Me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës të Francës – Qendrës Kombëtare të Librit, Shtëpia Botuese “Fan Noli” solli në shqip librin “Përsiatje mbi kinemanë” të regjisorit francez René Clair.
I përkthyer nga shkrimtari Primo Shllaku, libri pëmban shënime të rëndësishme, të cilat do t’i shërbejnë historisë së artit kinematografik nga vitet 1920 deri 1950.
Në njoftimin e tij, shkrimtari dhe përkthyesi Primo Shllaku thot:
“Këto ditë doli nga shtypi libri me shënime për kinemanë “Përsiatje mbi kinemanë”, vepër e regjisorit, estetit dhe shkrimtarit francez René Clair (1898-1981). Botimi u realizue nga shtëpia botuese “Fan Noli” nën kujdesin e presidentit të saj, z. Rexhep Hida. Libri merret me problemet estetike të kinemasë si një art i ri që po lindte në fillimet e shek.XX dhe me rrugën e gjatë të tij për t’u nda nga teatri e letërsia. Ai përmban analiza të thella e të holla mbi pionierët e filmit si Charlie Chaplin, Fairbanks dhe Griffith, të cilët me artin e tyre dhe krijimtarinë zbuluen veçantitë e këtij arti vizual dhe kinetik, tue ndërtue estetikën e pavarësinë e tij si arti i shtatë.
E përktheva këtë libër për dy arsye: E para, se e ndjeja se duhet ta kishin në dorë studentat tanë të degës së kinemasë dhe të teatrit (regji dhe aktrim), për të njioftë ma mirë historinë e kinemasë dhe ardhjen e tij në një epokë rreptësisht teknologjike. Dhe e dyta, sepse autori i këtij libri me refleksione estetike shum të spikatuna dhe të drejtëpërdrejta diku nga viti 1965 denjoi dhe ma dërgoi këtë libër të çmueshëm me nji kushtim autograf mue, që kisha marrë guximin me i shkrue, në nji kohë kur dëshira ime ishte regjia e filmit e që kurr nuk u realizue. Në homazh për studentët që kanë nevoja ndriçimi, dhe të autorit, akademikut francez René Clair, që më entuziazmoi me thjeshtësinë e tij dhe përgjigjen dashamirëse. Ja, ky asht përkthimi…”
Nga parathënia e librit
Ky libër nuk është një histori e kinematografisë. Do të isha mjaft i paaftë për të shkruar një të tillë…. Tek faqet që janë grumbulluar këtu ndoshta nuk gjendet asnjë meritë tjetër përveç një mungese objektiviteti nga më të dukshmet e që nuk do t’i kishin hije fare një historiani.
Në këto faqe nuk kam dashur as të krasis atë që duket e tepërt, por as ta kthej në shijen e ditës atë që tashmë ka shijen e kohës. Do ta kisha pasur të lehtë ta vërtetoja se kam patur gjithnjë të drejtë, duke zgjedhur me kujdes në ato që kam shkruar dikur mendimet më pak të guximshme, si dhe duke i kaluar gabimet e mia në heshtje. Ashtu sikurse nuk u nis të jetë Histori, ky libër nuk do të jetë as apologji.
Pjesa më e madhe e teksteve që pasojnë janë shkruar mes 1922 dhe 1935, d.m.th. se ato merren me vitet e fundit të filmit pa zë dhe me fillimet e filmit me zë. Duke i botuar sot, pikësynimi im është t’i nxjerr në dritë çështjet, të cilat dolën nga kinemaja në një epokë delikate të zhvillimit të saj e që, me gjithë këtë zhvillim, nuk kanë humbur asgjë nga rëndësia e tyre.
Të rinjtë që janë të interesuar për këto çështje, ndoshta nuk do ta gjejnë të padobi ballafaqimin e mendimeve të tyre me ato të një rinie tjetër, e cila sot i përket së kaluarës.
E kam kapur veten time duke diskutuar me autorin e këtyre teksteve të vjetër, të cilët ndonjëherë provokonin komente bashkëkohore. Në se dialogu që del nga ky diskutim ka nxjerrë në pah shumë “unë” dhe “mua”, ju lutem mos më shikoni me sy të keq për këtë gjë. Megjithë të këqijat që sjell pas vetes përdorimi i vetës së pare, mënyra më e mirë për të bërë dëshmitari është ende të thuash: “Isha aty. Kjo më ka ndodhur mua.”
Ajo që më ndodhi ishte se isha pjesë e një aventure të madhe, isha i pranishëm në krijimin e një gjuhe, të një arti, të një industrie, të diçkaje tjetër që asnjëra nga ato fjalë që thashë nuk arrin ta përcaktojë plotësisht, natyra komplekse e të cilës priret kah ekuivoku. Këtë ekuivok unë jam munduar ta zhdavaris me sa kam ditur e sa kam mundur.
Askush nuk e mendon ta mohojë se makina kinematografike mund të përdoret për qëllime të ndryshme, ashtu sikurse teatri mund të presë në skenën e tij xhonglerë, por edhe oratorë politikë. Por a përqaset me artin dramatik gjithçka që ndodh mes kuintave të një skene dhe a mbahet për letërsi gjithçka që del nga shtypshkronja? Shumë diskutime do të ishin shmangur po qe se fjala “kinema” të mos ishte përdorur për të treguar njëkohësisht edhe një mjet riprodhimi, edhe një mjet shprehjeje. Për këtë të fundit, i kërcënuar vazhdimisht nga a ii mëparshmi, në këtë libër bëhët përpjekja për të paraqitur mbrojtjen dhe ilustrimin.
