Shqipëri: A u zbulua vendbanimi më i madh neolitik në Ballkanin Jugperëndimor?

Përfundoi fushata e parë e projektit arkeologjik shqiptaro-italian “Arkeologjia e peizazhit në zonën Tepelenë-Memaliaj”, i drejtuar nga profesorët C. Silvio Fioriello (Universiteti “Aldo Moro” i Barit), Eduard Shehi dhe Sabina Veseli (Instituti i Arkeologjisë – Akademia e Studimeve Albanologjike).

Territori i studiuar përkon me një hapësirë të gjerë, të vendosur në fshatin Qesarat. Të dhënat mbi gjetje me interes arkeologjik në këtë territor dëshmohen që nga mesi i shekullit të 20-të, si edhe nga gërmimet arkeologjike të shpëtimit, të kryera nga Dr. Taulant Rama.

Gjatë vëzhgimeve u kontrolluan rreth 70 ha, u regjistruan 67 njësi topografike dhe u izoluan rreth 20 site, pothuajse të gjitha shumështresore.

Gjetjet e raportuara paraprakisht:

– gjurmë të një ndërtese të madhe dhe të pasur, e pajisur me ambiente termale, të lidhura me fazat e jetës së saj në antikitetin e vonë, e cila u gjurmua pjesërisht në vitin 2017;

– një vendgjetje e rëndësishme që ka nxjerrë një material të gjerë arkeologjik, që daton nga fundi i periudhës qytetare ilire deri në periudhën perandorake romake;

– po ashtu një ndërtesë komplekse nga periudha perandorake romake, ndoshta një rezidencë luksoze, e vendosur në një fermë të mëparshme të fundit të periudhës qytetare ilire dhe e pajisur me një koleksion të rëndësishëm skulpturor dhe dysheme me mozaikë të rafinuar dhe mure me pikturë murale.

– dy vendbanime të rëndësishme, të krijuara ndoshta në fundin e periudhës qytetare ilire dhe të ripërdorura në shekujt në vijim, deri në Antikitetin e Vonë.

Por zbulimi më i bujshëm ka të bëjë me një zonë të madhe që ka nxjerrë një sasi të konsiderueshme materialesh prehistorike, të datuara në neolitin e vonë dhe përgjatë periudhës së bronzit.

Ndoshta mund të rezultojë të jetë vendbanimi më i madh neolitik në të gjithë Shqipërinë e ndoshta në Ballkanin jugperëndimor./ATSH

ObserverKult


Lexo edhe:

GËRMIMET E REJA NË FINIQ SJELLIN ZBULIME TË REJA

Gërmimet arkeologjike kanë përfshirë këtë vit shumë zona në Shqipëri duke hedhur dritë me fakte të reja për shumë qytete antike dhe qendra arkeologjike.

Në qytetin antik të Finiqit, në Jug të Shqipërisë, arkeologët po zbulojnë periudhën romake duke zgjeruar hapësirat e zbuluara urbane.

Zbulimet e reja dëshmojnë jo vetëm rëndësinë historike, por i vijnë në ndihmë edhe zhvillimit të turizmit kulturor.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:


AGIM SPAHIU: ËSHTË TEPËR E GJATË E DIELA PA TY…

Është tepër e gjatë e diela pa ty!
S’kam ku ta çoj, s’kam si ta përgjysmoj,
më mundojnë orët, më rëndojnë orët,
dua t’i ndaj dhe s’i ndaj dot,
dua t’i fal dhe s’i fal dot!

Janë vetëm të miat orët
e të dielës së tretë të marsit,
vetëm imja është krejt e diela …

E përqafoj,
e përkëdhel,
e pushtoj me ajër, bar e gjeth, me zogj
e thirrje.

Ah, veç ti mungon, e dashura ime!
Dhe është një ditë marsi mahnitëse,
si fytyra jote – tmerrësisht tronditëse,
një ditë që të pushton si krahët e tu,
një ditë që të thërmon si sytë e tu,
një ditë që të trishton po të jesh vetëm.

Vetëm,
po të jesh vetëm …
Me dëshirë do të vdesësh po të jesh
vetëm.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult