reklamë

Donika Dabishevci: Emnimi…

m'dhimbesh donika dabishevci a m'do edeni duhemi prishtina, S’t’i ndjeu kush andrrat e t'gjithë n'vrap me marrë jetë prej teje! Me u katrithë, me u përmbushë e me u ngi frymë n’ty.

Një fjali që më asht kthye shpesh në mendje kohët e fundit asht ajo e famshmja nga fillimi i romanit t’Markezit, 100 vjet vetmi: “𝘉𝘰𝘵𝘢 𝘪𝘴𝘩𝘵𝘦 𝘦𝘯𝘥𝘦 𝘢𝘲 𝘦 𝘳𝘦 𝘴𝘢 𝘴𝘩𝘶𝘮𝘦̈ 𝘨𝘫𝘢𝘯𝘢 𝘯𝘶𝘬 𝘬𝘪𝘴𝘩𝘪𝘯 𝘢𝘴 𝘦𝘮𝘦̈𝘯 𝘥𝘩𝘦 𝘱𝘦̈𝘳 𝘮𝘦 𝘪 𝘯𝘹𝘫𝘦𝘳𝘳 𝘯’𝘱𝘢𝘩 𝘥𝘶𝘩𝘦𝘴𝘩𝘪𝘯 𝘵𝘳𝘦𝘨𝘶𝘢𝘳 𝘮𝘦 𝘨𝘪𝘴𝘩𝘵”.

Nji fjali që përtej asaj që flet për nji botë t’hershme t’imagjinume asht edhe nji ndër përshkrimet ma t’bukura t’mënyrës se si njeriu hyn n’marrëdhanie me realitetin. Përmes habisë, dyshimit, yshtjes e refuzimit. Përmes përvojës t’pagdhendun nga gjuha.

Sepse n’fillim gjithmonë asht përjetimi.

Një ndjenjë e paqartë, nji mendim që ende nuk ka marrë trajtë fjale, nji e vërtetë e paformsume që rri pezull mbrenda nesh…

N’fillim asht gjithmonë ajo gjendja kur përjetimi ekziston, por vetëdija ende nuk ka gjetë formën për me e shtrue e tëhollue menimin e me i dhanë trajtë gjuhësore.

Ajo gjendja kur përplitemi tuj kërkue emnat që ju flejnë. Sidomos atyne gjanave t’vështira me u kapë e përthekue.

Atyne që na kapin hopa, na çojnë lart n’qiell, e ndonjiherë edhe na lëshojnë prej atje pingul teposhtë, për me u thye e ba copa-copash krejt. Për me u përmbledhë e me ja nisë prapë. Prej fillimi….Çdo ditë!

Atyne t’vërtetave tona që gjuha gjithmonë i arrin me vonesë. Ama kur gjuha arrinë me i përmbledhë, me i formësu e me i pagëzue me emnin që ju përket, pikërisht atëherë ndodh ai kalimi i madh: përvoja shndërrohet n’kuptim, ndjenja n’mendim, e jeta n’rrëfim.

N’atë çast, pikërisht n’atë çast, fillon edhe letërsia.

Si rezultat i asaj përpjekje t’vazhdueshme me i dhanë fjalë asaj që për një kohë të gjatë ka ekzistue vetëm si ndjesi.

Me e nxjerrë në dritë atë që asht përjetue, por që nuk asht thanë.

Me ju dhanë za t’pathanave, t’pafolunave, t’padigjuemeve.

Edhe atyne t’jetuemeve n’heshtje.

Edhe synimeve. Edhe dëshirave. Edhe andrrave.

E bash për këtë arsye e famshmja fjali e Markezit m’duket kaq e fuqishme. I kthehem e rikthehem.

Sepse ma kujton se emnimi asht akti përmes t’cilit njeriu e ban botën të banueshme për vetëdijen, duke e kthye rrjedhën e paformë të jetës n’kuptim, n’kujtesë, n’rrëfim, n’dëshmi, n’histori, n’art, n’letërsi.

ObserverKult

Lexo edhe:

Donika Dabishevci: N’atë t’përveçmen ditë

Donika Dabishevci: Tuj ikë dekës