Firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë në ekspozitën e Arkivave

Portretet e firmëtarëve të Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë janë ekspozuar në ambientet e jashtme të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.

Kjo ekspozitë është publikuar në vitin 2007 me rastin e 95-vjetorit të Pavarësisë dhe fotografitë e prezantuara ruhen në fototekën e AQSH-së.

Sipas DPA-së portretet e firmëtarëve të Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë u ekspozuan me rastin e muajit nëntor, kur u shpall Pavarësia.

Si pjesë e aktiviteteve të promovimit të trashëgimisë nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, në çdo fillim muaji shfaqet një ekspozitë në muret rrethuese të institucionit.

Në këto ekspozita janë përdorur materiale arkivore nga koleksioni i arkivave për të ilustruar tema të ndryshme dhe për t’i vënë qytetarët në kontakt me trashëgiminë dokumentare të vendit.

Arkivat janë jetike dhe më se të domosdoshme për njerëzit, organizatat dhe shoqërinë në përgjithësi, sepse pa to nuk do të kishim as të kaluar dhe as të ardhme.

Kjo ekspozitë dhe të tjerat në vijim vijnë dhe si një alternativë e shtuar për edukimin dhe dijen e nxënësve, studentëve dhe të rinj në përgjithësi për të shtuar njohuritë mbi historinë. /Atsh