Një nga pikturat më të famshme të piktorit Caravaggio, “Djali i kafshuar nga një hardhucë”, u ekspozua në Romë ndërsa një ekspozitë e re mbi mjeshtrin e vjetër italian u hap të martën në muzeun ”Capitolini”.
“Piktura mund të ketë një kuptim alegorik dhe ndoshta i referohet dhimbjes që mund të rezultojë nga dashuria”, thotë Galeria Kombëtare në Londër, që zotëron një version të pikturës.
Një tjetër version i “Djali i kafshuar nga një hardhucë”, pjesë e koleksionit të historianit të artit italian, Roberto Longhi, është në qendër të ekspozitës në Romë.
Shfaqja, e gjitha nga koleksioni personal me qendër në Firence, përfshin rreth 40 vepra të tjera nga piktorë të shekullit XVII, të frymëzuara nga Caravaggio, transmeton BW.
”Ekspozita me pikturat e Caravaggios shënon një sezon të ri ekspozitash pas kësaj periudhe bllokimi dhe është një mënyrë e shkëlqyer e rihapjes së dyerve të muzeve tona”, deklaroi kryebashkiakja e Romës, Virginia Raggi në një deklaratë për shtyp.
Caravaggio (1571-1610) është i njohur për përdorimin e tij revolucionar të “chiaroscuro”, një teknikë që përfton një realizëm të fortë duke hedhur dritë dhe hije në mënyrë dramatike.