëpinë botuese Bard Books.

ObserverKult


Lexo edhe:

RRËFIMI I ISMAIL KADARESË : SI E SHKROVA “PALLATIN E ËNDRRAVE” NË KULMIN E DIKTATURËS, U THYEN LIGJET E SHENJTA TË LETËRSISË