Jeta jonë, arritjet dhe dështimet nga Dom Gjergj Meta
Cilësia e jetës tonë nuk matet me numrin e arritjeve apo të dështimeve që kemi pasur përgjatë saj, por me mënyrën se si kemi përjetuar secilën prej tyre.
Nëse qëndrojmë njerëz në të dyja rastet, atëherë kemi jetuar vërtetë!
Të numërosh arritjet dhe dështimet duke u krenuar me të parat apo duke u dëshpëruar për të dytat, je thjesht një koleksionist që mbledh për t’u treguar të tjerëve, apo një tregtar i cili mbledh pasuri, por që ia bren tenja. Kjo do të thotë ta jetosh jetën diku tjetër e ajo nuk të përket realisht. Kjo quhet skizofreni ekzistenciale dhe nuk është jeta jote.
Ne nuk jemi e njëjta gjë me arritjet dhe dështimet tona, ne jemi më shumë se to, sepse ne kemi një shpirt, kemi dimensione të thella e të përtejme. Nuk mund ta varim në gozhdën e arritjeve dhe dështimeve ekzistencën tonë, pasi asnjë ekzistencë nuk është e arrirë e asnjë nuk është po ashtu e dështuar. Shpesh ato janë ushqim për at’ pjesë tonën që na e kanë dhënë të tjerët, por jo për rritjen tonë.
Ndaj të mos krenohemi për arritjet e të mos dëshpërohemi për dështimet. Edhe njëra edhe tjetra janë shtëpi e huaj për ne, jemi aty vetëm përkohësisht. Banesa jonë e vërtetë është shpirti ynë, vetvetja jonë, brendia më e brendshme e jona. Aty gjejmë veten, Hyjin, të tjerët e aty gjejmë ndjenjat më fisnike e virtytet më të larta.
ObserverKult
Lexo edhe: