Dorëzoi çmimin “Pushkin” pas agresionit në Ukrainë, rrëfehet shkrimtari shqiptar

Shkrimtari i njohur, Shpendi Topollaj, tregon arsyen pse ka vendosur ta dorëzojë çmimin prestigjioz “Pushkin”, dhënë nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Rusisë, në shenjë proteste ndaj agresionit që ushtria e Putinit ndërmori ndaj Ukrainës.

 “Kur Ukraina mbytet në gjak, unë nuk mund të kapardisesha me dekoratat e bashkësisë së shkrimtarëve dhe artistëve rusë, që me strukjen e tyre, ose solidarizohen me ato krime, ose janë frikacakë”

Në një rrëfim për gazetën “Panorama”, përveç dhimbjes për atë që po ndodh në teatrin e përgjakshëm të luftimeve, me ndjesinë e artistit, ai tregon për shpirtin e madh të atij populli që ka nxjerrë njerëz të shquar, me çrast, Pushkini mbetet kryekreshpa e tyre.

Si njohës i mirë i historisë, shkrimtari Topollaj sjell një vështrim retrospektiv disi ndryshe për Ukrainën dhe sidomos për krijuesit e saj të shquar.

Nga shtatëdhjetë librat e mi të të gjitha gjinive, pesë janë përkthyer dhe botuar në Rusi. Në dy prej tyre, romanet “Lotët e Zambakut” dhe “Pushkatimi”, që e kam shkruar edhe si dramë me titullin “Ata ishin njerëz”, kam trajtuar histori të dhimbshme, për të mos thënë dramatike e deri tragjike, si pasojë e prishjes së marrëdhënieve partiake, shtetërore e diplomatike në fillim të viteve gjashtëdhjetë.

Shumë nga djemtë tanë që kryen studimet në ish-Bashkimin Sovjetik u dashuruan dhe krijuan familje me vajza të atij vendi të madh, madje u bënë edhe me fëmijë. Ato ishin gra mjaft të mira, të bukura, të kulturuara, por një ditë, pa pritur e pa kujtuar, burrave të tyre u thanë, për të mos thënë i detyruan, që t’i ndanin. Kjo nuk ishte aspak e lehtë, por fakt është se shumë prej tyre u larguan me një brengë që i ndoqi pas tërë jetën dhe disa të tjera me akuza nga më absurdet u burgosën apo u internuan.

Kurse te “Pushkatimi”, që u botua edhe në italisht, protagonisti, majori inxhinier Thoma Rafaeli, u dënua me vdekje, pasi donte të shkonte te gruaja dhe e bija. I kam njohur qysh kur isha fëmi, se ishim komshinj, atë gruan e tij simpatike, Majën, dhe vajzën e vogël, Helenën. Është koincidencë që Maja ishte nga Ukraina, ku Thomai kishte studiuar në kryeqytetin e saj, Kiev.

Dua të besoj se këto dhe tregimet e novelat e mia kanë qenë shkaku i dhënies së atij çmimi, i cili, kuptohet, që më bënte nder, pasi mbante emrin e më të madhit poet që Rusia ka nxjerrë në të gjitha kohërat. Për mua motivacioni ishte “Për bukurinë e fjalës dhe të mendimit”.

Ndofta me atë vend, më shumë se gjithçka tjetër, na lidhi pikërisht arti e sidomos letërsia…

Edhe shpirti i madh i atij populli që ka nxjerrë njerëz të shquar që i respekton bota mbarë. Kështu, vetëm në fushën e letrave, përveç mendimtarëve të famshëm si Herceni, Radishçevi, Dobrolubovi e Çernishevski, janë shkrimtarët Leon Tolstoi, Anton Çehovi, Mihali Lermontovi, Ivan Turgenievi, Fjodor Dostojevski, Sergei Esenini, Maksim Gorki, Aleksandër Blloku, të cilin V. Majakovski e quante “epokë poetike”, Ana Ahmatova, Josif Mandelshtami, Mihail Shollohovi, Josif Brodskij, Aleksandër Sollzhenjicini, Boris Pasternaku, Jevgeni Jevtushenko e shumë të tjerë.

Po ashtu, nga Ukraina e ka prejardhjen Nikollai Gogoli, për të cilin Pushkini gati ka bërtitur: “Ja ngazëllimi i vërtetë njerëzor!” dhe Taras Shevçenko me shokë, ai Kobzari, poeti që kudo në atë vend i kanë ngritur monumente. Qysh nga gjysma e dytë e mijëvjeçarit të parë, mes Ukrainës e Rusisë ka pasur shumë gjëra të përbashkëta. Aty u krijua i pari shtet rus me kryeqytet Kievin, që arriti kulimin e vet në kohën e Vladimir Sveatoslaviçit, por që 200 vjet më vonë u shemb nga barbarët mongolë.

