Nga Tonin Çobani
Debati për figura të tilla si Martin Camaj dhe Ernest Koliqi ka mbetur pezull për shkak të përdorimit të pasaktë të fjalës “dritëhije” (Dritëhije në histori”, “Dritëhijet e historisë”). Në të dy togfjalëshat, që dalin qysh në tituj të disa shkrimeve (pjesë të debatit), të krijohet përshtypja se fjala “dritëhije” është përdorur me kuptimin: dritë dhe hije, bardh dhe zi. Prandaj fjala “histori” (“në histori” dhe “të historisë”), kur vjen së bashku me fjalën “dritëhije” s’ka përse të marrë kuptimet e përgjysmuara të dritëhijes, pra, histori e ndritshme: dritë, bardh (që mund të shkonte, ndoshta, për të vlerësuar kohën e Skënderbeut), as të gjysmës tjetër të errët: hije, zi; që mund të shkonte, po ashtu, për të stigmatizuar komunizmin.
Sepse nuk është e njëjta gjë “dritëhije” dhe “dritë dhe hije”. Në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe (FGJSSH (1980) për “dritëhije” thuhet se bëhet fjalë për një diçka me dritë dhe me hije në një pikturë. “Dritëhije e ëmbël. E jep (e pasqyron) me dritëhije.” (f. 377). Në një përkufizim thuhet: “Nëse shpreheni se ka dritëhije në diçka të tillë si performanca, do të thotë se ajo ju pëlqen, pasi pjesë të ndryshme të saj janë të veçanta në tonalitet ose ndjeshmëri. Edhe, nëse e përdorim fjalën “dritëhije” për Camajn dhe Koliqin, ajo mund t’i shkojë veprës së tyre si performancë artistike.
Edhe sot lexova një shkrim që përdor fjalën ngatërrestare “Dritëhije” Në të vërtetë fjala “Dritëhije” nuk është në vetvete ngatërrestare. Por kur përdoret jo saktë ngatërron ngatërrestarët, pra, ata, që, edhe duan të gjykojnë të tjerët, edhe nuk duan të duken si të tillë. Ata duan të thonë, psh, se Martin Camaj dhe Ernest Koliqi janë agjentë e poliagjentë, si Mehmet Shehu (siç u tha për të). Por s’ka gjë, ngushëllojnë ata. Të dy (Camaj dhe Koliqi) përsëri janë shkrimtarë dhe studiues të gjuhës dhe kulturës shqiptare dhe kanë bërë më të mirën për letërsinë e popullit të tyre (krahasuar me çdo kryeministër të të gjitha kohërave, sado që njëri ( Koliqi) ka qenë për disa vjet edhe ministër arsimi).
Por, vazhdon kori i ngatërrestarëve, Camaj dhe Koliqi kanë qenë shkrimtarë e studiues në shërbim të të huajve dhe jo të Shqipërisë dhe të shqiptarëve të shpërndarë ndër shtete kufitarë me shtetin e shqiptarëve (ose edhe më larg, nëpër Europë, Amerikë edhe Azi). Dhe për këtë nuk gjejnë ngushëllim për lexuesit dhe admiruesit veprës së tyre. Prandaj, duket, kanë thirrur në ndihmë fjalën “dritëhije”, kinse po i mbrojnë këta dy personalitete të letërsisë dhe kulturës shqiptare duke vënë në dukje (në anën e dritës) performancën e tyre letrare (për të cilën ngatërrestarët, siç e pohojnë vetë, nuk kanë kompetencë gjykimi) dhe, në anën tjetër (të hijes), duke vënë veprimtarinë e tyre të supozuar agjenturore dhe poliagjenturore.
Kjo është dritëhija pa dritë e një debati, i cili duhet ngarë më tej deri sa të arrihet një gjykim për vlerat (dritëhijet) e krijimtarisë së çdo autori pa nevojën e kurrfarë propagande jashtëletrare dhe jashtëartisitike. Unë kam lexuar diku se edhe Heminguej ka bërë pjesë në struktura bashkëpunuese me CIA-n. Edhe Gorki me KKB-në ndërsa mblidhte disidentët rus nëpër Europë. Por askush nuk e ka trajtuar këtë veprimtari, si hije të zezë të jetës së tyre. Njohim edhe konfliktin Konica-Noli ( “Faik Konica, jeta në Uashington” e Ilir Ikonomit) që, gjithashtu, nuk mbetet si hije e zezë për asnjërin prej shkrimtarëve tanë madhorë.