Dritëro Agolli: Ajo u vërtit lakuriq…

Ajo u vërtit lakuriq
Si pata e bardhë në lumë;
Këndonte hutini në vidh,
Bretkocka fërkohej me shkumë.

Më humbi nga sytë pastaj,
Siç humbin sirenat e lumit,
Më mbetën veç hiret e saj
Dhe nazet e kurmit.

U zhvesha dhe lumit me not
I rash tri herë;
Ju them se notoja aq kot,
Sa dukesha fare i mjerë.

Madje dhe bretkocka u lig,
Sa s`donte aspak të më shihte,
Në vend të hutinit në vidh
Veç hëna fytyrën e griste.