Do na dëmtojë më shumë fjala “luftë” sesa lufta vetë

Nga Erjon Uka

 Një fjalë e re është imponuar në komunikimin publik prej pak javësh dhe tani po kthehet pjesë e leksikut normal. “Paga e luftës”, lexova në disa titra. “Paketa e rimëkëmbjes nga lufta”, diku tjetër. “Masat e jashtëzakonshme të luftës”, thoshte dikush. Fjala “luftë” është kthyer në metaforën e përballjes së Shqipërisë, por edhe të shumë vendeve të tjera, me pandeminë globale të Covid-19. Por nëse në ditët e para e pranuam dhe madje insistuam shumë që të gjithë ta pranonim për të kuptuar seriozitetin e situatës, tani po bëhet disi shqetësuese.

Metafora mund të ndihmojë për të kuptuar më mirë në një fazë fillestare rëndësinë e problemit dhe fushatën e ndërmarrë, por më pas, si në orën e letërsisë në gjimnaz, duhet të fillojë zbërthimi i saj. Komunikimi publik nuk mund të vijojë afatgjatë i bazuar në metafora, sepse nga një mekanizëm emergjent për kuptimin e mesazhit nga masa, shndërrohet në keqkuptim dhe keqinformim. Metafora mund të shërbejë si katalizatori për shpejtimin e procesit kimik të njohjes së problemit për masast, por kjo nuk është arsye që ajo të kthehet në bërthamën e gjuhës zyrtare.

Sigurisht që përballimi e tejkalimi i pandemisë mbetet problemi më akut, që i duhet dhënë zgjidhje. Por sado të frikshme të jenë shifrat e të vdekurve, historitë njerëzore dhe vala e përhapjes, a mjafton kjo për të mbyllur sytë? Nëse akute është zgjidhja e situatës aktuale, problemi kryesor është: Çfarë do të vijë më pas?

Sepse lufta mund të shërbejë si mekanizëm justifikimi dhe krijimi alibie për gjithçka. Prej luftës Franklin Delano Roosevelt është presidenti i vetëm amerikan me katër mandate dhe historia tregoi se ky ish fat i mirë, por duke u justifikuar me “luftën” sot Victor Orban po përforcon autoritarizmin e tij në Hungari, dhe ky është fat i keq. Masa të jashtëzakonshme në periudhën e së ashtuquajtur luftë, kanë rrezikun që të shërbejnë si precedent për veprime po kaq të jashtëzakonshme në të ardhmen. Nuk mund të futet fjala luftë në terminologjinë e përditshme të komunikimit publik me lehtësi kaq të padurueshme!

Nga ana tjetër, duke i qëndruar pyetjes se çfarë do të vijë më pas, mendoj se do të vijë periudha e rehabilitimit dhe e fillimit të ringritjes. Por pikërisht për shkak të mataforizimit me luftën, a kemi garancinë që shumë kompani private ku janë të punësuar mbi gjysmë milioni shqiptarë nuk do ta përdorin “luftën” si alibi për justifikimin e përgjysmimit të pagave? Për vonesat e pagave? Për pezullimin e kontratave? Për shkurtimet nga puna? Dhe nëse i përdorin, dikush duke përdorur të drejtën e sipërmarrjes për të mbijetuar dhe të tjerë me alibinë e luftës, kush do t’i mbrojë? Shteti ynë që me siguri do ta kthejë fokusin në një problem tjetër akut që do duhet zgjidhur, kontratat inekzistente kolektive apo ushtria e padukshme e organizimeve sindikale?

Publiku nuk duhet vetëm t’i mbijetojë këtyre situatave, por edhe duhet të mësojë nga to sepse dallimi që ka njeriu nga gjitarët e tjerë është kujtesa historike dhe aftësia për të riorganizuar veprimet e tij në bazë të saj. Shihni historinë: gjithmonë e kanë pësuar popujt ose njerëzit që nuk e kanë përdorur këtë aftësi.

Prandaj kemi shansin që fjalët “pandemi”, “epidemi”, “sëmundje”, “virus” t’i kthejmë në po aq të rrezikshme sa edhe fjalën luftë. Nëse këtë gjë do ta kishim bërë shumë më herët, me siguri që vëmendja do të kishte qenë shumë më e madhe jo thjesht ndaj dëshmive të atyre pak stërgjyshërve që i shpëtuan gripit spanjoll por, fjala bie, edhe ndaj paralajmërimeve konkrete si fjalimi i vitit 2015 në TedTalks i Bill Gates dhe ai i vitit 2017 në Konferencën e Mynihut.

“Objektivi themelor i luftës është fitorja, jo aksionet e zgjatura”, shkruan Sun Tzu tek “Arti i Luftës”. Ndërsa ne në Shqipëri, por edhe në Itali, në Spanjë, në Hungari dhe më gjerë, po themi njëkohësisht që jemi në luftë, por nuk kemi as idenë minimale se sa do të zgjasë. “Kjo i demoralizon ushtarët”, shkruan sërish Sun Tzu.

Lufta nxit panik, si supermarketet e tejmbushura të fundjavës; Lufta nxit pasiguri, si lotët e gjyshërve që nuk e dinë nëse do të dalin nga shtëpitë për të blerë ushqim ose jo; Lufta nxit ankth, dhe nuk e shuan dot asnjë slogan që thërret për shumë kujdes e për pak frikë; Lufta nxit përçmim ndaj njëri-tjetrit, siç shohim në komunikimet virtuale; Lufta, mbi të gjitha, është një përpjekje për të ruajtur gjendjen fillestare, ndërsa kjo situatë po na bën të reflektojmë se ka ardhur koha që plot gjëra të ndryshohen: nga zakonet e përditshme, te ndërtimi i marrëdhënieve, te politikat lokale ekonomike apo politikat globale klimatike, e deri te vetë globalizimi dhe aleancat strategjike.

Situatat kanë nevojë tashmë për emrat e tyre. Kjo nuk është një luftë, është një pandemi. Dhe pandemia nuk është hiç më pak e rëndë se lufta, nuk është aspak më e lehtë për t’u përballuar se lufta. Por është pandemi, jo luftë.

Kam besuar që në fillim të kësaj situate se kjo nuk është flama më vdekjeprurëse që ka parë bota në historinë e saj, ndërsa njeriu është në pikun më të lartë të aftësive shkencore dhe teknologjike për të ardhmen. Boll rritet frika nga shifrat në Itali dhe në Spanjë, nga dëshmitë e të sëmurëve dhe nga duart e skuqura të mjekëve; nuk ka hapësirë për më shumë panik e ankth nga lufta.

Sa më shpejt t’ia nisim për gjetjen e përgjigjes, aq më të qartë do të jemi: Çfarë do të vijë më pas?/ ObserverKult