Nga 15 deri më 18 tetor, në Tetovë është mbajtur Edicioni XXIV i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”.
Përgjatë tri ditëve u mbajtën aktivitete të shumta letrare, artistike, shkencore dhe kulturore. Në te morën pjesë poetë nga vende të ndryshme të botës si: Lidija Dimkovska (Maqedoni e Veriut). Bardhyl Maliqi (Shqipëri), Craig Czury (SHBA), Xhuzepe Napolitano (Itali), Diti Ronen (Izrael), Francoise Roy (Kanada/Meksikë), Nikole Kazhë Florentini (Martinike), Puntorie Muça (Maqedoni e Veriut), Krystina Lenkovska (Poloni), Dalila Hiaoui (Maroko), Olimbi Velaj (Shqipëri), Poul Dabaard (Danimarkë), Elena Prenxhova (Maqedoni e Veriut), Ida di Iani (Itali), Mitko Gogov (Maqedoni e Veriut), Ioana Gruia (Spanjë), Ana Bageriana (Ukrainë), Zosi Zografidu (Greqi), Dimitar Hristov (Bullgari), Daim Miftari (Maqedoni e Veriut), Sofia Skleida (GreqI), Arlind Farizi (Maqedoni e Veriut), Bujar Plloshtani (Maqedoni e Veriut).
Edicionin e XXIV të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” e hapi drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu, i cili në mes tjerash theksoi se ‘Ky është viti i errët për njerëzimin. Pandemia ka përmbysur sistemin dhe kodin e të jetuarit. Ka rritur paqartësinë e të tashmes dhe të ardhmes. Jeta është privuar në masë të madhe nga bukuria e saj. Shoqëria jonë ka momentet e saj më të këqija stresive e depresive’, transmeton ‘koha.net.
Në orën e madhe letrare ‘Globi poetik’, poetët lexuan poezitë e tyre (poetët e huaj në mënyrë virtuale). Ndërkaq, laureatja e Festivalit, poetja maqedone, Lidija Dimkovska, për shkak të pandemisë nuk arriti të jetë në Tetovë. Ajo personave që ishin prezent, përmes videos iu tha se është e lumtur që poezia e saj, është përzgjedhur të shpërblehet me çmimin e lartë ndërkombëtar poetike.
“Asnjëherë deri më tani, nuk kam qenë njëkohësisht aq e lumtur dhe e pikëlluar, në botën e poezisë. Jam e lumtur që sivjet pikërisht poezia ime është zgjedhur të shpërblehet me çmimin e lartë ndërkombëtar poetik që e mban emrin e poetit të madh shqiptar, Naim Frashëri, dhe jam e pikëlluar njëherazi , që për shkak të situatës momentale me virusin e COVID-19 nuk munda të vijë nga Lubjana, ku jetoj, në Tetovë, që të jem me ju. Gjithë këtë kohë kam shpresuar se kjo do të jetë e mundshme dhe i jam gëzuar Festivalit, por tani jam e detyruar të jem prezente vetëm kështu, përmes videos. Por, megjithatë, edhe kjo është më mirë se mungesa e tërësishme nga kjo ngjarje e mrekullueshme”, ka thënë ajo.