Ditarët e Musine Kokalarit: Kujtimet dhe veprat e intelektuales dorëzohen në arkiv

Familjarët e Musine Kokalarit dorëzojnë në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave fletoret, shënimet, por edhe disa vepra që la pas intelektualja shqiptare. Kjo pasuri, tanimë e gjithë shqiptarëve, do të ketë mundësinë së shpejti të jetë e disponueshme edhe për publikun.

U dorëzua edhe një nga shumë fletoret e mbajtura nga Musine Kokalari në internim. Shënime nga Rrësheni, shkruar me germa të vogla, si për t’i lënë hapësirë mendimit tjetër.

“Le ta mbyllim vitin 1972 me këto shënime. Nuk do ta harroj kurrë sa padrejtësi bëhen në kurriz të punëtorit, sa mbetet ai i pakulturuar dhe sa pak interesim ka inteligjenca, e cila bën reportazhe, por nuk ndihmon në zgjidhjen e problemit jetik të tij”, shkruante ajo në një nga fletoret.

Në Rrëshen, kjo grua intelektuale kishte përfunduar pas vitit 1946, ku u dënua me 20 vite heqje lirie, në një nga gjyqet më të njohura për Shqipërinë komuniste. Në vitin 1961, e nxjerrin nga burgu dhe e internojnë në Rrëshen, ku zbulon 20 vite më pas se vuan nga kanceri, një betejë tjetër e Kokalarit, për të cilën shkruan gjatë në ditarët e saj: “Njoha kulturën demokratike, njoha tragjedinë e përmbysjeve të mëdha revolucionare. Njoha një gjyq special. Njoha 16 vjet burg dhe 22 vjet internim me përplasje andej-këndej. Njoha punën e punëtorit me normë individuale, njoha punën e krahut me normë kolektive në bujqësi e ndërtim. Njoha vetminë e vetëkërkuar, shoqërinë e rastit në burg dhe gjithë ndryshimet që pasojnë nga ky tërmet i pandërprerë për të konsoliduar diktaturën e proletariatit. Nganjëherë them me vete se nuk fitova gjë që mbeta gjallë. Kam 38 vjet që nuk e di ç’do me thënë familje”, shkruan ajo.

Këto shënime, fletore e vepra të saj nga tani i gjejmë në Arkivin e Shtetit. Familjarët e saj ia kanë dhuruar shqiptarëve.

Musine Kokalari konsiderohet sot si shkrimtare, politikane, intelektuale, por më së shumti njihet për guximin e saj. Në gjyq, ndërsa dikush thirri se ajo duhej të dënohej me vdekje në litar dhe kryetari Frederik Nosi e pyeti nëse e dëgjonte atë që kërkonte populli, Musineja me qetësi iu përgjigj: “Nesër këtë do të thonë edhe për ju”.

Musineja nuk pranoi avokat. Ajo u bë avokatja dhe politikania e papërlyer, e cila humbi gjithçka, veç dinjitetit.


Lexo edhe:

KY ËSHTË LIBRI I FUNDIT I MUSINE KOKALARIT “…SA U TUNT JETA”