
Përkitazi me shfaqjen “Bungiorno”, autore dhe regjisore Edina Mustafiç Avdiu, sipas motiveve nga filmi “I panjohuri” i Paolo Genuovese
Nga: Agron Gërguri
Komedia si zhanër që, jo rrallë në skenat tona, “përkthehet” në parodi si përpjekje për t’ju vardisur spektatorit, në të shumtën e rasteve ka arritur efektin e kundërt dhe në vend se të peshkoj spektatorin e ka larguar atë duke mos e lënë të shijoj bukuritë shprehëse të komedisë dhe teatrit.
Derisa po shikoja shfaqjen “Buongiorno” spontanisht u ktheva te ato vlera të nënqeshjes dhe dramaticitetit që përfaqëson komedia e cila nxjerr jashtë me delikates elementet e tragjedisë të cilat i ka brenda, ashtu siç shumë herë prapa buzëqeshjes është loti dhe kjo është e bukura e përjetimit artistik.
Shfaqja kishte për temë aktualitetin apo më saktë jetën virtuale të cilën e bëjmë përmes celularit. Në një festë ditëlindje mysafirët, të gjithë miq, për të bërë një lojë dakordohen të nxjerrin telefonat në tavolinë dhe obligohen që çdo thirrje a mesazh ta bëjnë të ditur për të gjithë. Gjetje e bukur për të zbuluar fshetësitë, vardisjet, e afinitetet seksuale të panjohura për qiftet që ishin në festën e ditëlindjes ku shpesh grimohen karakteret duke investuar në përshtypje.
Përmes mikro situatave, duke përfillur ligjet e komedisë, të vërtetat dilnin në pah befasisht, papritshëm ashtu që shkaktonin tension dhe zhvillonin ritëm por nuk paraqisnin ndonjë dëm kolateral dramatik për ate çka zbulohej aty si ves, dëshirë apo marrëdhënie e panjohur për partnerët.
Rastet edhe pse zbulohen, ato trajtohen dhe mbulohen me të qeshura deri në momentin kur dy miq nga frika se po zbulojnë diçka që nuk do të duhej, ndërrojnë celularët, ky veprim pastaj krijon një nyeje dramatike e cila rezulton me zbardhjen e një të vërtete se njëri nga ata është “gej” apo siç stigmatizohen pezhorativish “bulash”.
Situata bëhet tragjikomike por mesazhi për barazi midis të ndryshmëve del i qartë duke amortizuar stereotipet e trajtimit të kësaj kategorie me orientim seksual tjetër. Spektatorët e përshendeten me duartrokitje mesazhin njerëzor dhe sigurisht interpretimin e kastës së aktorëve ku violina e parë ishte Bashkim Alaj i cili me temporitmin e interpretimit brenda karakterit pa u lëshuar në bravura e shprehje eksplicite të cilat publiku njëherë i pëlqen pastaj i pshtynë, i dha intonim komik shfaqjes duke operuar brenda temës së shfaqjes pa egzagjerime të panevojshme. Edhe aktorët tjerë: Albana Zeçeviç, Armend Zeqiri, Blerta Kurti, Arbër Seferi, Amira Demiri dhe Muho Uruçi tipizuan saktë karakteret e ndryshme të cilat i kishte thurur mizanskenisht bukur regjisorja Edina Mustafiç Avdiu e cila është edhe autore e tekstit bazuar në film italian “Të panjohurit” regjisor Paolo Genuovese.
Regjisura e Edinës është minimaliste e padukshme e bazuar kryesisht në veprime foljore por që edhe veprimet fizike ishin në korelacion harmonik me trajtimin e temës duke deshifruar përmbajtjen e “kutisë së zezë” që fsheh celulari duke sinjalizuar “rrezikshmërinë” që përmbanë jeta e dyfshit, apo si një provë e të jetuarit ndryshe.
Skenografia e Jetmira Hoxhës (edhe kostumografe) ishte festive e dukshme dhe funksionale. Një tavolinë e gjatë që ngjante në darkën e fshehtë korrespondonte figurativisht bukur me të fshehtat që nxirreshin në shfaqje e të cilat amortizoheshin me një sinqeritet teatror i cili në jetën reale shpesh na del si sinqeritet i deklaruar, jo se është i vërtetë.
Këtë dualitet në raportet tona me të tjetër dhe me veten e detekton bukur shfaqja.
Në përgjithësi komedia “Boungiorno” ishte një freski artistike në Teatrin DODONA i cili ishte i mbushur me miq e dashamirë të Teatrit e ndër ta ishin edhe ambasadorët e Shqipërisë, Petrit Malaj dhe Malit të Zi, Bernard Çobaj, për të cilët producenti i shfaqjes Munib Abazi ndau disa suvenirë si mirënjohje për prezencën e tyre në shfaqje pa e harruar as Arta Muçajn drejtoreshën e Dodonës e cila falenderoj trupën nga Ulqini për ngrohtësinë që sollën me një shfaqje të realizuar bukur e cila sa relakson aq edhe vëmendson me temën dhe mënyren se si e trajton atë.
Shenja më e veçantë dhe premtuese e kësaj shfaqje ishte se Ulqini po bëhet me Teatër që është një investim i rëndësishëm për ruajtjen e identitetit kulturor dhe kontribut për zhvillimin e Teatrit si art. Kjo kastë e aktorëve e aktoreve si dhe gjithë produksioni ishin argument se ky Teatër mund të bëjë jetë. Sidomos impononte përkushtimi dhe dashuria me të cilën iu kishin qasur punës gjithë produksioni i shfaqjes “Bungiorno” drejtuar nga Munib Abazi, producent.
Shfaqja jepet sonte në Teatri “Migjeni” Shkodër.
ObserverKult









