Dritëro Agolli: Ah, sa të kam pritur…

ankime kujdes me fjalen poezi nga agolli

Poezi nga Dritëro Agolli

Ajo kërkonte si më parë
Të vinte pak të merrte frymë
Në trupin tim nga vitet vrarë
Dhe në jelekun tim me brymë.

Si qiell qëndroi ajo mbi mua,
Po unë as dorën e sfilitur
S’e ngrita dot, s’më bënte gjuha
T’i thosha: ah, sa të kam pritur!

E shihja turbull gati-gati
Tek rrinte heshtur si në ndarje…
Më tej mes nesh asgjë nuk pati:
As lumturi, as fjalë, as sharje.

Kjo zemra ime tokësore
U lodh me vite nga mërzia;
Me trojkën rrugës prej dëbore
Dëborës mbeti lumturia.

Tani sëmurë e lodhur s’mbahem
Dhe tjetër gjë mendoj në heshtje:
Tek perëndim i diellit falem,
S’i trembem natës së përjetshme.

Më sheh në sy veç pavdekësia,
Më sjell qetësi mes turbullirës,
Prej natës derdhet ftohtësia,
Ma shuan zjarrin e trazirës

*Titulli i origjinalit “Ajo kërkonte”

ObserverKult

———————

Lexo edhe:


DRITËRO AGOLLI: MË PRIT SE NJË DITË DO TË VIJ