Doja të harroja… të harroja gjithçka…

Nga: Svetlana Aleksieviç

Monolog mbi nevojshmërinë e kujtimit

«Dhe ju keni vendosur të shkruani për këtë çështje?
Të shkruani për këtë? E megjithatë, nuk do të doja që dikush ta dinte ç’ndiej… Ç’kam ndier atje… Por nga ana tjetër, kam dëshirë të hapem, t’i tregoj të gjitha deri në fund. Por prapë, e ndiej se kjo do të më zhveshë lakuriq dhe nuk dua…
Tek Tolstoi, Pjotër Bezukovi ishte aq i tronditur nga lufta, saqë kish ndjesinë se kishte ndryshuar një herë e përgjithmonë, ashtu si bota rreth e përqark. Por me kalimin e kohës, fillon të thotë me vete: “Do të vazhdoj ta ngacmoj karrocierin tim, si më përpara; do të shfryj i pakënaqur, si më përpara. “Atëherë, përse kujtohen njerëzit? Për të rivendosur të vërtetën? Drejtësinë? Për t’u çliruar dhe harruar? Ngaqë e kuptojnë se kanë marrë pjesë në një ngjarje të jashtëzakonshme?
A mos kërkojnë të strehohen tek e kaluara? Por kujtimet janë të brishta, kalimtare, nuk formojnë një dije të saktë, por më tepër atë që njeriu e zbulon mbi veten. Nuk jam ende njohuri, vetëm ndjenja.
Ndjenja ime… Jam munduar dhe kam rrëmuar në kujtesën time, dhe jam kujtuar…
Jam kujtuar për gjënë më të tmerrshme që më ka ndodhur në fëmijëri… Lufta…
Më kujtohet, fëmijë, se kam luajtur me “babi dhe mami”: I zhvishnim bebet-fëmijët e parë të lindur pas luftës- dhe i shtrinim mbi njëra-tjetrën… I gjithë fshati dinte gjithçka mbi to, fjalët që i kishin mësuar, kohën kur i kishin hedhur hapat e parë, sepse fëmijët kishin qenë të harruar gjatë luftës. Ne prisnim shfaqjen e jetës. Lojën me “babi dhe mami”: donim të shihnim shfaqjen e jetës… Dhe ne s’ishim më shumë se tetë apo dhjetë vjeç.
Kam parë gjithashtu një grua duke vrarë veten, në gëmusha, pranë lumit. E qëllonte kokën me një tullë.
Ishte shtatzënë me një bashkëpunëtor të Gjermanëve, që i gjithë fshati e urrente. Kur isha ende fëmijë, kam parë duke lindur kotele. Kam ndihmuar nënën time që të tërhiqte viçin gjatë pjelljes, dhe ia kam çuar edhe dosën derrit… Më kujtohet… Më kujtohet im atë i pushkatuar, të cilin po e sillnin në një triko të thurur nga nëna ime. Duhet ta kishin vrarë me një breshëri mitralozi sepse nga trikoja dilnin copa mishi të përgjakura. E shtrinë në shtratin e vetëm të shtëpisë. S’mund ta vendosnim gjetkë. E varrosëm përpara shtëpisë. Dhe toka nuk ishte aq e lehtë: ishte ajo, argjilore, e rrënjëve të panxharëve. Bëhet luftë në rrethina. Kufoma njerëzish dhe kuajsh dergjeshin nëpër rrugë…
Këto kujtime më duken aq tabu sa nuk kam folur kurrë me dikë…
Asokohe e shihja vdekjen në të njëjtën mënyrë si lindjen. Çlirimi i viçit apo koteleve, shkaktonte tek unë ndjenja të ngjashme me ato që i kisha gjatë vetëvrasjes së gruas në gëmusha… Nuk e di mirë arsyen, por më dukej e njëjta gjë… Lindja dhe vdekja.
Që nga fëmijëria, më kujtohet era e derrit që theret. Nuk duhet shumë gjë që të kthehem sërish aty, që të bie… Në makth… Në tmerr… Fluturoj…
Më kujtohen disa gra që na shpinin në banjo, kur ishim të vegjël. Pjesët gjenitale të të gjitha këtyre grave, përfshirë dhe të nënës sime, vareshin (ne e kuptonim tashmë) dhe ato e fashonin vaginën për ta mbajtur. E kam parë këtë… Pjesët gjenitale binin për shkak të punës shumë të rëndë. Nuk kishte burra. Humbjet në front kishin qenë të ndjeshme. Dhe as kuaj nuk kishte.
Gratë ishin të detyruara t’i tërhiqnin vetë qerret.
Lëronin arat dhe fushat e kolkozit. Ndërsa i rritur, kur kisha marrëdhënie me to, më kujtohej ç’kisha parë në banjo.
Doja të harroja… Të harroja gjithçka… Mendoja se i kisha jetuar tashmë gjërat më të tmerrshme… Luftën …
Dhe pastaj kam vizituar zonën e Çernobilit. Kam vajtur disa herë…Dhe aty kam kuptuar se nuk isha i mbrojtur. Jam duke u shkatërruar. E shkuara ime nuk më mbron më, atje…»


                                                                                            Piotër S.,psikolog

*Shkëputur nga libri i Svetlana Aleksieviç: “Zëra nga Çernobili”

Shqipëroi: Urim Nerguti

Përgatiti: ObserverKult