Dritëro Agolli: E di historinë e Van Gogut?

adhuroj gratë poezi nga dritero agolli observerkult

Unë tregoj histori të bukura,
Ti bëhesh si foshnjë kureshtare,
Shikon me faqe të skuqura,
dhe hesht e humb fare.

E di historine e Van-Gogut,
Historinë e veshit të tij?
Ty zemra të rreh si zogut,
dhe thua ngadalë: S’e di!

Van-Gogut i thoshte një femër:
“Vinçent, ke veshë të bukur!”
Dhe qeshte me gjithë zemër,
Siç qesh ti me mua, moj flutur!

Van-Gogu në këmbë kërceu,
e nxori thikën një ditë.
Dhe veshin e bukur e preu,
dhe tha: “Mbaje kujtim moj dritë!”

Habitesh? Kështu ka ngjarë,
një herë një mëngjes.
Pse trembesh? Ai ish i marrë.
Pse trembesh? Unë veshin s’e pres!