“Drejt Pavarësisë”, çelet ekspozita me artefaktet e firmëtarëve

Muaji nëntor është shpallur nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë, “Nëntori i flamurit”.

Në këtë kuadër, Muzeu Historik Kombëtar çeli ekspozitën me titull “Drejt Pavarësisë”, e cila përmban ecurinë e ngjarjeve drejt pavarësisë së Shqipërisë, si edhe artefakte të firmëtarëve.

Në fjalën e tij, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, u shpreh se “kjo ekspozitë nxjerr në pah gjithë kontributin e veçantë të firmëtarëve të pavarësisë”.

“E veçanta e kësaj ekspozite qëndron në ekspozimin e disa prej artefakteve tona më të rëndësishme. Të cilat lidhen me jetën dhe kontributin e figurave të shquara të firmëtarëve të pavarësisë”, tha ai.

Në kuadër të Festave të Nëntorit, Muzeu Historik Kombëtar ka organizuar aktivitete të ndryshme duke u fokusuar tek të rinjtë.

Në bashkëpunim me gjimnazin “Qemal Stafa” në Tiranë, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar u organizua aktiviteti me titull “Drejt Pavarësisë”.

Nxënësit e gjimnazit “Qemal Stafa” kishin përgatitur dokumentarë mbi shpalljen e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912 dhe mbi Çlirimin e Atdheut, më 29 Nëntor 1944.

Ata interpretuan vargje për atdheun, gjuhën dhe lirinë. Midis poezive ishin ato të Mitrush Kutelit, Naim Frashërit, Vincens Prenushit, Gjergj Fishtës dhe të Dritëro Agollit.

Në aktivitet nuk munguan edhe vallet popullore, këngë për atdheun, si dhe një ekspozitë me vizatime./ATSH

LEXO EDHE: FIRMËTARËT E DEKLARATËS SË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË NË EKSPOZITËN E ARKIVAVE