Kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranës, në pallatin e projektuar nga Maks Velo, aty ku kanë jetuar Dritëro Agolli, Ismail Kadare dhe Feim Ibrahimi i është shtuar një mural. Artisti i rrugës Franko Dine rrëfen konceptin e tij për bibliotekën e dy shkrimtarëve dhe partiturën e kompozitorit.
Në rrugën e “Dibrës”, në pallatin e projektuar në vitin 1972 nga arkitekti i njohur Maks Velo, ku për vite të tërë gjatë regjimit komunist dhe demokracisë kanë jetuar tre kolosët e kulturës shqiptare, dy shkrimtarët Dritëro Agolli, Ismail Kadare edhe kompozitori Feim Ibrahimi është realizuar një mural. Murali ka në qendër një bibliotekë me libra të dy autorëve, edhe të klasikëve botërorë, por dhe një partiturë muzikore të Ibrahimit.
Përveç librave një glob, një mace dhe një skulpturë, janë elementët që përbëjnë muralen e realizuar nga dekori i kryeqytetit nën drejtimin e Henri Çules edhe artisti i rrugës Franko Dine, që do të tërheqin vëmendjen e çdo kalimtari vendas edhe të huaj.
“Menduam, se ne kemi këta autorë tanët që i vlerëson gjithë bota. Përse jo kjo murale, të mos të jetë një homazh për gjurmët që kanë lënë. E bëmë në kohë rekord, sepse donim të kapnim datëlindjen e Agollit, edhe pak më vonë edhe të Feim Ibrahimit”, shpjegon drejtori i dekorit në bashkinë e Tiranës, Henri Cule.
Në këtë murale, në të majtë të bibliotekës është edhe portreti i Agollit e ndërsa në të djathtë të saj i Kadaresë. Nuk mungon as fotografia e arkitektit të ndjerë Maks Velo.
“Duke qenë pallati i tyre, më thanë të bëja diçka dhe duke qenë se vet ata janë shkrimtarë, biblioteka u përshtatej dhe qëndronte më mirë me veprën e tyre”, thotë Dine.
Dine, i cili numëron disa vepra murale në kryeqytet ndalet veçanërisht tek koncepti i tij, edhe tek arsyeja, se përse në vend të fotos së Ibrahimit ka zgjedhur një partiturë muzikore me nënshkrimin e kompozitorit
“Unë e mendova, si për veten time. Një partiturë do të ishte shumë më e rëndësishme, sesa fotoja. Prandaj thashë, që të vëmë një vepër të tij, prandaj kam vënë një partiturë muzikore me firmën e tij”, shprehet Franko Dine.
Pas muzeut vendor, “studios Kadare”, që prej një viti i është shtuar bashkisë së Tiranës, edhe familjarët e Agollit kanë mirëpritur idenë, që shtëpinë e shkrimtarit ta kthejnë në muze./shqiptarja.com