Poezi nga Odhiseas Elitis
Mbart shijen e furtunës në buzë – Po ku bredh,
tërë ditën e ditës në ëndërrimet e shkëmbit dhe të dallgëve.
Një stuhi triumfatore zhveshi bregoret.
Zhveshi vullnetin tënd deri në palcë.
Dhe bebet e syrit tënd rrëmbyen shkopin e Lubisë,
duke e shkumëzuar kujtesën me urrejtje!
Ku është e përpjeta e njohur e shtatorit të vockër,
tek ledhi i kuqerëmë ku ti lozje, duke veshtruar tëposhtë,
pubisët epshëndjellëse të vajzave të tjera,
qoshkat, ku mikeshat e tua linin togje buqetash rozmarine.
–Po ku bredh,
tërë natën e natës në ëndërrimet e shkëmbit dhe të detit.
Të thoshja, mes lakuriqësisë së ujit numëroi ditët vezullore,
dhe me fytyrën të kthyer nga dielli gëzo agimin e mrekullive.
Ose, turrju sërish fushave,
me një rrezatim tërfili mbi gjoks, në një metrikë të vargëzuar.
Mbart shijen e furtunës në buzë,
dhe një fustan të kuq, ngjyrë alle,
thellë, në atë ngjyrën e praruar të beharit.
Dhe aromën e zymbylit – Po ku bredh?
Duke u endur brigjeve, gjirëve plot guaska.
Eh, po u gjend atje një lule kripe e ftohtë.
Por ca më thellë një ndjenjë njerëzore e përgjakur,
dhe ti e habitur, duart ngrite lart duke britur emrin e tij.
Duke u ngjitur lehtësisht nga kthjelltësia e thëllësive.
Deri sa shkëlqeu i yti yll i detit.
Dëgjo mirë, fjala mbetet urtësia e fundme.
dhe koha është skulptori më i çmendur i njeriut,
dhe dielli qëndron mbi të, përbindësh shprese,
dhe ti afër tij shtrëngon një dashuri,
duke mbartur shijen e hidhur të detit të trazuar në buzë.
Nuk është koha për të llogaritur, bleroshe gjer në gen,
një tjetër verë.
Që të ndryshojnë rrjedhën lumenjtë,
dhe të të shpien gjene tek mëma e tyre,
edhe të puthesh të tjera qershi,
ose të shalosh erën e harbuar të veriut.
E ngujuar mes shkëmbinjve, pa të shkuar dhe pa të ardhme,
mes rrezikut të rrëpirës, nën tërbimin e stuhisë,
do t’ i thuash lamtumirë enigmës tënde.
Shqipëroi: Arqile Garo
*Titulli i origjinalit: “Marina e shkëmbinjve” nga Odhiseas Elitis
————————-
Lexo edhe:
ObserverKult