Sipas kritikëve dhe studiuesve të Dostojevskit, dy janë momentet e kthesës në jetën e shkrimtarit, dhe po ashtu momentet që e ndryshuan përgjithnjë edhe veprën e tij:
1.Jeta e Dostojevskit në kampet e Siberisë;
2.Dënimi me vdekje.
Kampet e Siberisë
Përvoja në kampet e Siberisë i mundësoi Dostojevski t ta njoh natyrën e njeriut përbrenda. Ai do bëhej kështu dëshmitar i kontradiktës së natyrës njerëzore. Dostojevski pa, se si brenda një njeriu, mund të bashkëjetojnë të kundërtat, me fjalë tjera, brenda një krimineli mund të gjeje një engjull apo e kundërta.
Këto vëzhgime të Dostojevskit, më vonë do ti hapnin rrugën Niçes dhe sidomos Frojdid, për të ndërtuar teorinë e tij mbi të pavetëdishmen. Sepse ajo që vëzhgoi Dostojevski nuk ishte as më shumë e as më pak se vet e pavetëdishmja njerëzore. Në pozitën e një letrari ai nuk ishte i preokupuar me shkencëzimin e kësaj natyre. Pa Dostojevskin, me shumë gjasa nuk do kishte as një Frojd ashtu si e njohim sot.
Dënimi me vdekje
Dostojevski u dënua nga sistemi i kohës me vdekje. Ai madje, u vendos edhe përballë togës së pushkatimit. Për fatin e tij, në momentet e fundit, dënimi mbi të ndryshohet, dhe atë e falin. Megjithatë, ky dënim tashmë e kishte bërë punën e vet dhe kishte ndryshuar ndoshta përjetësisht fatin e shkrimtarit dhe veprës së tij. Tek vepra “Idioti” përmes princit Mishkin, i cili është vetë Dostojevski, tregohen 5 minutat e fundit të një të dënuari me vdekje, që besohet të ketë qenë vet Dostojevski.
Dëshmia për këto pesë minuta, është dëshmia për një jetë të tërë. Përmes kësaj dëshmie, Dostojevski tregon, se vetëm vdekja apo përballja me të, mund të na e tregojë vlerën e vërtetë të jetës. Përsëri kemi ballafaqimin e të kundërtave. Përsëri, hasim tek njeriu dy anë ekstreme. Kjo dëshmi e Dostojevskit do të bëhet edhe lajmotivi i gjithë rrymës së Ekzistencializmit dhe letërsisë në përgjithësi.
Jeta nuk ka kuptim pa vdekjen, dhe vdekja shënon një moment tjetër të jetës. Tragjedia e njeriut qëndron në atë se, njeriun në çdo moment e kërcënon hiçi, zhdukja, apo asgjëja. Kur njeriu do ta përjetoj nga brenda këtë asgjë, këtë frikë dhe ankth, para tij do të zbulohet mrekullia e ekzistencës. Për këtë arsye, Ekzistencializmi shpesh konsiderohet si filozofi e situatave limit.
Më poshtë mund të lexoni pjesën e shkëputur nga vepra “Idioti” ku tregohen pesë minutat e fundit të jetës së të dënuarit me vdekje, apo vet Dostojevskit.
“Më tha se këto pesë minuta i ishin dukur të pambarimta, një thesar i vërtetë. I ishte dukur se fare mirë mund të jetonte sa e sa jetë në ato pesë minuta, se s’kishte as përse të mendonte për çastin e fundit… Donte të kishte një përytirim sa më të shpejt e sa më të qartë për atë që, ja, tani ai ekziston dhe rron, kurse pas tre minutash do të jetë një hiç, një dikush apo diçka, por kush? Ku? Jo largë dukej një kishë. Kupola e sipërme me çati të praruar llamburiste nga dielli.
I kujtohej se ja kishte ngulur për tmerr shikimin asaj kupole dhe rrezeve që rrëzëllenin prej andej; bënte ti hiqte sytë dhe nuk i shqiste dot; I dukej që ato rreze ishin natyra e tij e re, se pas tre minutash kishte për tu shkrirë i tëri në to… E panjohura dhe neveria për këtë të re që, ja, tani do të vinte, e rëndonte ku e ku më shumë se mendimi që spo i ndahej: “Po sikur të mos vdiste! Po sikur të mos i ndërpritej jeta?
Ç’pafundësi e priste! Gjithçka do të kishte qenë e tij. Këtej e tutje do ta shndërronte çdo minutë në shekull, s’do linte asgjë t’i humbiste, ti shkonte dëm, do ta llogariste mirë çdo minutë!” Më tha pastaj që një mendim i tillë ia ngacmoi aq fortë nervat dhe e ndezi aq shumë me inat sa mezi po priste ta pushkatonin.””
Përgatiti: Ardian Batusha
ObserverKult
——————————–
Lexo edhe: