Poezi kushtuar fëmijëve të braktisur nga Donika Dabishevci

donika dabishevci

Donika Dabishevci: Vaji i nji fmije t’braktisun

A e dini çka është nji simfoni tmerrësisht e trishtë nate pa hanë?
Është kapërthurja e vajit t’nji bebe t’gjuejtun si pleh skej kontejneri
me kuisjen e do qenve që munohen me i ba hall.
Edhe ata t’braktisun. T’pastrehë. T’shqelmuem nga jeta.
Me t’tynen e ledhatojnë beben, tuj ja knu nji ninananë qensh.
Diqysh si Mouglit kafshtë e egra n’xhungël. Përrallë ajo.
Ama, që hjeka i bashkon shpirtnat, poget ka diçka ktu!

A e dini çka është nji lehtësim shpirti mizor?
Diçka si ndjesia e t’çliruemit t’atyne që m’kanë ngjizë.
Ai çasti kur bajnë ohaaa, tuj u përvjedhë hajnisht sokaqeve,
n’adrenalinën e lezetit që e shporrën nji problem prej asaj myk jete. T’poshtreje.
Jo turlifar problemi ama. Por diçka që përmblidhet diqysh me nifar dialogu si:
-S’muj abortoj, është vonë tha doktori…çka me ba tash? …
-Çka t’duesh! Ti e di! Kush s’du me marrë vesh.

A nive? Përndryshe matu mirë! E din çka t’pret…!

A e dini çka është ekstaza e t’trallisunve menç?
U krye edhe kjo, tek thonë, pa guxue me kqyrë tjetrin n’sy,
masi veç ma kishin futë shkelmin te ajo kantë bërrllogu
e unë s’kisha si me rend mas tyne…As me ju lutë. As me ju përgjërue…

Ajo tu kajtë e ai tu ja sha lotët. Nanën. Babën. Tanë robtë e shpisë.
 T’gjalltë e t’dekunit. Bile edhe minjtë në tavan.
-Mos ma tesh ma, do t’i ketë thanë Ai.
-T’vraftë i lumi Zot, ai i madhi,
do t’ja ketë kthye Ajo.

E kur t’jenë nda udhësh, si psherëtima që bart era do ndiheshin n’eter edhe do fjalë tjera si:  kurrë dritë t’bardhë mos pafsh, mallkue qoftë ajo ditë që na ka përpjekë Zoti,  e ofshama, e klithma, e psherëtima.
Lehtësimi a dhimte?
Faji?! Si gjithnji kurrkund! N’erë!

A e dini çka s’ka rëndësi, ama që bash hiq pikë rëndësie s’ka?
Vaji jem. Jeta jem. Vdekja jem. 

Asnji trrak zemre.
Asnjanit.
As sa nji mizë, nji bubrrec – hesapë nuk m’banën…
Asnjani.

Sa shpesh e kam pa si nji film t’keq këtë ngjarje,
përgjatë tanë fëminisë s’vobektë n’strehë jetimoreje,
atëherë kur vaji ishte ninulla që m’ftonte n’gjumë,
atëherë kur nga fundi i shpirtit besoja rrenat e lulueme t’edukatoreve,
ato rrenat e bardha se ka me ardhë nji grue e pikëllueme,
e bukur si perri,
e ka me m’qafë,
e ka me m’i fshi lotët e shpirtit,
e kam me ja falë dhimtë e zemrës
e kemi me fluturue në nji përqafim t’thellë…
Se Nana ka me ardhë… gjithqysh ka me ardhë, s’munet pa ardhë…

A ka menue najherë për mue?
A e ka mbajtë barkun me duer?
A e ka ndi nji tik-tak zemre, nji frymë shpirti që e pret diku?
A e ka kapë ankthi, lemza, a ka kcy prej shtratit?
A e ka rrokë munim…sa herë n’andërr e zhgjandërr kam thirrë Nanë!

Shpesh ja vizatoja ftyrën. E laramoja si ylber.
Ashtu duket nji Nanë, thoja. Plot ngjyra.
Si tana stinët bashkë. Si tana kangtë e gzimit. T’lumnisë.

Masnej nisa me vizatu edhe shpinë.
Qysh është me pasë shpi?
Me u strukë n’nji qoshe, me u përkdhelë,
me e pi nji çaj, nji supë t’nxehtë,
mas nji kolli, mas nji temperature,
mas do etheve t’dimnit,
e me t’vetë dikush: a je ma mirë djali jem?
Qysh o me t’thanë dikush, lum nana për ty?
I miri i babës…?

Me u ulë bashkë n’sofër, me ardhë dikush e me i thanë:
“Bujrum, çka ka qillue”…
Qysh o Bajrami me t’shpisë, Kërshnellat, bredhi, Viti i ri?
Era e çarshafave t’vjerrun n’vig,
era e shpisë…

Ama as si andrra nuk zgjasnin…

Nji dreq ankthi i kpuste bash kur bahej ma s’miri…ma s’interesanti, ma s’ambli…
Dhe prapë vetëm, prapë i vetmuem, i çtjetërsuem,
pa kurrnji pikmbështetje,
pa trung,
pa bosht,
pa spirancë,
pa gravitet,
pa kulla rëre,
pa send,
gjithçka shembej.

