Donika Dabishevci: Buka tek ne gjithmonë asht konsideru e shenjtë!

Buka tek ne gjithmonë asht konsideru e shenjtë. Përveç si fryt i tokës, punës e djersës, ajo asht pa edhe si dhuratë e bekim prej Zotit.

E tuj mos e trajtu kurrë veç si ushqim, bukës i janë mveshë ndër shekuj kuptime t’shumta e t’thella, përmes t’cilave asht përcaktu marrëdhania e njeriut me natyrën, me tjetrin dhe me Zotin.

m'dhimbesh donika dabishevci a m'do edeni duhemi prishtina, S’t’i ndjeu kush andrrat e t'gjithë n'vrap me marrë jetë prej teje! Me u katrithë, me u përmbushë e me u ngi frymë n’ty.

Nga Donika Dabishevci

Bukën nuk ka ba kurqysh me e hudhë, as me e shkelë, e nëse veç ka ra përdhe ndonji copë e saj, asht dashtë me e marrë, me e puthë, e me e vu në nji vend të denjë.

Me buk’ janë pagëzu fëmijtë, janë beku martesat, janë përcjellë të vdekunit.

Kush ka ngranë buk’ te ti, ka hy n’besë e mbrojtje tande tuj t’mbetë mik përjetë, e Zoti na ruejt, s’ka pasë gja ma t’randë se me t’pre n’buk’!

N’kët frymë duket që ka lindë edhe shprehja tradicionale “Buk’, kryp e zemër”, ku si askund tjetër, përmblidhet bujaria, fisnikëria dhe urtia e nji populli, që edhe në vorfninë ma t’skajshme arriti nji sofër t’thjeshtë me e shndërrue në nji altar t’shenjtë mikpritjeje e n’sakrament jetësor.

Me vetëm tri fjalë na shpërfaqen dy dimensione themelore të qenies shqiptare: ai ontologjik, ku buka shihet si themel i jetës, garanci e mbijetesës dhe lidhje e njeriut me natyrën e Zotin; dhe ai etik, ku krypa e zemra simbolizojnë besën, qëndrueshmëninë, nderin dhe dashninë e hapun ndaj tjetrit.

Në vetëm tri fjalë, shohim kodin jetësor shqiptar: ekzistencën që mbahet gjallë me buk’ dhe moralin që ruhet me besë.

E prandaj edhe sot, kur themi “A hajmë buk’?”, “A je për buk’?”, “A u ba buka?”, në vend të “A drekojmë”, apo “A darkojmë”, tuj mos e pa bukën thjesht si përbërës t’nji vakti, por tuj e ngritë në nji nivel sipëror, duket se përmes nesh flasin ende arketipet tradicionale mbi t’cilat jemi formësue historikisht e kulturalisht ndër shekuj.

ObserverKult