Disenjatori shqiptar me famë botërore: Gjithmonë më ka përcjellë origjina. Në çdo koleksion që kam punuar ka pasur qëndisje…

Disenjatori dhe stilisti shqiptar me famë botërore, Izet Curi, flet për rrugëtimin e tij të gjatë në këtë profesion, sukseset dhe bashkëpunimet.

Intervistoi Lindita Canolli-Fejzullahi /ObserverKult

Në cilën moshë është vërejtur se keni prirje për qepje, prerje…pra kur dolën në pah fillet e para të punës së një disenjatori shqiptar që pastaj arriti famë botërore?

Izet Curi: Profesionin e kam filluar në moshën 14-vjeçare ,pas vdekjes së babait tim. Unë vij nga një familje e madhe, e në atë kohë nëna na pati këshilluar që bashkë me shkollën të përfundojmë edhe një zanat.

Dëshira për të ushtruar këtë zanat ka ardhur shumë shpejt. Kjo pasi që nuk kemi pasur shumë mundësi të blejmë veshje të reja që më kanë pëlqyer dhe pata filluar t’i qepi vet.

Një detaj nga sfilata e Izet Curit në Paris në vitet e ’80

Sa ka qenë e vështirë në fillet e juaja të merreni me këtë zanat apo profesion. Kjo duke ditur kushtet si kanë qenë më herët?

Izet Curi: Fillimisht si fëmijë unë kam pasë dëshirë të bëhem muzikant. Më ka pëlqyer shumë kitara, por kushtet ekonomike na kanë shtyrë me u marrë me një zanat.

Cili ka qenë punimi juaj i parë, a ju kujtohet. Si pati dalë rezultati në fund?

Izet Curi: Punimi i parë që kam punuar ka qenë një këmishë për veten time. Sigurisht është kënaqësi e madhe kur e sheh rezultatin e punës tënde në punimet e para.

Ibrahim Kodra, Izet Curi dhe Luan Rama

Ju jeni kosovar me origjinë, keni jetuar në Shkup më pastaj keni vazhduar në Francë ku jetoni edhe sot. Në të tri vendet ju keni hapur shkolla të modës, nga të cilat kanë dalë shumë talente…

Izet Curi: Unë kam punuar edhe si profesor njëkohësisht në shkolla të ndryshme të modës për shumë vite në Paris. Shkollën e parë të modës në Kosovë e kam themeluar në vitin 2004/2005 dhe rezultatet janë të jashtëzakonshme.

Nga ajo shkollë kanë dalë disa prej kreatorëve më të mirë të Kosovës. Lirisht mund të themi se kreatorët e Kosovës sot janë kreatorët më të suksesshëm në Ballkan me të cilët krenohemi të gjithë.

Kjo është një përgjigje që duhet t’i ofrojmë mundësinë të rinjve sepse e ardhmja u takon atyre. Gjithashtu Institutin ndërkombëtar të modës Izet Curi në Shkup, i cili funksionon aktualisht, e kam themeluar në vitin 2014. Jam shumë i lumtur të punoj me studentë nga gjitha trojet shqiptare, por edhe më gjerë.

Izet Curi dhe Christopher Lambert

Me cilët disenjatorë të huaj të njohur e veçoni punën që keni bërë?

Izet Curi: Disenjatorët të cilët do t’i kisha veçuar nga e gjithë karriera ime, me të cilët kam pas një bashkëpunim shumë të gjatë janë Azzedine Alaia dhe Thierry Mugler. Azzedine Alaia, një prej mjeshtërve të mëdhenj të modelizmit të shek.XX. Ndërsa Mugler një avangard i cili ka lënë gjurmë të mëdha në botën modës.

Si e keni vlerësuar apo edhe si e vlerësoni në fillim një student për talentin?

Izet Curi: Nëna ime shpesh më thoshte “Dita e mirë shihet në sabah”. Një pedagog i mirë e detekton shpejt talentin tek studenti. Një student duhet fillimisht të jetë i talentuar dhe shumë i apasionuar, por vetëm kjo nuk mjafton. Bashkë me këto të dyja nevojitet shumë punë dhe angazhim.

Kur ju shohim juve na bien në sy kapelat që mbani, gjegjësisht punimet e tyre. Cila është domethënia?

Izet Curi: Kapelën kam filluar me e mbajtë si 40-vjeçar. Pasi që unë gjithmonë kam qenë i pasionuar pas qëndisjeve, një mik i imi më pati sjellë një kapelë nga Turkmenistani si dhuratë. Pak kohë më pas ai është vrarë gjatë ushtrimit të detyrës si fotoreporter i luftës. Për nder të tij e pata vendosë në varrimin e tij. Prej asaj kohe kapela më ka mbetur edhe është bërë pjesë e identitetit tim.

Izet Curi dhe Richard Berry

A ju ka shkuar ndonjëherë ndër mend ta lini këtë profesion?

Izet Curi: Shumë herë kur kam qenë nervoz ose shumë i lodhur i kam shtruar pyetje vetes se a ia vlen gjithë ky angazhim për profesionin. Por, nga ana tjetër kur e sheh rezultatin final e sidomos punën e studentëve, të cilët me atë që e mësojnë në shkollë kanë arritur suksese dhe janë shumë të kënaqur me punën e tyre, e gjithë lodhja kalon.

A ka ndodhur që ndonjë punim t’mos ju dal siç keni dashur?

Izet Curi: Po para një sfilate ose ekspozitë gjithmonë ka të papritura. Është normale edhe tek profesionistët më të mëdhenj. Tek studentët ato janë edhe më të pranueshme sepse ata janë në fazë studimi dhe duke u profesionalizuar.

Duhet marrë parasysh gjithashtu që në ekspozita marrin pjesë edhe studentë që sapo kanë filluar rrugëtimin e tyre në botën e profesionit.

Izet Curi dhe Richard Berry

Keni stiluar veshje për fytyra të njohura, të televizionit, aktrimit në botë

Izet Curi: Gjatë karrierës sime kam punuar me figura të njohura, prej të cilave mund të veçoj: Sean Connery, Gerard Depardieu, Isabelle Adjani, Richard Berry, Christopher Lambert e të tjerë.

Christopher Lambert, aktor francez-amerikan

Në veshjet që i punoni a ka ndodhur të kërkohen detajet tradicionale. Na flisni më shumë rreth kësaj?

Izet Curi: Gjithmonë më ka përcjellë origjina. Unë jam rritur me gjyshen, nënën dhe motrat e mia, të cilat kanë punuar si të gjitha gratë e asaj kohe shumë punime artizanale tradicionale shqiptare. Në çdo koleksion që kam punuar ka pasë detaje të ndryshme, kombim i ngjyrave ose qëndisje.

Bile edhe me brezin e veshjes kombëtare për burra kam pasë veshur shumë personalitete të njohura në evenimente të ndyshme.

Veshjet zyrtare të pilotëve të elitës franceze

Cili është projekti më me zemër që keni punuar përgjatë rrugëtimit të gjatë si kreator?

Izet Curi: Projekti që e kam pasur më për zemër dhe i cili më ka impresionuar ka qenë bashkëpunimi për krijimin e veshjeve zyrtare të pilotëve të elitës franceze.

Detaje nga sfilatat e Izet Curit të viteve ’80 në Paris

Për momentin a jeni duke punuar ndonjë projekt që ia vlen t’i ndani detajet me lexuesit tanë?

Izet Curi: Projekti për të cilin po punojmë për momentin është sfilata dhe ekspozita e fundvitit me punimet e studentëve të Institutit të modës Izet Curi, të cilat këtë vit po ia kushtojmë Thierry Mugler, stilistit të njohur francez.

Sfilata do të mbahet më 30 qershor në Pallatin e Operas dhe Baletit në Shkup. Në ditët në vazhdim do të hapet ekspozita me po të njëjtat veshje në të njëjtin vend.

Porosia juaj për entuziastët e modës?

Izet Curi: Porosia ime për fund është që të gjithë të rinjtë që kanë pasion modën le të angazhohen dhe të punojnë fort për t’i arritur ëndrrat e tyre.

ObserverKult


Lexo edhe:

AURELA GAÇE: KAM KUPTUAR SE TROFEU I VËRTETË ËSHTË PIKËRISHT DUARTROKITJA E PUBLIKUT!

ObserverKult