Ajo grue nuk erdh kurrë. Burrin as që e prisja. Asnjiherë…

Tuj u rritë, n’trunin tem t’përvluem dhimtash
nisi lojën nji lamsh menimesh t’çorodituna
n’ngulmim me gjetë përgjigjen e gjithçkaje.

Unë s’jam fryt dashnie, s’muj me kanë!
Seksi njinatësh? Ndoshta.
Përdhunimi? Ndoshta.
Ose i kushedi çkaje tjetër.
Ndonji  gjëjë t’pangjashme me krejt çka muj me menu,
e krejt çka ka ekzistu e krejt çka mund me kanë.
Por dashnie jo.
Jo e madhe.

“Bir, unë jam nana jote. M’fal i miri jem, i lumi jem!
S’kam pasë qysh me ja ba, s’kam mujtë, nuk m’kanë lanë…se kish ba kurrë, por…

U harrue ky monolog që e flisja me mure.
E kapërdiva si diçka që kurrë s’ka me ndodhë.
Nisi me ma shpifë edhe si menim
e me m’ardhë marre për atë dreq shprese që kisha pasë deri atëherë.
Çfarë trullani. Çfarë budalle, o Zot.
U  bana humnerë. Hon i thellë.
S’doja ma me bza. As n’menimet krejt kaos s’doja me mu sillë ata dy. Ajo.

Nisa as andrra me ta mos me pa.
Se u dogja ma nga malli për t’papamën, t’pandjemen, t’pambrrijtshmen.

U tkurrën edhe dëshirat e thurruna për nana tjera.
Për nana t’mundshme.
M’i coptuen…
Burra e gra  vinin e na kqyrnin si mallna n’reklamë dugoje.
Ftyrën, trupin… hajt ec deri te xhami, kthehu mas, a din me vallëzu,
na yshtnin me folë, me knu, me e thanë naj vjershë,
baheshin msuse, msues, me pyetësor t’gatshëm, nxirrnin letrat,
sa bajnë 7 X 8, pjestoje me 4, me pa sa t’meçëm jemi,
sa t’dijshëm, sa na e rrokë, çka është Teorema e Pitagorës,
po Katrori i Binomit, Njutoni kush është, “Ca pika shiu…” kush e ka shkru…
gjithfarsoj pyetjesh, turlifar kërkesash, nji kazan dëshirash,
veç a u binte mend gja…ne ishim marionetat,
minjtë e laboratorit që bindeshin n’gjithçka,
Cyber fmijët që prisnin instalim programesh, ristartime,
me kilogram platforma, projektime sa t’duesh…
na paramenonin qysh mujmë me u ba kur rritemi,
a jau marrim ftyrën para kojshive,
a ju shkojmë për sedre, a ju rrimë mirë n’tavolinë,
qysh dukemi n’kerr, qysh dalim n’fotografi,
a jemi t’denjë me na birësu, me na e dhanë mbiemrin,
sa ja vlenë investimi…

Por, për mue, s’erdh kush, madje as n’sfilatë nuk m’nxorrën kurrë.
Për matje inteligjence as që bahej fjalë.
Nuk isha mjaftueshëm i bukur sa me i joshë.
N’start isha humbës.
S’hyja n’kurrfar konfiguracioni.
Mos isha i padukshëm m’shkonte mendja, ndonjiherë.
Ndoshta fantazmë, shpeshherë.  
Askush s’kish kurajo me m’i hedhë sytë.
As për mirësjellje.
As si dhimtë.
As sa për nji “gjynah, shihe sa i mirë… qysh po kqyrë…qysh e ke emrin?”

Sa ma i madh bahesha, aq ma larg ikte shpija.
N’çdonjanën ditëlindje, aq ma larg familja.
N’çdonjanin vit, ma shumë pikëllim, ma shumë thyemje…

Nisa me urrejt menimin për Nanën, se… Babën, Babën n’fakt, kurrë se desha.
Nisa me urrejtë idenë për ta, ftyrat e tyne, zërat, qysh do që t’i kishin.
Me e urrejtë edhe gjakun, fizionominë,
e mas shumti surratin tem për dreq t’pahijshëm, pamjen,  
t’vetmen dhuratë prej atij çifti që m’la n’plehna rrugësh.
  
S’paskan kenë me u livdue as n’pamje,
s’paskan pasë kurrfarë dukje –  ata paraardhësit e mi, rraja jem biologjike,
se për punë shpirti e morali, kjo vec s’është temë ma …
flisnin n’mue vorbullat e patfillueme t’mërzisë
kur s’ja therrja kujt me m’birësu…

Mua që gjithçka mbi këtë tokë t’bekueme mund t’jem,
pos fryt i kapërthurun dashnie…

Dashnia,
o zot sa shumë kam n’shpirt,
sa m’është grumbullue n’zemërshkretën pa marrë kurrë,
e sa shumë muj me dhanë, kam me dhanë,
me dhanëëëë…
sa fort ka me buçitë,  
sa fort ka me e trandë,
atë grua-hyjni që ka me ngulë rrajë n’zemrën teme
për me e dashtë shumë, përgjithnji…
dikur, najherë, kurdo…

Vazhdojnë pa pra dihajtjet e mia…
S’kanë t’ndalun!

ObserverKult

Lexo edhe:

DONIKA DABISHEVCI: EDHE NJI VORR I RI GRUEJE N’KËTË VEND…
DONIKA DABISHEVCI: MOS U DORËZO KURRË, ÇIKA JEM!