Dorëzohet në UNESCO dosja e Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës

Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës me rreth gjysëm shekulli “jetë” është kandidat për t’u pranuar në regjistrimin e praktikave më të rëndësishme të ruajtjes edhe të trashëgimisë jomateriale, në UNESCO.

Formulari i Aplikimit: një film dokumentar 10 min kushtuar FFKGJ, 10 fotografi si dhe mbështetja me shkrim të institucioneve, personaliteteve të vendit dhe të huaja dhe të komunitetit nga e gjithë Shqipëria janë materialet që përmban dosja.

Edicioni i parë i këtij festivali është çelur në 11 tetor të vitit 1968 në qytetin muze të Gjirokastrës duke u konsideruar asokohe si një festival unikal në ruajtjen, mbrojtjen dhe popullarizimin e trashëgimisë kulturore shpirtërore në Shqipëri.

Në pritje të edicionit të radhës, në vitin 2020, kjo dosje është dorëzuar, si propozim i Akademisë së Artit dhe Trashëgimisë ODEA dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Akademisë së Shkencave, Komisionit Kombëtar të UNESCO-s, Arkivit Shtetëror të Filmit, pushtetit vendor në Gjirokastër, Akademisë së Studimeve Albanologjike-ASA etj., prandaj konsiderohet e plotë dhe është në procedurë shqyrtimi pranë UNESCO-s në Paris.

Në këtë regjistër pranohen aktivitete dhe organizime nga vende të ndryshme, të cilat dëshmojnë se kanë shërbyer për një kohë të gjatë si faktorë esencialë në ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore.