Dritëro Agolli: Trëndafilët e turkeshës

Kënga e parë
Marmaraja bojëgjelbër, bojë e çallmës së sulltanit,
Ndrit nën gjunjët e Stambollit, portës plakë të vatanit.

Cipë e trupit tënd të bukur e lëmuar si tespihe
Shket në varkën e përgjumur, feks me naze dashurie.

Ti më thua se për varkat s’bëj dot vjersha unë i ziu,
Sipas teje vargje thurte veç poet Orhan Veliu.

Të përgjigjem se Orhanin e njoh mirë e ma ka ënda,
Ky për varkat bukur shkruan, unë këndoj ç’ka varka brënda!

Ti zë qesh e thua prapë: “Ka poetë Arnaut-stani”?
Të përgjigjem: “Kish poetë që kur priste jatagani.

Në Stamboll nën jataganin ngrinte këngë e ligjërime
Një sulltan i poezisë, Naim beu i tokës sime!”

Marmaraja bojëgjelbër, bojë e çallmës së sulltanit
Përkund varkën tek turkesha i këndon Arnaut-stanit.

Kënga e dytë
Yzmetçiu me enë turke si kapela të mëdha
Tundet si patok i majmë dhe sjell “elbasan-tava”.

Erë e viçit turk të pjekur i lëmon perdet e tylit,
Unë turkeshën myslimane e vështroj me bisht të syrit:

“Kjo tava është vepra jonë, e pëlqente dhe sulltani,
E krijoi një mendjehollë, një qejfli nga Elbasani”!

Deh!turkesha rreth shuplakat, gishti i bardhë nxjerr inxhi,
-“Arnaut shejtan me brirë, qenke tepër shakaxhi”!-

Ndizem prush si pallë e turkut, një mendim nga larg më zbardh:
-“S’lamë vetëm emra gjellësh në Stambollin tënd të madh.

Ndofta, zonjëz, të kujtohet arkitekti bash Sinan,
Në Stamboll i ngrenë vithet dy xhamitë e tij me nam.

Mbase ish nga Tepelena, mbase nga Librazhdi ish,
T’i ka ngritur ty xhamitë që të falesh arabisht.

Dhe kur falesh s’e ke mendjen tek një hoxhë e një kuran,
E ke mendjen në kupolat, ku fton arti sinanian.

Në Stamboll ne kemi pasur tri armata, tri ushtri…”
-U gajas kunadhja turke:-“Qenke tepër shakaxhi”!

Dale, dale!-them me vete tek fshin djersën yzmetçiu:
-Vetë Abdyli ish armatë, ish armatë dhe Samiu

Dhe armatë e tretë e madhe-gjeneral poet Naimi,
Që lëshonte nga Stambolli divizione vjershërimi!

Dhe të tri këto armata nuk i preu dot jatagani,
I mëkonte turku vetë fshehur turçe nga sulltani.

E dëgjon një zë armate si përhapet valë-valë?
Vjen nga larg e më merr mua dhe më mban me shpirt të gjallë:

“O malet e Shqipërisë dhe ju, o lisat e gjatë,
Fushat e gjëra me lule, ju kam ndër mend ditë e natë!”

Top Kapia humb në mjegull, Marmaraja fle në paqe,
Mua katër pika loti më vrapojnë nëpër faqe.

Dhe turkeshën e rrëmbejnë tri armata, tri ushtri,
Yzmetçiu patok i majmë vjen e sjell “Jeni Raki!”…

Kënga e tretë
Në “Xhenet Bahçe” turkeshat hidhen turçe hula-hup,
I fryn trompës dhe gërnetës turku Abdullah Jakup.

I bie frëngçe tamburasë turkja Selime Hashef,
Po turkeshat turçe hidhen, tundin siskat me sedef.

Katër turq, turkesha pesë, me raki, turshi e mish,
Yzmetçi Kasëm Murati na zgjat dorën për bakshish.

Hula-hupi turçe sillet, turçe gotat mbushen plot,
Nga “Jeni Rakia turqit dehen turçe, s’mbahen dot…

Katër turq dhe katër mjekra në pëqi të turkes ranë
Dhe të katër si fëmijët e turkeshës zunë e qanë…

Po turkesha nxori sheshit jataganë e gjuhës turke
Dhe me gjuhë jatagani përmbi turqit u vërsulke:

-“S’kini turp, o turq nga turqit, ju ka dehur arnauti,
Erdhi piu rakinë e turkut dhe me lëngun turk ju mundi!

Ky na marrka gotën turke dhe me gotë turke tallet,
Ah, o turq, na nxitë faqen dhe kjo faqe nuk na lahet!”

Unë i them: -“Më fal, turkeshë, gjyshrit një zakon na lanë,
Të marr shpatat e sulltanit dhe me to të pres sulltanë!

Ky zakon i keq më mbeti dhe në shpatën e rakisë,
Zbraz “Jeni Raki”të turkut dhe deh burrat e Turqisë”. –

Më vështrojnë e qeshin turçe katër turq, turkesha pesë:
-“Eh, kjo luftë dashurie!…Shpatë e saj le të na presë!…”

Pimë turçe, hamë turçe; s’flasim turçe, po frëngjisht,
Të jetonte gjyshja ime, mund të fliste dhe turqisht…

I fryn trompës turku turçe, turku Abdullah Jakup,
I bie turkja tamburasë, siskat hidhen hula-hup.

Në “Xhenet Bahçe” turkeshat kush s’i do, kush s’i pëlqen?
Marmaraja xha Stambollit ia lan këmbët në legen.

Kënga e katërt
Bashkë i shohim dalngadalë mrekullitë e Top Kapisë
Tek na shfaqen nëpër mjegull varg sulltanët e Turqisë.

Duke ecur pranë xhamesh me florinj e jataganë,
Vanë sytë e mi të lodhur në dy çallma, dy sulltanë.

Ti në çast nis ligjërimin për sulltanë e për vezirë…
Hesht, turkeshë, se sulltanët që të dy unë i njoh mirë!

Që të dy në tokën time kanë pirë e kanë ngrënë,
Nën bedenët e kalave medalionet kanë lënë;

Që të dy i ulin çallmat: dhe Murati dhe Mehmeti
Dhe pas mureve të Krujës gjysmëhënë e tyre mbeti.

Ah, s’ia ditke emrin Krujës? Kruja turçe Ak-hisar,
Dy sulltanët pallëthyer s’e harruan gjer në varr!…

Vetullvrenjtur ti më thua: “S’ishin trima po guhakë”.
Jam modest, turkeshë e dashur, i pranoj dhe frikacakë.

Mos u vrenjt se ke në xhame mbi tridhjetë e ca sulltanë,
Vetëm dy të mori Kruja dhe të tjerët ja ku janë!

Falemnderit nga sulltanët, namin shekujt po na shtojnë,
Sa më e mprehtë pallë e tyre, aq më e nxehtë shpata jonë!

Paske qejf t’i mburr sulltanët!…Po t’i mburr për trimërinë,
Ata derdhëshin furtunë dhe ne digjnim vetëtimë!

Dhe turkesha rrahu doçkat: “Arnaut shejtan gjyzar,
Në pallatin e sulltanit, me sulltanët bën pazar”!

Unë i them: “Tani sultanët për pazar vërtetë u bënë,
Po dikur stërgjyshrit tanë me ta kokat kanë ngrënë”!

Dhe në vesh një këngë malesh i këndoj me mall turkeshës
Pranë çallmës së sulltanit, në konak të sulltaneshës:

Zylyftar mustaqeverdhë,
Prit nizamët se t’u derdhë!

-Po të duan, le të vinë,
Pranë pusit kam Mersinë…

Melesini maja-maja
E rreth topi, kumbaraja.

Njëzet trima me Mersinë
Buzë pusit seç u shtrinë.

Dhe tek portë e Zylyftarit
Varur kokë e bashnizamit…

Ah, turkesha uli syçkat si dy gurë xhevahiri,
Vinte Zylyftari i Podës hipur kalit bojëhiri,

Vinte mbushur plot me plagë nëpër Urën e Gallatës,
Vinte përmes këngës sime për vargjet e baladës…

Kënga e pestë
Me turkeshën ishim shtruar në “Kafe Sari Salltik”,
Yzmetçi Ali Oglliu shtinte çajin me ibrik.

