Nga Eraldo Harlicaj
Ndonjëherë rastësia të bën të takohesh me njerëzit në rrethana të pazakonta, por që mbesin të pashlyera në memorie. Pata fatin të takohesha dhe të intervistoja Tinka Kurtin kur u largua nga kjo jetë Pirro Mani.
Fola me Tinkën në telefon dhe çuditërisht pranoi të fliste pas shumë refuzimeve që kisha marrë. Nuk ishte aftësia ime bindëse, aspak. Ishte dashuria e madhe për Pirron.
E dashtuna Tinkë më priti në rrugë për 15 minuta dhe më mori duke më bërtitur në telefon pas vonesës sime: “A do të vish he dreq, apo të iki? Jam plakë unë!“. U përpoqa ta qetësoja dhe më priti.
Druhesha kur ta takoja, pasi gjithmonë më jepte ndjesinë se ishte pak “arrogante” nga bisedat në telefon. Gabohesha! Tinka kur më pa dhe mori vesh se jam nga Shkodra më kapi për veshi: “Pse më le të prisja, a je i marrë a?”. U gjenda mes dy krahëve të saj dhe ndjeva ngrohtësinë e tyre.
Folëm gjatë për kujtimet e saj me Pirron. Lotonte shpesh: “E doja shumë. Pirroja më ka trajtuar gjithmonë mirë dhe nuk më ndante kurrë nga familja e tij. Humbje e madhe për mua“, – tha ndër të tjera.
E dashtuna Tinkë më hapi zemrën, shpesh e çonte bisedën te djali i saj. “Kam humbur djalin tim, Zefin. Një humbje e madhe për mua, jam vetëm. Zefi nuk kishte talent për aktrim, e kisha kuptuar unë.
E provoj, por nuk kishte. Ti nuk e di se çfarë do të thotë të humbësh djalin. Pirroja më mori dhe më ngushëlloi për Zefin, por s’ka ngushëllim për një nënë që humbet fëmjen”. Lotonte shpesh Tinka, nuk përmbahej për Zefin.
Mbeta i mahnitur nga thjeshtësia e saj, modestia për karrierën e gjatë dhe rolet e shumtë. Një tjetër detaj që më bëri përshtypje ishte gazeta që mbante në dorë. “Telegrafi” i kishte bërë një profil dhe gëzohej tek shihte dhe lexonte për veten. “E kanë tepruar pak me lëvdata. Nuk i meritoj”, – më tha duke buzëqeshur. “Je shumë e bukur”, – i thashë.
Më mori krahun dhe duke u mbështetur tek unë zbritëm shkallët që tashmë ishin kthyer në një mund për te. “Më hiq ndonjë gjë që nuk e kam thënë si duhet, se unë flas ndonjëherë më shumë se duhet”. E miratova me kokë dhe i dhashë një tjetër përqafim të përzemërt. U largova i mbushur dhe krenar, sapo kisha intervistuar të madhen Tinka Kurtin… Do të kem çfarë t’u them fëmijëve të mi!
ObserverKult
Më poshtë mund ta shihni intervistën e Tinka Kurtit për Pirro Manin:
Lexo edhe:
TINKA KURTI: S’JAM E GËZUAR PËR GJITHÇKA QË KAM BËRË, POR TANI ËSHTË VONË PËR ROLE
ObserverKult