Doli nga shtypi “Fjalor i veprës letrare të Martin Camajt”

Prof. dr. Begzad Baliu – Prof. dr. Bahtijar Kryeziu – Prof. dr. Petrit Kotrri, FJALOR I VEPRËS LETRARE TË MARTIN CAMAJT, Prishtinë, 2022, f. 413.

Në Parathënin e botimit veç tjerash autorët theksojnë:


Në tërësinë e pasurisë leksikore, vendi kryesor është pasuria gjuhësore e krijuar nga populli. Kur kjo gjë përdoret e zhvillohet aq mjeshtërisht nga shkrimtarët. Siç është rasti i autorit që kemi marrë në shqyrtim, përbën një gurrë popullore që nuk shuhet kurrë dhe që i shërben pasurimit të gjuhës letrare.

Punën tonë për një përmbledhje të Fjalorit të fjalëve, emrave dhe vendeve nga vepra letrare e Martin Camajt. Siç kanë bërë studime edhe disa autorë të tjerë për gjuhën e At Gjergj Fishtës, E. Koliqit, A. Pipës etj. , e shikojmë si një ndihmesë modeste për studimet në këtë fushë.

Ne jemi duke ofruar në këtë libër fjalë dhe pasuri leksikore të shqipes të përdorura nga Martin Camaj në veprën e tij letrare, fjalë të përdorimit të zakonshëm, me kuptime dhe ngarkesa të ndryshme semantike, fjalë të rralla dhe shprehje të bukura, fjalë nga toponomastika dhe onomastika, shprehje frazeologjike etj. , si një mundësi të mirë për të dëshmuar atë që është thënë edhe nga shumë studiues, se leksiku i shqipes është më i gjerë nga çfarë është paraqitur dhe se ekzistojnë mundësi të mëdha për ta pasuruar më tej.

Mbështetja në veprat e shkruara, siç kemi bërë ne objekt atë të Martin Camajt, e cila mbështetet përgjithësisht dhe kryesisht në leksikun dialektor, na bën të gjykojmë dhe të pohojmë se leksiku i shqipes duhet ta bëjë të vetën këtë pasuri. Fjalën e kemi për studimin e mëtejshëm që duhet t’i bëhet leksikut të gjuhës letrare të ngritur në normë. Sepse nëse kemi një leksik dialektor të papërfshirë në normë dhe që vërtet është i burimit popullor të shqipes. Asgjë s’e pengon të përfshihet në normë, të përdoret dhe të zhvillohet më tej.

Sikurse është pohuar me të drejtë nga studiuesit, norma letrare nuk është tabu. Zhvillimi letrar veçse e pasuron dhe e përtërin atë, sepse leksiku i gjuhës letrare nuk është diçka e dhënë një herë e përgjithmonë. Ai zhvillohet. Por për këtë ka nevojë të njohë e të përfshijë pasuri të reja të papërdorura. E me gjerësisht në sistemin e normës, të shprehura nëpërmjet fjalëve dialektore që shtrihen në një gjeografi më të gjerë shqiptare.

Kjo është mënyra që pasuria leksikore e dialektit ngrihet në nivelin e normës letrare. Në këtë këndvështrim, mendojmë se gjuha e autorëve të Veriut që kanë shkruar në dialekt duhet të studiohet më tej. Martin Camaj, ky mjeshtër i lëvrimit të gjuhës, me veprën e tij letrare, e ka pasuruar shqipen.

Në këtë Fjalor përfshihen në trajtë fjalorthi edhe fjalët e rralla dhe fjalë-forma dialektore. Por të gjitha këto duhen studiuar dhe bërë krahasime, se si mund të grupohen ato më tej në Fjalorin e shqipes.

Është detyra jonë ta studiojmë këtë pasuri gjuhësore me kritere shkencore në këndvështrimin e sistemit të gjuhës shqipe, ta përzgjedhim, ta ruajmë dhe zhvillojmë atë në kuadrin e gjuhës letrare të përbashkët kombëtare.

ObserverKult

*Marrë nga faqja në Facebook e prof. Begzad Baliut

Begzad Baliu

Lexo edhe:

HARTIMI I “FJALORIT TË MADH TË GJUHËS SHQIPE” PËRFUNDON NË VITIN 2023