Djali gjarpën

(Cërnushë, Shala e Mitrovicës)

Hej m’ish kanun Arnaut Osmani,
Tetdhetë vjet-o me dit i kish pasë.
Djalë as çik-o zoti s’i kish falë:
shum merzitë Osmani kâka kanë
e me t’shoqen dert ai qi p’e ban:
-Djalë as çik-o zoti nuk na fali.
Ne shum mall, bre, zoti na ka falë.
mirazxhit-o kët mall do ta dajnë,
mue shpirtin kanë, tha, me ma marrë.
Qyr e shoqja gajret i ki dhanë:
-Zoti e ka, bre, rahmetin e madh.
E nandë muej me dit kur u banë,
zoti’i gjarpën qaty jau kish falë.
E shtatë vjet-o gjarpni kur po i ban.
-A po ngon, ti, i thotë, mori nanë,
për martesë-o, nane, unë jam ba!
Shum selam, ti, babës-o me i ba!
Në Stamboll-o baba për me shkue,
e me shkue tu sulltan Sulejmani.
Paj ni çikë sulltani qi e ka,
baba çikën për mue me ja lypë.
Qyre nana e vet se çka bani:
po i kallxon-o Arnaut Osmanit.
Qyr Osmani mejherë ishte çue,
marrke udhën për Stamboll me shkue
e po shkon tu Sulltan Sulejmani.
Ni konak tu sulltani p’e ban.
-A po ngon ti, Sulltan Sulejmani,
a e din hiç n’kullë unë ça t’kam ardhë?
Jam ardhë çikën, sulltan, me ta lypë.
Zoti ‘i gjarpën mua ma ka falë.
Me gojë t’vet-o gjarpni ktu m’ka çue
çiken t’ande, more, me ta lypë.
Qyr ça thot, heu, Sulltan Sulejmani:
-Une çiken, Osman, po ta épi
n’kofsh i zoti me ba qysh t’tham une:
krejt pajtoni dukat me flakue,
stomit udhës lulat e xhenetit,
kthjellt si loti havaja me kanë
edhe tokën shiu-o m’e lagë.
Asht nalë pak Osmani m’u kujtue.
-Punë të râna, thot-o, kto qi janë.
Ni rahmet-o prej zotit po i vjen-
si ka dit-o zoti ashtu m’e falë,
kto murate munet me ja dhanë.
-Shtréje dorën për hajr me ma ba!
Ai n’at vend-o çikën ja ki dhanë
e për hajr-o, besa, po m’ja ban.
Dy javë vaden qaty qi p’e dajnë.
For’ me qef-o pej shpije po shkon.
Gjashtqin krushq Osmani po i tubon,
dy pajtonet, more, po i shtërngon.
Ardhke vadja, për udhë po i tfillon,
në Stamboll-o kryshqit po m’i çon.
Çka me pa, bre, tha, e çka me ndi!
Zoti e ka-o rahmetin e madh,
fjált  sulltanit po ja çon në vend-
kthjellt si loti havaja â kanë,
tokën shiu, more, p’e vadit,
stomit t’udhës lulat e xhenetit,
krejt pajtonat n’dukat u flakuen.
Fjala n’vend-o sulltanit i shkon.
Qaty nusen, heu, e paskan marrë,
për Klladush-o udhën e tfillojnë,
shnosh e mir-o të tanë qi po shkojnë.
Vjen akshami , besa, tu’ u terrue,
ardhke vakti dhanrin n’sobë m’e çue.
Nana e vet-o qyr ça kish marue:
n’zavijaç-o gjarpnin po ma qet,
përmi ark-o, qaty po ma len,
përmi ark-o, qaty mi jorgana
edhe derën, besa, po m’jau mshel,
nuse e gjarpën bashkë vetëm po i len,
për ni bire po kqyrke në derë.
Qyre gjarpni, heu, ça kish marue:
gishtin n’gojë qat’herë e kishte çue
edhe lkurën gjarpni po m’a désh.
Ça me pa, heu, djal-o shum i mirë!
Nana e vet-o me sy kur p’e sheh,
sa fort qefi nanës ju marue,
fort e ngrata nan- kâka gzue,
tu Osmani çpejt-o  kâka shkue.
-A po ngon ti, Arnaut Osmani!
Ti m’e pa, bre, çfarë djali qi kishim,
mêt pej qefi, mor, ty të lanë!
Fort u gzojke, Arnaut Osmani.
Si telall-o n’për krushqi bërtet,
nëpër tanta sa munet po thrret:
-Kush asht ardh-o n’darsëm e gjymysh
edhe tri ditë knena  mos m’u çkepë,
na do t’bajm-darsëm e gjymysh!
Nusja e djali kanë nejtë sa kanë nejtë.
Kur po don djali me ra me flejtë.
-A po ngon, moj çika e sulltanit!
Nana heret nestra-o kur t’vjen,
rue se derën ti asaj ja çel
mue gjumin ti për pa ma nxjerrë!
E ty dy në gjum-o qi po bien.
Nana e vet-o gjith natën s’po flen.
kur e fali zotyn-o sabahin,
heret nusja besa kâka çue.
Nana n’der-o qaty kâka shkue:
Çilma derën, oj loke, ti mue!
Mejherë derën qaty ja kish çelë,
Djali flejtun hala m’ishte kanë.
Nana e vet-o at’herë ça po ban:
at lkurë gjarpni nana e kish marrë,
duç në zjerm-o nana e kish qitë.
Qaty lkura, medet, ishte djegë,
erë e rân-o lkures po m’i vjen.
Se në gjumë-o djali érn e nien,
mejherë gjumi djalit po m’i del
e të madhe po zen e bërtet:
-Mori nane, po i thotë, haj medet!
M’a p’e sheh, moj nane, ti ça m’bane?
Sod mue dekën, nan-o, ti ma prune.
Unë jetë,tha, sod-o kam me nrrue.
Shko tu baba, ktu babën m’e prue,
unë me tâ sod du m’u hallashtisë.
N’teneshir-o djali kâka ra
e meleq ai te zoti po shkon,
rixhê t’madhe tu zoti po ban.
katërdhetë vjet ymër jau kish dhanë,
e me t’shoqen qat kohë kish jetue.
s’di a â kanë, more, a nuk â kanë:
kshtu kam nie e kshtu po jau kallxoj.

*Shkëputur nga libri “Balada dhe legjenda”, botim i Institutit Albanologjik të Prishtinës, 1974
Përgatiti:
ObserverKult


mbreti

Lexo edhe:

JU KUJTOHET PËRRALLA PËR MBRETIN LAKURIQ…

Na ishte njëherë një mbret dhe një mbretëri. Mbreti kishte oborrtarët dhe shërbëtorët e tij, po ashtu kishte edhe pasuri të cilën e kishte marrë nga mbretëria dhe populli i tij që jetonte në varfëri.

Po afrohej festa e mbretërisë së tij. Mbreti kishte vendosur që atë ditë të vishej më bukur se çdoherë gjatë jetës. Kishte kërkuar rrobaqepësit më të mirë, më të njohur nga e gjithë mbretëria, por nuk ishte i kënaqur. Nisi të kërkojë edhe nëpër botë.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult