Rolan Barti (Roland Barthes) njihet si kritik, por më 26 tetor 1977, një ditë pas vdekjes së nënës së tij, nisi ta shkruajë një ditar për zinë dhe pikëllimin. Ky ditar (Journal de deuil – Ditari i zisë) që zgjati deri më 15 shtator 1979, dëshmon lidhjen e fortë që kishte Barti me nënën e vet, pa të cilën nuk e imagjinonte jetën.
Nga Ag Apolloni
Ai pikëllohet, qan, ngashërehet, nuk mund të jetojë pa të, prandaj vendos të jetojë për të, duke shkruar këtë ditar. “Kam nevojë ta shkruaj këtë libër për mamin. Më duhet ta bëj të njohur”. Ai e pranon se ka ende njerëz në këtë botë që mund ta duan, por vdekja e tij tashmë s’do ta lëndonte askënd, thotë, pos vëllait, ndoshta. Për Bartin, ajo ishte gjithçka: “Ç’të humbas tjetër tashmë kur kam humbur kuptimin e jetës sime?” Ai e sheh gjithkund mungesën e saj, e kujton fytyrën e saj, e sheh në ëndrra shpesh, dhe qan. Ai bëhet nervoz kur njerëzit i thonë: jeta vazhdon. “Mami nuk është më këtu dhe kjo jetë budallaqe vazhdon”. Ai nuk e shmang dot neverinë për të pakthyeshmen. Shkon në vendet ku ka qenë me mamin, pastaj ka neveri edhe për shtëpinë: “Si mund të kthehem aty ku ajo nuk është më?” Kur ishte gjallë, “ajo bëhej e padukshme që të mund të shkruaja”. Pastaj kur u sëmurë, “gjatë disa muajve kam qenë nëna e saj”. Tash kur ajo nuk është më, ai shikon borën për dritare dhe qan: “bie borë, por ajo nuk do të jetë kurrë këtu për ta parë”. Qan sa herë i kujtohen fjalët e saj të fundit: “Rolani im, Rolani im!”
Pastaj shton se ajo kurrë nuk e qortonte, nuk i bënte vërejtje, “prandaj nuk i duroj vërejtjet”. Ai bie në një dëshpërim të madh, saqë s’i intereson më të jetë i lexuar nga pasardhësit. Shkon në dyqan për të blerë fruta, dhe një fjalë e shitëses ia kujton mamin që e përdorte aq shpesh atë fjalë, dhe qan. Duke reflektuar mbi pikëllimin e vet, konstaton: ashtu siç e do besimtari Zotin, unë e doja mamin tim. Ndërkohë shfleton albumin, sheh fotografitë me mamin dhe qan (për këto foto, derisa shkruante ditarin, ka shkruar edhe librin-fotografik “Camera lucida”, ku flet gjithashtu për mamin e vet). Pikëllohet në vetmi, e cila, sipas tij, domethënë: “të mos kesh askënd në shtëpi kujt mund t’i thuash: do të vij në filan orë, apo që të mund t’i telefonosh (për t’i thënë): ja, erdha”.
Ditari i Bartit është një libër intim dhe emocional. Ai nuk e botoi sa ishte gjallë. Në fakt, pak muaj pasi e mbaroi, u godit nga një makinë dhe vdiq në spital.
Ky ditar më kujtoi një libër tjetër po kaq emocionues: “Levels of Life” të Julian Barnes, i cili në pjesën e tretë të librit flet për zinë dhe pikëllimin pas vdekjes së gruas së tij. Barthes dhe Barnes nuk duhen lexuar brenda të njëjtit muaj, se mund të pësoni infarkt./ ObserverKult