Dostojevski: Na vjen keq që as për të dashuruar nuk patëm kohë…

thenie të dashurosh dostojevski quotes
Fjodor Dostojevski

Nga Fjodor Dostojevski

Seç ka diçka prekëse dhe të pashpjegueshme deri në fund në natyrën tonë peterburgase, kur në të hyrë të pranverës ajo shpërfaqet papritmas me tërë gjallërinë e vet, me të gjitha fuqitë që ia ka dhuruar qielli, ashtu e veshur në të gjelbëra, në të arta e në lule ngjyra-ngjyra…

Të kujton ajo padashur atë vajzën ligur e hequr nga lëngata, të cilën e shohim herë me keqardhje e herë me një dhembshuri përdëllestare, apo herë-herë edhe nuk e shohim fare, derisa vjen një ditë kur asaj, papritur e pakujtuar, i bie një hir bukurie që të merr sytë dhe ne, krejt të trallisur, pyesim veten padashur: Ç’fuqi vallë ua dha një zjarr të tillë atyre syve të pikur e të menduar?

Kush e bëri gjakun të vërshojë në ato faqe të hequra e të zbehta? Kush ua dha ngjyrën e pasionit tipareve të trishtëza të asaj fytyre?

Pse gufmohet asisoj ai gji? Kush ia dha kaq befasisht fuqinë, jetën edhe bukurinë fytyrës së vajzës së gjorë? Kush ia ndezi atë buzëqeshje, atë gaz gjithë shkëndijime e vezullime? Vështrojmë përqark, kërkojmë dikë dhe e marrim me mend. ..

Mirëpo çasti kalon e mbase qysh nesër ne do të hasim përsëri po atë vështrim të njëhershëm, të menduar e të tretur, po atë fytyrë të zbehtë, po atë përvujti e po atë drojë në të lëvizur, madje dhe pendimin, së toku me gjurmët e një dhembjeje poshtëruese, apo të një pezmatimi për atë mahnitje të një çasti…

Dhe na vjen keq që u fishk aq shpejt e aq pandreqshmërisht ajo bukuri e atij çasti, që na mashtroi e na mori sytë. Na vjen keq që as për të dashuruar nuk patëm kohë…

(Shkëputur nga Net të bardhaKujtimet e një ëndërrtari)

Përktheu Aurel Plasari

ObserverKult


dostojevski tradhtuar

Lexo edhe:

DOSTOJEVSKI: KOHA JONË ËSHTË KOHË MEDIOKRITETI, MUNGESË NDJENJASH…

Nga Fjodor Dostojevski

– Është e çuditshme që edhe pse e ke kaluar gjithë jetën me njerëz, edhe pse ke dhënë e ke marrë me ta, nuk ke mundur ta njohësh njeriun.

Kur e mendoj këtë, ndihem sikur më kanë futur në një dhomë ku ka një numër të madh pasqyrash dhe secila prej tyre ma tregon fytyrën ndryshe. Pra, secila prej tyre është një mister për mua dhe unë jam një mister për secilën prej tyre.

– Njeriu, a nuk është një krijesë e dobët dhe e pambrojtur? A nuk është jeta një barrë shumë e rëndë për ta përballuar pa ndihmën e të tjerëve?

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult