Ti ike, o bir, dhe u ndave nga unë një ditë
Në majin me lule e pranverën me dritë.
E doje diellin kur skuqte agimin
Dhe pije me buzë dritën, vlagën, gëzimin.
Kur ngriheshe, sipër çatisë vështroje pranverën
Si derdhte mbi botën lulet dhe erën;
Vështroje detin që ndriste si gjalpi i tretur
Dhe malin ku ndizej dhe shuhej mëngjesi i etur;
I ndiqje me sy milingonat dhe zogjtë lart mbi çatitë
Dhe pikat e vesës së ftohtë që binin ngadalë mbi kusitë…
Në qenien tënde vështroja detin, qiellin dhe yjet
Dhe botën e gjeja në sytë e tu: me fushat, malet dhe pyjet.
Dhe zëri i dashur për ditët që vinin më fliste;
Me të ardhmen jetoje, e ardhmja të ndiqte.
E ardhmja më dukej se shpejt do të zbriste këtu në sokakë,
Po fryma jote u shua dhe unë s’ngrohem tani nga kjo flakë…
*Titulli i origjinalit: “Epitaf”