Nga Dom Gjergj Meta
Diktatorët nuk heqin dorë kurrë. Do ta çojnë deri në fund sipërmarrjen e tyre me çdolloj kosto. Ata arsyetojnë me aut/aut (ose/ose), e për ta nuk ka as alternativë e as kompromis.
Ata nuk heqin dorë, vetëm thjesht përdorin gjithçka për të rimarrë në dorë gjithçka, nëse rrugës humbin diçka. Ata janë të bindur se janë të domosdoshëm dhe se pa ta gjithçka mund të mbarojë. Ata janë të bindur se më të zot, më të mirë se ta nuk ka.
Diktatorët nuk janë të çmendur, ata thjesht kanë fshirë çdo opsion tjetër qe u thotë atyre se ka diçka që nuk mund ta arrijnë. Ata Zotin e kanë për dekor, sepse nuk besojnë se mund të jetë dikush tjetër mbi ta.
Arsyeja përballë tyre është një lodër joshëse për naivët që besojnë se gjërat zgjidhem me dialog dhe vrastare për ata që u besojnë verbërisht atyre. Diktatorët kanë sharm, sharmin e frikës, të drojës të misterit. Kanë sharmin e djallit.
Djalli është sharmant dhe këtë ne e anashkalojmë. Biblikisht djalli është tërheqës, joshës. Ashtu janë diktatorët. Ata nuk duhen nënvleftësuar asnjëherë, sepse janë të zot të mimetizohen nën dukën e mirësisë.
Kush ka lexuar tregimin e Anrikrishtit të Solovjevit e di mirë se ata janë të aftë të bëjnë për vete edhe njerëzit e religjionit duke u ofruar atyre gjithçka duan, mjafton të mos u bëhen pengesë atyre e t’i admirojnë. Diktatorët kanë vetëm dy opsione përpara vetes, o gjithçka, o asgjë: d.m.th. o jetën (e të tjerëve) nën veten, o vdekjen.
ObserverKult
—————————–
Lexo edhe: