Në verë të vitit 1912, Aubrey Herbert kishte vendosur që ta vizitonte edhe një herë Kosovën ku pothuaj kishte përfunduar kryengritja e armatosur kundër Perandorisë Otomane e cila çoi së pari në autonomi e pastaj rezultoi në pavarësimin e Shqipërisë. Kësaj radhe Herbert kishte vendosur të udhëtonte nga Sarajeva për të hyrë në vilajetin e Kosovës, me qëllim që të qëndronte në Mitrovicë ku do ta takonte Isa bej Boletinin. Kur kishte hyrë në Berane, që atëherë ishte pjesë e Kosovës, kishte hasur mu në momentin kur kryengritësit po e përmbysnin pushtetin lokal. Në ditarin e tij të asaj dite, Herbert ka shënuar gjëra interesante që flasin për gjendjen dhe mentalitetin e banorëve të këtij qyteti:
Nga Daut Dauti
Zbrita nga kali dhe hymë në qytetin plot me pështjellim dhe hidhërim. Përcjellësit e mi u zhdukën. Gjuajtjet me pushkë vazhdonin pa ia nda. Na dërguan në një han të qytetit. Në mënyrë joceremoniale më shtynin shkallëve, kurse Johnny u trajtua me egërsi. Turma mbeti pas nesh. Na dërguan në një dhomë mjaft të madhe ku gjendeshin diku rreth 25 njerëz të armatosur. Unë kisha nevojë të tregohesha se isha në kontroll të situatës, dhe sikur të isha nikoqiri i tyre, u propozova të 25 të armatosurve që të uleshim dhe të fillonim të flisnim për gjërat e përgjithshme.
Ndërkohë ma kishin hapur çantën. Johnny e ruajti qetësinë gjatë tërë kohës dhe me shprehje të pakënaqësisë më tha: ’A e sheh atë njeri? I ka marrë brushat tuaja dhe është duke i krehur mustaqet me to.’ Ky njeri gjigant kishte mustaqe si të fokës. Fola me të në mënyrë shoqërore dhe i thashë: ’Nuk duhet ta bëni këtë’. Ai tha: ’Pse jo, përgjigju?’ Unë u përgjigja: ’Nëse ju vini në vendin tim, unë nuk do t’ua hapja çantën dhe as nuk do t’i përdorja brushat tuaja’. ‘Jo’, tha ai ‘me siguri jo. Unë nuk kam çanta si tuat e as brusha të fildishta’.
Një tjetër, rreth dy metra i gjatë, i armatosur deri në dhëmbë, m’u afrua dhe më foli me zemërim derisa të tjerët po e dëgjonin. Ai më tha:’ Ti je austrian dhe ke ardhë të na e marrësh tokën tonë’. Unë u thashë: ’Nuk kam ardhur për këtë punë. Unë jam anglez dhe Dere-bey (pronarë tokash). Kam shumë tokë timen dhe nuk e dua tokën tuaj. Është punë e keqe sot të jeshë pronarë tokash. Toka, praktikisht, nuk ju sjellë asgjë’.
Gjatë tërë kësaj kohe, jashtë vazhdonin krismat e pushkëve. Një njeri tjetër, shumë i gjatë, i quajtur Ahmet, i cili më vonë u bë miku im, erdhi afër meje dhe më tha: ’Mos ke frikë aspak, qengji im; këtyre njerëzve ju mungon civilizimi, por unë kamë qenë pesë vite në burg në Izmir dhe shtatë në Manastir dhe e di se çka është civilizimi. Këta njerëz janë të egër’.
Biseda u shndërrua në muhabet të përgjithshëm dhe miqësor. Më treguan se sapo e kishin marrë qytetin dhe se populli e kishte vrarë kajmekamin e Beranës i cili po varrosej në ato momente. U dhashë cigare dhe ua tregova pistoletën time Mauser, briskun e rrojës dhe një thikë me kallëp. Ndërkohë, i pyeta pse po vazhdojnë këto krisma pushkësh jashtë? ‘Mos po i vrasin të krishterët? Këtë nuk mund ta duroj’. Ata thanë: ’Jo, janë fëmijët që po gjuajnë me pushkë në ajër nga gëzimi’.
(Marrë nga: The man who was Greenmantle – A biography of Aubrey Herbert)