Dritëro Agolli-Sadijes: Ndonjëherë bëhem i padurueshëm, po jo se dua…

Dritëro Agolli

E bija, e Dritëro Agollit, Elona, vazhdon të bëjë publike disa nga shkrimet e tij.

Ajo kësaj radhe në ditëlindjen e tij, e publikoi në faqen e saj në Facebook një letër që Dritëro Agolli ia dërgoi Sadijes, bashkëshortes së tij.

“Zgjodha një letër dashurie të shkruar më 13 tetor 1964 nga vetë Dritëroi, për të përkujtuar datën e lindjes së tij. E në këtë letër nuk ka se si të mos flitet edhe për Sadijen, me të cilën tashmë e lidhte një dashuri e madhe…”, shkroi Elona.

Letra e plotë:

13 tetor, 1964

E dashur Sadije,

Edhe 33 vjetët e mij mbetën prapa. Dje nuk mendonja fare për ditëlindjen, bile e kisha harruar. Në mëngjez sot, u kujtova. “More, po unë mbush 33 vjet”? -thashë me vehte. Nga s’jam hedhur në këta 33 vjet! Të rrish të mendohesh të zjen koka. Dhe kur po ikte i 33 vit, ose më mirë që kur kish hyrë, unë të njoha ty. Kjo ndofta ka qrnë gjëja më e mirë në këta 33 vjet.

E ndjej vehten mirë. Ti më dërgove telegram, më more në telefon, të dëgjova të flasësh. Të hënën ne të dy nuk u ndamë aq mirë. Tërë rrugës kam qenë i dëshpëruar dhe asgjë nuk mund të më zbaviste. Në Milot nga hutimi e humba ombrellën. Nuk ka gjë, shkoi edhe ajo të kërkojë të tjerat.

Mua më duket se ti ke nevojë që unë të jem pranë teje. Ti nevrikosesh, nxehesh dhe duhet patjetër të kesh afër një njeri që të të përkëdhelë e të të qetësojë. Edhe unë bëhem ndonjëherë i padurueshëm, po jo se dua. Edhe ti bën ca pyetje fishekësh në letër: “mos t’u mërzita?”

Unë vetë të kam zgjedhur ty të atillë që mos më mërzitesh kurrë.
Në dasëm nuk do të shkonja atë ditë, po ti po iknje shpejt dhe unë e shihnja se po më vërtitej një mërzi më e madhe se kalaja juaj.

Sikur mos kisha shkuar do të ishte më keq se do të zinja ndonjë qoshe e do të rrinja vetëm. E dij që qyteti juaj ka shumë fjalë, po mua nuk më bëjnë përshtypje. Dasmat prandaj bëhen, që njerëzit të mos jenë si ditët e zakonshme. Më shumë më pëlqeu një shofer dhe i vëllai i Verit. Atje u grinda me njërin se pēr t’u tallur e mori këngën “Te rrapi në Mashkullorë”. Kur tha ai:

Foli Çerçizi me gojë:
Leri djemtë e mij të shkojnë
Se ju kuq ju bëj me bojë


unë i thashë, duke e përmbajtur inatin:
“Çerçizi ka skuqur në ballë edhe bimbashë, kurse ti nuk din të skuqësh as …” e këtu thashë një fjalë që nuk ishte shumë e këndëshme.

Librin me vjersha u mërzita duke e daktilografuar vetë dhe prandaj ia dhashë një daktilografisteje.

Ti më thoshe në telegram, se Elena lindi djalë. Unë i telefonova në shtëpi. Më thanë se ishte në punë. I telefonoj në punë. “Si , moj, ç’bën atje? Ku e ke djalin?” Ajo u çudit. Nga e more vesh ti se ka lindur?

Ka mundësi që pak më vonë të vij andej afër me ndonjë shërbim dhe të dukem papritur e kujtuar nga ti. Po ky është hë për hë një projekt.
Si je tani? U qetësove? Kot sa bëhesh merak.

Të puth shumë Dritëro

13 tetor, 1964

Dritëro Agolli bashkë me bashkëshorten Sadijen

ObserverKult

Lexo edhe:

DRITËRO AGOLLI: PAS VDEKJES SIME DISA DO KËNAQEN…