Gruaja fle në çarçafin e bardhë e jastëkun e bardhë
E bukur si perëndi e lashtë e Greqisë;
Flenë sytë e saj që më mahnitën vite me radhë,
Flenë buzët e saj si kokrra e prerë në mes e qershisë;
Flenë qerpikët si halat natën në grurë,
Flenë mollëzat e faqeve që bëjnë gropëza kur qeshin,
Fle balli i hijshëm që s’e desha të ngrysur kurrë
Dhe nën ballë vetullat si krah dallëndyshe heshtin.
Në çast më pushton një ndjenjë fajësie dhe malli,
Para saj i vetëm, para saj i pagjumë,
Dhe mbulohet me rrudha të dendura balli
Dhe them me vete: grua e dashur të kam lodhur shumë,
Kam ikur shpesh në rrugë të gjata në fusha e shpate,
Të kam lënë fëmijë e shqetësime mbi shpinë,
Të kam lënë pazarin, radhën e netët fillikate,
Të kam lënë mbi shpatulla gjithë shtëpinë.
Fli e vuajtura ime!
1989