Kanë luftuar shumë me lituanezët e polakët, gjersa hatmani trim Bogdan Hmelnicki në mes të shekullit XVII të shpallë bashkimin me Rusinë. Pas shumë ndryshimesh, u vendos autonomia e saj, në 25 dhjetor 1917, por bolshevikët nuk vonuan dhe e pushtuan. Trazirat vazhduan gjatë, gjersa në luftën me ushtrinë hitleriane patën gjashtë milionë të vdekur. Pas shthurjes së Bashkimit Sovjetik, Ukraina shpalli pavarësinë më 24 gusht 1991. Por nuk e la oreksi i Kremlinit, i cili me forcën e armëve, mori Krimenë, që i qe dhënë Ukrainës qysh në vitin 1954. Dhe ja tani…

Ai vend që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në fitoren mbi fashizmin gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe që e di se ç‘të këqija ka lufta, nis ushtrinë me tanke, avionë e raketa dhe vret pa dallim burra, gra e fëmijë të pafajshëm.

Është e urrejtshme kur sheh se ushtria ruse po sillet në kohët moderne më keq se hordhitë e dikurshme mongole apo ato të Rajhut të Tretë si me njerëzit e atij vendi, ashtu edhe me kulturën e qytetërimin e tyre. Bombardohen shtëpi, spitale, azile, aeroporte. Turp për Putinin dhe ata që qëndrojnë rrotull tij. Si ish-ushtarak, do të shtoja se turp është edhe për shtetet e tjera që ndihmën e kufizojnë te ca deklarata e diçka tjetër dhe nuk e kanë burrërinë ta frenojnë me instrumentet adekuate që kjo situatë kërkon.

Dhe ju personalisht vendosët që protestën tuaj ta shfaqni duke kthyer mbrapsht çmimin që vite më parë LSHA e Rusisë ju ka akorduar?

A nuk ishte vetë Pushkini ai që si pakkush i këndoi lirisë? Dhe a nuk është paradoksale kur mëson se në shkollat ruse, dhe konkretisht në klasat e nënta, në programet mësimore zhvillohet tema “Lirikat liridashëse të Pushkinit” dhe ushtarët e atij vendi, diku tjetër, vrasin nxënësit e pambrojtur nëpër shkolla?

Në këto realitete të hidhura, për të mos thënë pikëlluese, dhe kur ata që mua ma akorduan çmimin e lartë “Pushkin” heshtin, unë si qytetar, si intelektual, si shkrimtar, çfarë duhet të bëja? Të kapardisesha me dekoratat e bashkësisë së shkrimtarëve dhe artistëve që me strukjen e tyre, ose solidarizohen me ato krime, ose janë frikacakë. Në të dyja rastet, mua nuk më nderonte mbajtja e çmimit me emrin e madh dhe të papërlyer të Pushkinit. Gjithkush duhet të bëjë atë që mundet. I gjithë populli ynë e ka dënuar agresionin rus në Ukrainë, pa asnjë rezervë e paragjykim, edhe pse ai vend nuk e ka njohur ende Kosovën tonë të vuajtur si ata.

Si kanë qenë reagimet e njerëzve, shokëve, miqve, lexuesve, pas veprimit tuaj për kthimin e çmimit?

Ashtu siç i prisja: të menjëhershme, përkrahëse, falënderuese. Janë të pafund ata që më kanë shkruar apo ata që më urojnë më shumë sesa kur e fitova atë çmim. Mjafton të sjell reagimin e gjeniut të kombit tonë, mikut tim të shtrenjtë, Ismail Kadare, i cili shprehet: “Bravo, Shpendi! Të përgëzoj nxehtësisht. Kjo që po ndodh në Ukrainë është e padurueshme. Nuk di si do të vejë kjo punë, por ajo që nuk ma rrok mendja është se si OKB dhe BE nuk e shpallin këtë katil Putin kriminel lufte e ta çojnë në Hagë./Afrim Imaj-panorama.com.al

ObserverKult

Lexo edhe:

FLET SHKRIMTARI UKRAINAS: “SHPRESOJ TË MBIJETOJ, JANË KOHË TË VËSHTIRA…”