“Kam me ardhë si deka”- Guximi i “çmendun” i ni grueje, në Kosovën e narrativës së odës së burrave

Ni Poet – Ni Poezi (15.)

Donika Dabishevci: “Kam me ardhë si deka”

Estetika e erotizmit si ontologji dhe përvojë poetike

Nga HALIL MATOSHI

1.
Poezia “Kam me ardhë si deka” e Donika Dabishevcit (botue nga û, piknisht në Koha Ditore – shtojca për kulturë (2012)) ende për Kosovën e narrativës së odës së burrave plot tym e mburrje bâmash, ishte nifar guximi i “çmendun” i ni grueje, pra ishte manifest poetik.
Ni lloj guximi i tillë e shquente poetikën e Oscar Wilde, për shkak të ni mishërimi estetizues, madje ai u arrestu nën akuzë për homoseksualizëm edhe pse fare pak rândsi i âsht kushtu raportit mes estetikës letrare të Wilde dhe identitetit të tij seksual.

2.
Kjo poezi na vjen si ontologji dhe përvojë, si vetdije se natyra e qenies së saj âsht erotike, pra qenie-për-vdekje, (Dasein-i heidegerisn) ndërsa sipas definimit platonian, qenia âsht sferë apo lândë e njohjës, kurse dija duhet ta njohë natyrën e qenies.
Me diftu, tuj i dhânë shpalljës në fjalën e zgjedhun, madhështinë e hjeshinë estetike, intimën, si ni çastësi vettime, kjo paraqet ni model i ri të poetikës së erosit kundër thanatosit, këtë e ka bâ ndër t’parat në letrat shqipe, Donika!
Poezia “Kam me ardhë si deka” si pikëmbështetje e ka estetikën e ‘dorëzimit’ që ma përpara âsht pushtim parak!? Mas ksaj poetike nuk mshefet asni kauzë utilitare, si manifest politik apo për slogan-e fushatash feministe; kjo poetikë nuk shfaqë sensin e dominimit as ndoni reminishencë e pushtetit të matriarkatit pis as e pushtetit të seksit mbi idetë.
Në këto vargje del faqe bote pasioni i shpirtit lirik, shpërthimi i ni grueje që di çka do në jetë dhe merr atë që do, tu e ngjizë tharmin e idealit si mishërim estetizues, që Donika e arrinë përmes poetizimit me trope agresive, të të dhânunit dashtuni, si akt i bukur e i madhnishëm.

3.
Nëse mbështetemi tek estetja Florence Dee Boodakian, kjo poezi “provokuese” rikoncepton shfaqjet erotike dhe imagjinative, si ni estetikë, e nxitur përfundimisht nga prishja e dëshirës!
Simas menimit të Dr. Boodakian, tekstet kritike, filozofike dhe erotike ndërtojnë ni kornizë përme e kuptu estetikën e erotizmit, tu e përfshi ni «lakuriqësi», të bazueme në ni teori të mungesës dhe dinamikës psikosociale të mbikëqyrjes fizike dhe mendore. Në këto vargje, poetja paralajmëron subjektin/recepientin se ka me e zhvendosë nga trolli i rëndomësisë në ni dimension tjetër, midis tokës dhe qiellit, pra në ni gjendje të pezullt që bie ndesh me tabelat anakronike morale e sidomos me moralin e dyshimtë.
Poetja, sëkëndejmi, subjektin poetik e zhvendosë në ni kozmogoni tjetër.
Kjo, në letërsinë shqipe âsht ni poezi që vjen si tërmet, pra unike!
Dhe na trém!

“M’dhimesh,
se tokën nër kambë
kam me ta lujtë!”

Në këtë poezi antologjike të Donikës, rezistenca e “lakuriqësisë” e bân ni lidhje të domosdoshme mes poezisë së kënaqjës (poésie de jouissance) – siç e koncepton autorja Boodakian – dhe revoltës së trupit dhe mendjes, të qenësishme për erotikën, në peizazhin tonë kulturor bashkëkohor.
Poezi e shkrueme përmes ni lente poetike-erotike, që George Bataille e cilëson si momentet më intensive të njeriut, si refleksion ndaj ndrydhjës dhe mbikqyrjës së ni shoqnie automatike, ni shoqnie të kontrollit që simas Dr. Boodakian, e bëjnë lirinë ni iluzion, tu e privue atë me qenë ni ‘subjekt’ në tokën e panjohtun (dhe të pasun) të erotizmit.

4.
Titulli i kësaj poezie âsht si ni eho intertekstuale kišiane, “vetëm vdekja âsht e pakontestueshme”, pra zâni poetik shpallë ardhjen e uraganit, pashmanshmënisë së shfaqjës së ‘la feme fatale’ si fenomenologji shpirti, ose si fund i ni gjendje – si pushtim i ni kështjelle mesjetare – dhe vendosje e ni
“pushteti” të ri, atij estetik, mbi pasionin dhe erosin.
———————————————-
Kam me ardhë si deka

Rishtas ke me ni dhimtë,
ke me ni dashni,
kan’ me tu çelë sytë,
ke me shtrydhë mërzi,
ke me u dridhë
ke me mu jep
i tani i humbun
pa gjetë kun shteg.

Trupa, ftyra, hije,
n’mu ke me i pushue
pa shoshitë andrra
pa vakt me menue.

Kam me t’pre n’besë
n’mue ke me u shtri
epshin ma t’egër
me ma përplasë n’gji.

Çerdhe e andrrave,
oxhak shpije,
altar i dëshirave,
bunar mërzije.

Si deka kam me t’ardhë
ngeshëm, hap’randë
egër me t’miklue.

M’dhimesh,
se tokën nër kambë
kam me ta lujtë!

ObserverKult