I tregoja se në vargje komunist i ndershëm jam…
-“Çok gjyzel, -më tha turkesha –komunist e mysliman”!

Unë u plaka në fytyrë, kuvendimi vuri bisht,
Dhe ia ktheva: -“Nuk bashkohen mysliman e komunist”!…

Po turkesha hapi buzkat si dy sure në Kuran:
-“Mos ma prish dëshirën mua, komunist e mysliman”!

-Ama mendje!-them me vete, -mendje e zbrazur si ibrik,
Pika neve që kullosim në livadhin politik!

-“Ç’ke që ngrysesh, -tha turkesha, -apo syçkat s’m’i pëlqen,
Sytë e mi në “Kapitalin”  e Karl Marksit nuk i gjen,

Këta sy i gjen si perla në çdo sure në Kuran,
Mos ma prish dëshirën mua, komunist e mysliman”!

Yzmetçi Ali Oglliu na jep çajin me ibrik
Dhe ma bën përshesh turkesha botëkuptimin dialektik.

Po ndër kohë ajo rrudh ballin dhe ul sytë e zezë përdhe:
-“Komunist një lëmsh i mjegullt, lëmsh shejtanësh nëpër re!”

Unë i them: -“Ne komunistët jemi djaj të kuq në botë,
Po hanëmet si zotrote na pëlqen t’i mbajmë ngrohtë.

E shikon se komunistët janë popull simpatik?
Shtina çaj, Ali Oglliu, myslimani me ibrik!”-

Shkoi e vate komunisti, dialektikë e “Kapital”,
Dhe në gjirin e hanëmes ngriti krahët dhe u fal!

O bo-bo ç’qenkesh kjo falje mbi Kuranin që m’u taks,
Lamtumirë ju, mjekroshë, Lenin, Engels, baba Marks!…

Kënga e gjashtë
Rri në breg të Marmarasë mu në gjunjët e Stambollit,
Vjen nga larg një valë e shurdhër, regëtimë e Anadollit.

Kullat shpuar nga fenërët sytë i mbyllin, sytë i hapin
Dhe vaporëve të majmë shenjë u marrin, shenjë u japin.

Këto shenja më lëndojnë, sepse jam vapor i gjallë,
Jam vapor që vjen nga kohërat i sfilitur nëpër valë;

Jam i mbushur me vajtime dhe i zbrazem Marmarasë,
Ku turkesha thyen gishtin në një tel të tamburasë.

Zë vajtoj një këngë mali, një baladë pleqërishte
Për një Tiko Papajani me takije shqiptarishte:

Marmaraja det i turkut,
Çau vapori tatëpjetë,
Çau me dyzet kapedanë
Dhe me treqind e ca vetë.

Në vapor u ça kazani,
Humbi Tiko kapedani,…
Thonë u mbyt e thonë u shua,
Lëreni dhe mos e ngani!

Po mahnitet dhe Stambolli,
Kur del Tikua nga vapori;
Në një shkëmb qëndron i gjori,
Shokët deti i shkretë i mori…

E derdh drithma si purtekë
Në atë shkëmb ku mblidhen retë,
Mbetur fillikat pa shokët
Hidhet përmbi valët vetë…

Marmara , t’u shtoftë nami,
Humbi Tiko kapedani!
Thonë humbi, thonë doli,
E kërkon, s’e gjen Stambolli…

Marmaraja hesht pasdarke, nanuritur e përgjumur,
Me turkeshën e kërkojmë Tiko kapedanë e humbur:

Ndofta dergjet nën Gallatë, ndofta prehet mes Bosforit,
Ndofta duart ka shtrënguar në kazanin e vaporit.

Unë u ndava nga turkesha, nga stërnipja e sulltanit,
Po turkeshën do ta ndjekë shpirt i Tiko kapedanit…

Stamboll, 1980

Përgatiti: ObserverKult