Inaugurohet Pavijoni i Kosovës në Bienalen e Venedikut për vitin 2021

Dje u bë inaugurimi solemn i Pavionit të Republikës së Kosovës në Ekspozitën e 17 Ndërkombëtare të Arkitekturës në Bienalen e Venedikut. Në këtë edicion Republika e Kosovës përfaqësohet nga artisti dhe arkitekti i mirënjohur Maksut Vezgishi, me projektin “Conteinporary”, ideuar dhe kuruar bazuar në temën e përgjithshme të Bienales “How will we live together”.

Sipas autorit të veprës ‘CONTAINER’ është një ‘objekt’ i madh i hapur, i destinuar për ngarkimin e ‘PËRMBAJTJEVE’ të ndryshme. Ka formë, funksion dhe dizajn të jashtëzakonshëm. Ndodhet në çdo komunë. Rreth këtij kontejneri mbetet i hapur peizazhi i ndërtesave të ndërtuara për të qenë të përjetshme.

Specifikat që ofrojnë ‘MUNDËSITË E REJA’ të përdorimit, hapësirat për eksperimentimin, socializimin, reflektimin, aktivizmin, shpresën, idetë e reja, fantazitë dhe qëllimet…
Kuratori dhe autori i ekspozitës, Maksut Vezgishi vë theksin në emërtimin e instalacionit të titulluar “Containporary”, duke e ndarë në togfjalshin “container” dhe “contemporary” me aludimin në të përditshmen bashkëkohore.

Në ceremoninë e inagurimit ishin prezent Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, i shoqëruar nga Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, z. Liburn Aliu, si dhe Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Romë, znj. Lendita Haxhitasim, njofton MKRS nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare në Facebook.

Ata vlerësuan lartë përfaqësimin dinjitoz të Kosovës në skenën kulturore ndërkombëtare dhe theksuan se Institucionet e Republikës së Kosovës mbeten të përkushtuara në përkrahjen e punës së artistëve në promovimin e kulturës dhe artit kosovar në rrafshin global.

Pavijoni i Kosovës për publikun do të qëndrojë i hapur nga 22 maj 2021 deri më 21 nëntor 2021.
Më poshtë gjeni linkun e Pavijonit të Republikës së Kosovës:
https://kosovopavilion17th.com/