Artisti shqiptar që theu 3 rekorde Guinness: Alkent Pozhegu (foto)

Alkent Pozhegu, ka thyer deri tani 3 herë rekordin Guinness, për mozaikun më të madh me fara. Pasioni i tij për artin e ka shtyrë të tejkalojë limitet e të thyejë kufijtë.

Alkent Pozhegu ka lindur në Gjakovë më 26.03.1976, në një familje artistësh. Alkenti kishte edhe gjyshin e babanë artistë.

Për më shumë se 15 vjet, ai krijoi qindra punime, për ta shënuar emrin e tij 3 herë në Librin e rekordeve Guinness.

“Jam admirues i arteve (në të gjitha format), që nga fëmijëria ime. Kjo ka vazhduar edhe gjatë ditëve të rinisë, kur fillova të punoj në projekte të vogla të gdhendjes së frutave duke përdorur fruta si shalqi, mollë, dredhëz, ananas dhe karrotë “, tha Alkenti për ObserverKult.

“Aktivitetet janë intensifikuar në vitet e fundit kur si ‘skulptor’ frutash, fillova të ndërmarrë projekte më të mëdha. U sfidova me rekordet e Guinness-it. Si rezultat, kam arritur sukses në këtë aspekt duke qenë mbajtës i tre rekordeve botërore të Guinness”.

Të merresh me art nuk është edhe aq e lehtë, thotë Pozhegu. Punimet e tij krijohen nga drithërat, misri, farat e lulediellit, orizi dhe fasulet. Thotë se shpeshherë vështirë gjen fara të përshtatshme për portretet që dëshiron të punojë.

Pozhegu ka bëri deri tani mbi 30 punime të personaliteteve të njohura vendore dhe ndërkombëtare.

Ai së fundi u bë edhe hit në mediet ndërkombëtare pasi ka realizuar një tjetër mozaik, kësaj radhe të mbretëreshës Elisabeth. Mozaiku është bërë me fasule, grurë, fara luledielli, oriz, misër e drithëra të tjera me ngjyra.

Artisti me origjinë nga Kosova ka treguar se për këtë vepër iu deshën 100-120 kg drithë, ndërsa punoi për rreth 6 orë.

“Kam përdorur fasule, grurë, fara luledielli, oriz e drithëra me ngjyra ndërsa m’u deshën rreth 100-120 kg drithë” – bëri të ditur Alkenti për ObserverKult.

Alketi thotë se vepra u bë në një ambient të hapur, pranë Gjakovës, në një vend që kishte dhe frekuentim të njerëzve për ta parë atë nga afër.

Edhe në mediat e huaja kjo vepër e artistit shqiptar bëri jehonë, duke zënë vend në disa prej titujve të gazetave prestigjoze britanike.

Përgatiti: V. K.- ObserverKult


Lexo edhe:

EKSPOZITË NË OBSERVERKULT: LEBIBE TOPALLI, PIKTORE (FOTO)

ObserverKult