Pjesë e shkëputur nga një intervistë realizuar vite më parë me poetin Dritëro Agolli, e të cilën e ka postuar në Facebook, vajza e tij, Elena Agolli.
-Keni përkthyer poetë që janë tepër larg nga njëri-tjetri, Bagrickin, Bërnsin, Kedrinin, Elyarin, Ricosin etj. Thuhet se poeti përkthen më mirë atë poet që e dashuron vërtet. Ç’mund të thoni për rastin tuaj, kur kemi të bëjmë me poetë që s’afrohen me njëri-tjetrin?
-Dritëro: Mua më pëlqen e gjithë poezia e mirë dhe krejt e ndryshme. Në këtë kuptim i dua edhe ata poetë që janë fare larg meje. Mua vetja më mërzitet dhe dua të gjej një vetje tjetër. Dhe këtë vetje tjetër e gjej tek ata poetë që nuk më ngjasin mua. Për t’i bërë për vete i përkthej dhe u jap pak shpirt nga shpirti im. Toka jonë nuk ngjan me tokën e Afrikës. As klima nuk ngjan. Po ne mbjellim edhe pemë afrikane, siç janë palmat dhe kaktusët. Unë jam një tokë, ku mund të mbillen edhe pemë të një poezie nga një tokë dhe klimë tjetër. Kjo duket si çudi, por është një e vërtetë që as unë nuk di si ta shpjegoj. Ndofta lidhet me llojet e ndryshme të teknikave poetike që përdor unë.
-Keni shkruar shumë prozë, megjithatë s’keni përkthyer prozë. Çështje kohe apo diçka tjetër?
Dritëro: Më është dukur si një kohë e humbur të përktheja prozë. Nuk kam pasur durim. Me atë durim që do të përdorja për përkthimin e një romani, më mirë shkruaja vetë roman. Pastaj përkthimi i prozës ka më pak rikrijim. Përkthimi i poezisë i tëri është zbulim dhe rikrijim. Synimi drejt zbulimit zgjon pasione të çuditshme. Duke përkthyer poezi, mësohesh të bësh edhe vetë poezi dhe mendja poetike rri e freskët. Kurse po përktheva prozë, unë matufepsem dhe harroj të shkruaj prozë. Më merr dhe më mbyt lumi i prozës së huaj, duke m’i prishur të mbjellat e prozës origjinale.
ObserverKult
Lexo edhe:
ÇAPALIKU, VELIAJ, LLOSHI, JACAJ, MEKSI DHE GOGO- FITUESIT E ÇMIMEVE KOMBËTARE TË LETËRSISË