Po të më duhet ta përcaktoja atë “kuptim të kinemasë”, për të cilin flitet kaq shumë, padyshim do të thoja se nuk është gjë tjetër veçse arsyeja e shëndoshë e vënë në shërbim të kinemasë. Një karrocë dore prej druri mund të pluskojë mbi ujë, por për të kaluar lumin më e udhës është t’ia hipësh një barke. Ta kuptosh kinemanë do të thotë ta përdorësh kinemanë për qëllime që burojnë nga vetë natyra e tij. Peshkatari dhe kopshtari e dinë se secila vegël ka dobinë e saj, kurse marangozi nuk i bie gozhdëve me zdrukthin e vet.
R. C.
Në vazhdim po ju sjellim një fragment të shkëputur nga libri:
… Përpiqem të jem i paanshëm. Mbase nuk e arrij fare këtë gjë. Si mund të udhëtosh dhe të shohësh pa marrë me vete veten dhe paragjykimet e tua? Unë e dua thellësisht kinemanë. Lojna e tij të të zezës dhe të së bardhës, heshtja e tij, ritmet e tij të vargut të imazheve, nxjerrja bosh prej tij e fjalës, ky skllavërim i moçëm njerëzor, në prapaplan më shfaqeshin premtimet e një arti të mrekullueshëm Ja pra që një shpikje e egër vjen për ta prishur të gjithën. Ma bëni hallall njëfarë hidhërimi, njëfarë padrejtësie. Të kesh punuar kaq shumë, të kesh shpresuar kaq shumë, për t’u kthyer në fund të fundit tek një formulë kaq vjetëruar sa teatri, t’i rinënshtrohesh tiranisë së fjalës e të zhurmës, të rënduar edhe më nga prania e një ndërmjetësi mekanik! Epo…
Ne nuk mund të rrimë duarlidhur. Ne jemi në prani të një vdekjeje apo të një lindjeje, askush nuk mund ta dallojë ende se çfarë është. Po ndodh diçka vendimtare në botën e ekranit dhe të zërit. Duhen hapur sytë, por edhe veshët. Kush do ta parashikonte para njëzet vjetëve, para këtyre pelikulave qesharake kaq të ngjyera me konvencione skenike, filmin e sotëm, Cirkun dhe Një kapele italiane prej kashte, Mundimet e Zhan D’Arkës dhe Netët e Çikagos? Lindje e dytë apo vdekje? Ja kjo është çështja që shtrohet për kinemanë.
René Clair (1898-1981), ishte regjisor francez i filmave pa zë dhe filmave që flasin, prodhimet e të cilit shquheshin për humor dhe burlesk, në raste të shpeshta edhe për fantazi ose surrealizëm.
Clair u rrit në lagjen e tregut të Parisit, kujtimi i të cilit edhe i frymëzoi disa nga filmat e tij. Gjatë Luftës së Parë Botërore René shërbeu me korpusin e ambulancës franceze dhe më pas ai punoi si gazetar, kritik dhe kompozitor përpara se të hynte në botën e filmit si aktor, kur edhe mori emrin Clair.
Shkroi kritika të filmit dhe punoi si asistent regjisor. Në vitin 1923 René shkroi dhe drejtoi filmin e tij të parë, Paris qui dort, i shfaqur gjithashtu me titullin Rrezja e çmendur.
Paris qui dort bashkë filmin e rradhës Entr’acte i dhan atij epitetin e liderit avangard të kohës.
Më pas, në filma të tillë si Un Chapeau de paille d’Italie, bazuar në farsën e Eugène Labiche, ai ndërthuri në mënyrë origjinale avangardën me popullaritetin, modernitetin dhe traditën. Gjatë kësaj kohe ai botoi edhe një roman, Adams (1926), të shkruar në një stil cerebral dhe eliptik.
Clair fitoi njohje si një artist krijues shumë kohë përpara se skenaristëve dhe regjisorëve në përgjithësi t’u jepej një vëmendje serioze kritike.
Pamjet e secilit prej filmave të tij ai i pasuroi me pikpamjet e tij të mrekullueshme dhe të larmishme për botën. Ky univers poetik shpesh përqendrohej në Paris, dhe Clair është quajtur si më francezi i kineastëve. Prirja e tij për shpikje, kërkime dhe eksperimente e lidhi atë me pionierët e artit filmik. Për të, krijimi i një filmi nuk ishte thjesht për t’u shprehur, por për të shpikur gjëra të reja në kinematografi. Megjithatë, larg nga kufizimi i punës së tij në avangardë, ai aplikoi teknikat e tij në komeditë që tallnin jetën e përditshme dhe vlerësoheshin nga audienca e madhe e shikuesve të filmit. Arti i tij, arti i rafinuar dhe i ndjeshëm i një intelektuali, ishte gjithashtu një art popullor.
Përgatiti: ObserverKult
Lexo edhe:
PRIMO SHLLAKU: VERIGAT KULTURORE MË MBAJNË KËTU KU JAM…