Primo Shllaku: Verigat kulturore më mbajnë këtu ku jam…

Primo Shllaku
Primo Shllaku

Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtari Primo Shllaku.


Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?

Nuk besoj se ka nji lumtuni të përkryeme, ku ajo të jetë nji korpus kohe i pafundëm ose edhe i gjatë sa vetë harku i jetës. Besoj se natyra e lumtunisë asht e çastshme dhe njeriu prej natyre, nga grabitqar i ushqimit, asht kthye në grabitqar të lumtunisë. Pra njeriu asht në kërkim të lumtunisë me çdo mjet. Këtu fillojnë dashunitë, krimet, luftat, kundravajtjet e të gjitha cënimet e moralit publik.


Cila është frika juaj më e madhe?

Frika ime ma e madhe asht frika. Atë e kam frikë. Edhe pse i kam mposhtë me kohë shum lloje frikash, le të themi, të mëdha, janë frikat e vogla që nuk bahen zap kollaj. Kësaj i bie si me thanë se mikrobet janë ma të fuqishme se elefantët për faktin e vetëm se janë pambarimisht ma të vegjël se ata.


Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?

Ka kohë që jetojmë pa nji person të gjallë të admirueshëm. Bota ka shpikë admirime të tjera sot. Kam idenë se ashtu sikurse akualisht admirimi asht i vdekun, ashtu edhe personat e admirueshëm kanë vdekë të gjithë.


Cili është personaliteti historik me të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?

Jam shum individualist. Nuk kam modele historike, sepse epoka ime asht e paprecedent.


Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?

Po, ndoshta, kambëngulja.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?

Shum vetë që unë i njof mirë, e kanë mbrapanicën të lyeme me graso. Rrëshqasin…


Në cilat gjëra e teproni?

Flas. E kam smundje profesionale, duket.


Çfarë do t’ju shtynte të gënjenit?

Si adhurues i Oscar Wilde-it gënjeshtra asht rëndomësi në art, pra na rrejmë në art. Krijimtaria artistike ka në bazë gënjeshtrën, trillimin, sajimet dhe krijimin prej hiçit. Por në jetë ka edhe gënjeshtra të bardha që, kur janë me doza të matuna mirë, e shpëtojnë situatën.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?

Më pëlqen të udhëtoj mbrenda në pyll, por pa sëpatë. Për mue pylli imiton misteriozen dhe të vështirën.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?

A më kupton?


Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?


Kam le kur kulshedra i kishte zanë burimet dhe, kur ajo i lëshoi, unë isha 43 vjeç. A nuk ju duket kohë e gjatë pa alternativë?

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?

Si send: vetmia e zgjedhun prej meje si kohë krijimi. Si person: asht tue le, nëmos ka ardhë…

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?

Gjatë ditës kam shum gjendje mentale. Ato alternohen dhe krijojnë kaleidoskopin tim të humorit e të disponimit. Në këtë çast, p.sh., i përngjas fandit spathi që ka dy krena, nji nalt e nji poshtë.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?

Matematika e moshës asht masakruese. Do të doja që një Zot llogaritar të gabonte tue e ngatërrue 7 me 5. Nuk do ta padisja në prokurori për vjedhje.


Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?

Që arrita me botue e me thanë atë që lirshëm mendoj.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?

Janë kaq shum, sa ma mirë nuk po e kthej kryet fare e po eci drejt.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?

Do të doja të kthehesha në shpirt pa trup, diçka që të mos ketë punë ma me shqisat.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që posedoni?

Mendoj se nuk posedoj asgja, edhe pse më duket se arti më posedon nganjiherë. Në fakt nuk ka asgja ma të shtrenjtë se të mos posedosh. Posedimi asht anmiku i lirisë. Personat posesivë duhet të jenë shum fatkëqij.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?

Mjerimi ma i madh krahasohet me jetën, shpirtin e veprën sa nji lajthi.

Ku do të dëshironit të jetonit?

Do të dëshiroja me zgjedhë. Por verigat kulturore më mbajnë këtu ku jam. I përkas fatalisht gjuhës time amtare dhe nuk shof oksigjen kurrkund tjetër sa në këtë shkretinën tonë të dehidratueme.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?

Po jetoj që ta marr vesh, sepse këtë duhet ta thonë të tjerët.

Çfarë vlerësoni tek një burrë?

Burri ka shum parametra për vlerësim. Njeni prej tyne kishte me qenë qëndrueshmënia. Tjetri kambëngulja. Dhe, përfund, pasja e nji ideali të përhershëm e ndjekja e tij.

Çfarë vlerësoni tek një grua?

Xhelozinë. Gratë që nuk duen me e shprehë dashuninë e tyne, bahen thekshëm xheloze. Të paktën e japin nji sinjal se të duen.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?

Të gjithë ata që kanë qenë të vetëdijshëm se puna e tyne mundet edhe ta helmojë ndërgjegjen e brezave.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?

Kur rritesh mes herojve dhe i gjen ata edhe në pjatën e çorbës, automatikisht mbetesh pa heroj, nuk i do herojtë. Epoka e jonë ka fillue me deheroizimin. Antiepokat e kthyen përsëri në meny heroizmin si kallam sheqeri me ngjyra që ta lëpinin ca diabetikë.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?

Atë të alkimistit.

Si do të dëshironit të vdisnit?

Me biletë vajtje-ardhje.


Cila është motoja juaj?

O-ja e shqipes ka kohë që asht ba –u. Kam mbetë pa të. Madje nuk kam as motoçikletë.

ObserverKult

Lexo edhe:

ÇASTE POETIKE ME PRIMO SHLLAKUN: VETËM TI JE E PAVDEKSHME (VIDEO)