Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti përkujtoi Dom Lazër Shantojën, klerikun e parë martir në Shqipëri.
“Kujtojmë sot poetin, publicistin, përkthyesin, martirin, Dom Lazër Shantoja”, thekson Margariti në rubrikën “Muaji i Kujtesës”.
Dom Lazër Shantoja lindi më 2 shtator 1892 në Shkodër. Nga faltorja shtëpiake e dy prindërve fort besimtarë, Lazri e gjeti shpejt veten shërbëtor të Kishës universale.
Pas pesëmbëdhjetë vjetësh mërgimi, Shantoja u kthye në Shqipëri në një kohë të zgjedhur keq. U vendos në Tiranë me nënën, librat e pianoforten. Si i internuar nga Zogu, u afrua me rrymat politike të periudhës së pushtimit italian.
Në dhjetor të vitit 1944, ndërsa jepte e merrte në shtypshkronjë me korrekturën e bocave të botimit të plotë të “Faustit”, u arrestua. E pushkatuan në fushat e shkreta të Tiranës.
Dom Lazri qe poet, dramaturg, prozator, publicist, orator, përkthyes i talentuar. Krijimet e para të Shantojës, poezi satirike, botuar te “Ora e Maleve”, prekin problemet më të mprehta të kohës. Janë satira militante, që vihen fuqimisht në mbrojtje të shtetit të ri e të brishtë demokratik shqiptar.
Dom Lazër Shantoja la një numër të madh veprash, të cilat janë mbledhur me zell e përkushtim nga Arben Ndreca në dy vëllime me qindra faqe, që përmbledhin jo vetëm veprat e njohura, si “Për natë kazanash”; përkthimet e “Faustit” dhe “Hermani e Doroteja” të Gëtes e “Vilhelm Telit” të Shilerit, por edhe shkrimet e tij të shumta, shpërndarë ndër gazeta e revista të kohës, si “Leka”; “Cirka”; “Zani i Shëna Ndout” e sidomos tek “Ora e maleve”, ku bashkëpunoi ngushtë me Atë Harapin, Atë Fishtën e Luigj Gurakuqin.
Më 1920 poeti botoi te “Zani i Shna Ndout” ciklin me tingëllima “Duhia” në të cilin bëjnë pjesë: “Duhia”, “Lamtumira”, “Kështjelli” dhe “Baria”, kushtuar atdhetarit në zë, Imzot Gjergj Kolecit./ATSH
————————–
Lexo edhe: