Sikurse edhe edicionet e shkuara, sërish këtë vit festivali i filmit DokuFest vjen edhe në Tiranë. Ky festival këtë vit ka 20-vjetorin e zhvillimit të tij.
DokuFest në bashkëpunim më Platformën e Artit Bashkëkohor Harabel, mbrëmjen e datës 28 korrik në orën 20-30 në ambientet e fushave të tenisit pranë Liqenit Artificial të Tiranës ka shfaqur disa prej filmave të programit të ri të vitit 2021.
Tematika e këtij viti dhe këtij edicioni është “Re:set Re:mix Re:act” , përbërë nga tri fjalë të cilat në qendër kanë si nocion shkronjat RE në rrënjën e tyre, me të cilat festivali do të eksplorojë aspekte të shumta në kontekstin e botës që rishfaqet nga pandemia dhe (ri)imagjinon veten në një situatë të re.
Filmat që u shfaqën mbrëmë për publikun ishin, “Bushi – Hana Sedoli & Ben Gorani, Kosova, 2021”, “More Than Two Hours – Ali Asgari, Iran, 2013″, In Between – Samir Karahoda, Kosova, 2019”, “Vever (For Barbara) – Deborah Stratman, USA, 2019”, “Push This Button If You Begin To Panic – Gabriel Böhmer, UK, 2020”.
Edicioni i 20-të i DokuFest do të zhvillohet edhe në qytetin historik të Prizrenit dhe në platformën online në datat 6-14 gusht 2021. Nga një numër rekord i mbi 3.000 aplikimeve, festivali do të prezantojë 106 filma nga 60 vende të ndryshme të botës të cilët do të konkurrojnë në 8 kategori garuese, duke shfaqur disa nga dokumentarët më të mirë, si dhe një koleksion të shkëlqyer të filmave të shkurtër dhe atyre eksperimentale, të prodhuar kohëve të fundit, duke e bërë atë platformën më të madhe të shfaqjes së filmave në vend.
Në mbyllje të kësaj mbrëmje të veçantë pati edhe një bashkëbisedim ndërmjet drejtuesve të festivalit dhe publikut të pranishëm, gjithashtu u shpalos edhe programi i edicionit të XX të festivalit Dokufest./ATSH
LEXO EDHE: “DokuFest”, 106 filma nga 60 vende të ndryshme të botës