Drejtshkrimi i gegnishtes ose gegnishtja e standardizueme

Pas Fjalorit të Gjuhës Shqipe, të vitit 2006, që përmban rreth 41000 fjalë e rreth 54000 kuptime, të cilat nuk gjinden në fjalorët e Akademisë së Shkencave të viteve 1980 e 2002 e po ashtu edhe 5300 shprehje frazeologjike, gjuhëtari Mehmet Elezi ka gëzuar lexuesit me Rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe në gegnisht.

Sa për rikujtim po ua sjellim në vijim një fragment nga parathënia:

Gegnishtja i ka pasë rregullat e drejtshkrimit para se me i pasë shqipja e sotme standard

Nga Mehmet Elezi

Pikëpamjet për gjuhën shqipe të standardizueme i kam shtjellue në disa libra dhe në media. Nji reformim të standardit, pa ia cenue bazën, e shoh jetik. Nji hapje me kritere shkencore për pasunitë e gjuhës shqipe në dialektin gegë, të përjashtueme për arsye jashtëgjuhësore, do ta shëndetësonte gjuhën. Do t’ia forconte imunitetin. Do ta mbushte me energji të reja.
Atëherë pse tashti kjo vemendje për gegnishten e normëzueme?
Gegnishtja dhe tosknishtja janë dy mushknitë e gjuhës shqipe. Si njerëz të lirë, nuk mund t’ia lejojmë vetes “luksin” me shpërfillë qoftë edhe nji shkronjë a tingull të saj. Të shpërndamë në disa shtete në Ballkan, të bamë pikë e pesë nëpër botë, e vetmja që na njajtëson qartësisht si shqiptarë asht fjala shqipe. Pa gjuhë shqipe s’ka shqiptarë.
Vërehet nji prirje me e gjallnue gegnishten. Herë-herë ma fort si vullnet i paorganizuem, sesa si ndihmesë e mirëfilltë.
Disa shkrimtarë po shkruejnë gegnisht. Edhe në Itali e në vende të tjera të zhvillueme njerëz të letrave shkruejnë në dialekt. Në Zvicër përdorimi i dialektit në ligjërimet publike shihet si cilësi elitare.
Do të tjerë shkruejnë në nëndialekt. Dihet se gegnishtja ka katër nëndialekte: shkodranishten, kosovarishten, nëndialektin e Shqipnisë së Mesme dhe nëndialektin e Dibrës, Tetovës e trevave përreth. Edhe tosknishtja ka tri nëndialekte. Gjithkush ka të drejtë me ba zgjedhjen e vet, por nëse nëndialekti paraqitet si dialekt, krijohet pështjellim në gjuhë.
Herë mbas here thuhet se gegnishtja s’ka normë drejtshkrimi. Sa herë e kam lexue ose ndëgjue këtë pohim, jam habitë me guximin e atyne që e shqiptojnë. E errësojnë të vërtetën me qëllim, apo bajnë të ditunin për gjana, që nuk i njohin fare? Me gjasë edhe njana, edhe tjetra.
Gegnishtja i ka pasë rregullat e drejtshkrimit para se me i pasë shqipja e sotme standard.

ObserverKult