Doruntina Kastrati nga Kosova nderohet me çmim në Bienalen e Artit në Venecia

Doruntina Kastrati dhe instalacioni skulpturor “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës” u nderua me “Mirënjohje të Veçantë për Përfaqësim Shtetëror” në ceremoninë e edicionin e 60-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit — La Biennale di Venezia.

Këtë e ka bërë me dije nëpërmjet një njoftimi në rrjetet sociale Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), ndërsa ka treguar lokacionin ku po qëndron e hapur ekspozita.

“Museo Storico Navale della Marina Militare. Riva S. Biasio, 2148 30122 Venedik VE, Itali (në mes të hapësirave ekspozuese të Arsenales dhe Giardinit)”, bëhet me dije në njoftim.

Ky instalacion i kuruar nga Erëmirë Krasniqi, prezanton katër objekte skulpturore. Dy prej tyre të modeluara sipas lëvozhgave të llojeve të ndryshme të arrave, të përdorura në prodhimin e llokumeve. Ndërsa dy të tjerat sipas formës së protezave të përdorura për implantet kirurgjike në gjunjë.

Instalacioni përcillet nga një projekt tingullor kompozuar nga Paul Hauptmeier dhe Martin Recker.

Pavijoni i Kosovës në edicionin e 60-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit — La Biennale di Venezia është komisionuar nga Hana Halilaj, kuratore pranë Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe organizuar nga MKRS-ja.

Përndryshe Pavijoni i Kosovës si dhe Ekspozita Ndërkombëtare e Artit — La Biennale di Venezia do të jenë të hapura deri më 24 nëntor 2024.



ObserverKult


Lexo edhe:

DORUNTINA KASTRATI PËRFAQËSON KOSOVËN NË EKSPOZITËN E 60-TË NDËRKOMBËTARE TË ARTIT NË BIENALEN E VENEDIKUT

Artistja Doruntina Kastrati do të përfaqësojë Kosovën në Ekspozitën e 60-të Ndërkombëtare të Artit në Bienalen e Venedikut në vitin 2024. Kjo me projekt propozimin e titulluar “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës”. E kuruar nga Erëmirë Krasniqi dhe me komisionere Hana Halilaj.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, e ka shpërndarë këtë lajm në rrjetet sociale.Artistëve u ka uruar shumë suksese në Bienale.

“Padyshim ky projekt ka potencial të madh për t’u bërë një hap i rëndësishëm në trajektoren e Pavijonit të Kosovës. Përgëzime dhe shumë suksese në Bienale”, ka shkruar Çeku.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:


INAUGUROHET PAVIJONI I KOSOVËS NË BIENALEN E VENEDIKUT PËR VITIN 2021

Dje u bë inaugurimi solemn i Pavionit të Republikës së Kosovës në Ekspozitën e 17 Ndërkombëtare të Arkitekturës në Bienalen e Venedikut.

Në këtë edicion Republika e Kosovës përfaqësohet nga artisti dhe arkitekti i mirënjohur Maksut Vezgishi, me projektin “Conteinporary”. Është ideuar dhe kuruar bazuar në temën e përgjithshme të Bienales “How will we live together”.

Sipas autorit të veprës ‘CONTAINER’ është një ‘objekt’ i madh i hapur, i destinuar për ngarkimin e ‘PËRMBAJTJEVE’ të ndryshme. Ka formë, funksion dhe dizajn të jashtëzakonshëm. Ndodhet në çdo komunë. Rreth këtij kontejneri mbetet i hapur peizazhi i ndërtesave të ndërtuara. Për të qenë të përjetshme…

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult