Doli nga shtypi romani “Muri i heshtjes” i Gani Mehmetajt


Tashmë ka disa ditë që ka dalë nga shtypi romani i ri i shkrimtarit dhe publicistit të mirënjohur shqiptar, Gani Mehmetaj. Romani ka titullin “Muri i heshtjes” dhe ata mund ta gjeni në libraritë e ndryshme në Kosovë.

Gani Mehmetaj është autor i shumë veprave letrare, eseistike dhe publicistike. Romani i tij “Zogjtë e qyqes” është shpallur fituesi i Çmimit letrar “Kadare” për vitin 2021.

Gani Mehmetaj ishte redaktor, pastaj kryeredaktor i gazetës “Rilindja-botimi për perëndim”, me seli në Cyrih ( Zvicër). Pasi u kthye në Kosovë, në fund të vitit 1999,  themeloi gazetën e përditshme “Dardania press” dhe drejtoi revistën “Titanic”. Punoi në Qendrën Informative të Kosovës, pastaj ishte redaktor përgjegjës dhe drejtor i gazetës “Bota sot” dhe drejtor i revistës “Anza”.

Fragment nga romani “Muri i heshtjes”

“Rrëfime të zymta, te frikshme, rrëqethese zinin vend të rëndësishëm në kallëzimet e plakave të lagjes, ndërsa lagjja ishte gadishulli në miniaturë. Plakat kolone i kishin sjellë me vete rrëfimet e veta. Disa rrëfime i kishin gjetur në vendin ku u vendosën. Pastaj i ripërtërinin, i ndryshonin, i plotësonin a u jepnin kahe të re. Rrëfimet bartnin në vete krimin e pasqaruar, mallkimin e patreguar, zënkat brenda familjes a fisit, që kishin po ashtu krim në vete. Sa të ngjashme e, megjithatë, të ndryshme ishin këto përralla. Dimri ua shtonte peshën e zymtësisë e të panjohurës, të acarit e drithërimës.

…Kur përndizeshin gratë në thashethemnaje erotike, harroheshin mëritë, ndryheshin urrejtjet. Kur u përhap kumti se Snezhana iku me Fisnikun, si të plaste bomba. Të gjitha gratë u tronditën. U përndezën si kurrë më parë. Nuk flitej për asgjë tjetër…

ObserverKult


gani mehmetaj

Lexo edhe:

REKOMANDIME LEXIMI NGA GANI MEHMETAJ